Irak, Pentagoni pagoi 500 milionë dollarë për qëllime të propagandës sekrete. Video false për të zbuluar simpatizuesit e Al Qaedas

Postuar në 03 Tetor, 2016 03:47

Lufta e Irakut vazhdon të prodhojë lajme që japin të kuptojnë se ky vend i Lindjes së Mesme, përveç destabilizimit, i është nënshtruar edhe eksperimentimeve të luftës psikologjike dhe shpëlarjes së trurit.

Kështu një OJF e cila është e angazhuar në gazetarinë investigative, “The Bureau of Investigative Journalism” zbulon se Pentagoni ka shpenzuar 540 milionë dollarë nga viti 2007 deri në vitin 2011 për të manipuluar përmes medias opinionin iraken dhe atë të rajonit.

Palë e kontraktuar është një nga kompanitë më të njohura britanike në fushën e Marrëdhënieve me Publikun, “Bell Pottinger”, e cila aktuakisht ka ndërruar staf. Vetë drejtuesi i firmës, Lord Bell ka pranuar angazhimin në realizimin e tri lloj operacioneve me natyrë propagandistike, ndërkohë që një videoeditor i kontraktuar asokohe nga firma, zbardh detajet.

Martin Wells, videoeditori, sqaron se propaganda synonte të nxirrte në dritë të keqe para irakenëve Al Qaedën, për të parë pastaj se kush i ndiqte videot e përpunuara nga kompania duke prezumuar simpatizues të mundshëm. Videolajmet realizoheshin me cilësi të ulët, në stilin arab të lajmeve dhe mandej shpërndaheshin përmes CD-ve. Këtë e bënin edhe marinsat gjatë përballjeve me militantë të ndryshëm duke braktisur CD-të, në të cilat ishte regjistruar edhe një kod që lidhte playerin – programin ekzekutues të videos me Google Analytics, prej nga ku ushtarakët amerikanë lexonin IP-adresat virtual të njësive kompjuterike që luanin videot. Irani dhe Siria ishin vendet ku identifikoheshin më shumë gjurmë të kësaj natyre.

Ky nuk është rasti i parë që Pentagoni akuzohet se ka ndjekur këto politika. Në vitin 2005 u zbulua se një kompani e kontraktuar në Washington, “Lincoln Group” nxirrte shkrime të ndryshme në disa gazeta irakene, të cilat në fakt ishin shkruar nga ushtria amerikane.

Investigimi hedh dritë mbi një praktikë pune për qëllime të luftës dhe ushtrisë, por nuk ka asnjë të dhënë që të sjellë implikime me natyrë ligjore. Thjesht është një kontribut për të kuptuar shumëkush se duhet patur kujdes nga ata që shajnë amerikanët, por edhe nga ata që i mburrin shumë, pasi mund të jetë edhe ndonjë rreng që po luhet. Të kenë ardhur këto këshilla edhe në Shqipëri? 

 

http://labs.thebureauinvestigates.com/fake-news-and-false-flags/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.