Drejt një Republike Penale. Fanatizmi penal ndaj korrupsionit, burg edhe për Premtime!!!

Postuar në 04 Tetor, 2016 10:06

Nëse lexon dispozitat e reja të ligjit Anti Mafia, quajtur zyrtarisht si ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit dhe krimeve të tjera të rënda në nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, mund të imagjinosh si nuk është hartuar nga nevoja për një sistem efikas dhe menaxhim optimal të parasë publike, por nga ai i një regjimi të sterilizuar nga korrupsioni me të këqinjtë që tanimë ndodhen në burg. Siç raporton “shqiptarja.com” ligjit i shtohen edhe 15 vepra të tjera penale për aktivitete që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës, prokurimet e deri te qytetarët që ushtrojnë ndikim të paligjshëm mbi zyrtarët. Duket se ekspertët e EURALIUS dhe Pameca kanë në mendje Zvicrën të cilën e projektojnë në legjislacionin penal ndërkohë që drejtësia është kontratë që nuk mund të përjashtojë politikën.

Po çfarë ndryshimesh sjell ligji?

Në ligjin Anti-mafia përfshihet çdo qytetar që tenton të korruptojë një funksionar publik në këmbim të një vendimi, favori, tenderi apo vendi pune. Ligji Anti-mafia do të veprojë gjithashtu edhe mbi sekserët, të cilët shërbejnë si ndërmjetës mes qytetarëve dhe funksionarëve publikë. Neni 245/1 i Kodit Penel parashikon burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet për sekserët. Ligji do të zbatohet edhe për veprën penale të korrupsionit pasiv në sektorin privat, parashikuar në nenin 164/b të Kodit Penal”, raporton “shqiptarja.com”.

Objekt i veprimit të ligjit Anti-mafia do të jetë edhe vepra penale e shpërdorimit të detyrës. Shumë zyrtarë mund të akuzohen për shpërdorim detyre dhe jo për korrupsion aktiv apo pasiv, ndaj si të tillë i shpëtojnë zbatimit të ligjit Anti-mafia dhe gjykimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në këto kushte, ekspertët kanë propozuar që të shtojnë nenin 248 të Kodit Penal, pra shpërdorimin e detyrës. Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Po ashtu, është përfshirë edhe vepra penale e shpërdorimit të kontributeve, subvencioneve ose financimeve të dhëna nga shteti ose institucione shtetërore, për t’u përdorur në vepra dhe veprimtari me interes publik. Kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Ligji Anti-mafia do të zbatohet edhe për veprën penale të përfitimit të paligjshëm të interesave, parashikuar në nenin 257 të Kodit Penal. Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet. Ligji Anti-mafia do të zbatohet për veprën penale të fshehjes dhe mashtrimit me deklaratat e pasurisë. Është përfshirë pikërisht neni 257/a, ku refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Gjithashtu janë përfshirë veprat penale të korrupsionit pasiv ë personave që ushtrojnë funksione publike si dhe korrupsioni pasiv të nëpunësve të huaj publikë, vepër e cila dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.

Për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike do të veprojë ligji Anti-mafia. Neni 258 i Kodit Penal parashikon që kryerja veprimeve në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, dënohet me burgim gjer në tre vjet. Gjithashtu është shtuar vepra penale e korrupsionit aktiv të gjyqtarëve ose zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare, parashikuar në nenin 319/a të Kodit Penal. Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt a tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, gjyqtarit ose zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare, për të kryer apo për të mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet”, vijon gazeta.

***

Korrupsioni është një plagë e madhe dhe për të luftuar atë ka një konsensus verbal të gjithëdeklaruar. Por korrupsioni nuk ka shanse të luftohet efektivisht duke deformuar bazat e Republikës Parlamentare që po shndërrohet në Republikë Penale, ku sanksioni “burg” shfaqet si normë edhe për “premtime...për çfarëdo përfitimi të parregullt”. Ky është një absurditet i madh që po i jep pushtet një strukture të mbyllur si SPAK për të bombarduar me akuza penale këdo që dyshohet. Dispozitat e mësipërme hedhin dritë mbi faktin se nën akuzë mund të vihesh edhe mbi bazë hamendësimi apo interpretimi çka e bën një prokuror të SPAK të gjithëpushtetshëm dhe patjetër arbitrar. Nga ana tjetër lehtësia me të cilën ligji formulon sanksionin edhe për akte shumë evazive e që duan hulumtim si premtimi, mosvperimi me dashje etj., i lejon gjykatës të mbushë mirë burgjet shumë shpejt.

Të kemi parasysh se përqendrimi është te administrata e cila konsumon korrupsion, por të kontrolluar nga titullari. Para disa kohësh parlamenti miratoi ligjin për informimin në administratë, ligj i cili nxit dhe mbështet informimin mes kolegëve, duke futur një praktikë e cila e kthen administratën në një xhungël spiunësh dhe strehë intrigash. Nëse së shpejti do të kemi mundësinë të shohim njerëz që prangosen për gjithfarë akuzash, atëherë me siguri do të vihemi përballë faktit se kostoja e të burgosurve do të tejkalojë çdo buxhet. Pasi është shumë e qartë që nëse hartuesit e këtyre dispozitave mund të na thonë se lufta ndaj korrupsionit bëhet me shtrëngime, ne mund të lexojmë djallëzinë e tyre në frymën e shtesave në ligjin Anti –Mafia që i hap rrugën një lufte brenda llojit. Kjo politikë penale kaq radikale është e tillë pse politika shqiptare kërkon t’ia bëjë atë dhuratë ndërkombëtarëve për t’u mbyllur gojën për zullume të tjera.

Një qasje e tillë ku burgu është stacioni i parë dhe i fundit, gënjen hapur, pasi ligjet kanë qenë edhe deri më sot, me të tjera sanksione, por ato nuk janë zbatuar. Shqipëri nuk ka vuajtur nga paaftësia për hetime dhe gjykime, por nga mungesa e vullnetit politik e deri diku edhe shoqëror për të kundërshtuar këtë sistem. Të pretendosh se mundet të ndryshosh gjërat duke anashkaluar marrëveshjen politike për luftuar korrupsionin me një kontratë penale është të shesësh viktimat e nesërme si drejtësi dhe ndryshim të Shqipërisë. Dhe këtu po flasim për një situatë ku “e drejta për një proces të rregullt gjyësor” cenohet nga kjo çorbë e ligë Anti –Mafie që ngjan se është bërë nën efektin e psikozave të caktuara, por jo nga premisa për drejtësi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.