Ëndra e sikletshme me Rivierën shqiptare

Postuar në 03 Tetor, 2016 23:01

Nuk e di sesi më zuri gjumi, apo m’u duk mua në ëndërr sikur më zuri gjumi dhe një ëndërr e sikletshme filloi. Pra duhet të ishte një ëndërr brenda ëndrrës, çfarë do të thotë se mund të ishte edhe një realitet i ëndërruar, apo në të kundërt dhe ca më keq, një ëndërr e realizuar, por në çdo rast e përçudmuar, siç mund të mos e dëshirojë një njeri i mirë si unë dhe biznesmen i zoti në këtë vend ëndrrash të llahtarshme e makabre! Zot na ruaj!

Unë po kaloja me veturën time në Bregdetin e Jonit, pra mu bë sikur po kaloja dhe – për habi – nuk po shikoja as edhe një makinë tjetër! Biles ca më keq, njerëz të tërë, pse jo të thuash, grumbuj-grumbuj prej tre-katër vetash, që po ecnin me këmbë në një udhë përgjatë malit, e cila pale se ku fillonte, e as dukej se kish fund. Gjithë kjo pamje jo normale më bëri të dyshoj se duhet të jem në ëndërr.

“Si ka mundësi”, po mendoja, “as edhe një makinë, por vetëm këmbësorë të shumtë, ngjitur malit përpjetë”?

 –Ç’është kjo? – i shpreha habinë shoferit tim, Tikut. (Në fakt ai e ka emrin Diku, mirpo me përkëdheli ia kam kthyer në Tiku). Pa marrë përgjigjen e tij të vonuar, vazhdova:

–Mos jemi gjë në ëndërr?

–Më duket se po! – e zvarriti përgjigjen shoferi, njëlloj si ato frenimet që po bënte sekondë e çast, në atë zbritje të qafës së Llogorasë.

 Unë ngrejta sytë të shoh atë panoramë të bukur që kisha parë sa herë qysh fëmijë, duke e drejtuar shikimin drejt horizontit blu, atje ku bluja e detit bashkohej me atë të qiellit. Me të dalluar se të dy blutë nuk kishin lëvizur prej vendit, patjetër prej miliona e miliona vjetësh, mbylla sytë i lehtësuar për të lëshuar atë pshehrëtimë kënaqësie, që kisha lëshuar përherë në atë gjerësi dhe gjatësi gjeografike, qysh fëmijë. Mirëpo pshehrëtima e kënaqësisë më ngeli në grykë, (si të më kishin mallkuar: të zëntë në grykë!), sepse ato gërvishtje të shumta mali në të majtë më vranë sytë.

Ç’djall është kjo, fërkova sytë, pa e kuptuar nëse i kisha hapur apo mbyllur qepallat, sepse as edhe nuk po e kuptoja ndjesinë time, nëse më pëlqente pamja apo jo, nëse ishte makabre apo e hijshme!

Hëm e do e hëm s’e do, i thonë një llafi!

–Tiku! – iu drejtova shoferit, që njëkohësisht ishte edhe miku im, si në ëndërr edhe në realitet, se helbete, merrte pagë të mirë nga unë. Tiku frenoi bram, dhe u kthye në gjysëm nga unë. Mi nguli sytë pa mi ndarë. Kuptova se kisha folur me zë të lartë, e ndoshta edhe e kisha tromaksur mikun tim në timon. Nuk e kuptoja gjendjen time, e ndoshta edhe sepse qepallat nuk arrisja t’i hapja më lart se gjysma e syve! Ndoshta dukesha me ato sy gjysmë të hapura si një Mefistofel! E ndoshta (për të qenë më i thjeshtë) dukesha një qëndisës, si një zonjushëz që rri me sytë poshtë e qëndis për vitet të tëra pajën e vet. Më shkonte! Në një farë forme unë isha edhe Mefistofel edhe qëndisës! Kisha aftësi tërheqje me hedhje krahu në qafë dhe... futjen e gishtit nga mbrapa! Për lezetim, kuptohet! Qëndisja në prapaskenë projekte biznesi, tjetërsim territoresh, deri dhe fate njerëzish!...Për mirë kuptohet...!

-Shef... diçka...deshët të thonit!...

Ah, po, - drejtova insiktivisht gishtin drejt vargmalit të zgavruar përgjatë gjithë faqes së tij. Çfarë kish bërë Perëndia dhe Natyra së bashku, ishte zhbërë! Pamje tej realitetit! Por nuk ishte ky problemi...

–Ja, ta tregoj unë! –dhe Tiku u kthye e nxorri dylbitë nga kasa e përparme e veturës. Po me shpejtësi u kthye sërish nga unë, dhe më zgjati shpikjen galilejane.

–Kompleksi ynë turistik është atje tej, shef...ja numëroni...

Braf, i përplasa dylbitë në sedilen ku gjindesha dhe vetë, duke bërë që sytë e shoferit tim të çkapërleheshin. Pa dashur mu hapën dhe mua qepallat, por kjo mund të ketë qenë edhe në ëndërr, siç besoj tani më mbrapa. Kjo hapje e mëtejshme e qepallave të mia, mi solli pak mendtë në vend, ndaj e përmbajta veten dhe e lëviza gishtin tim prej ciceroni pak më lart. Tiku nuk foli menjëherë, duket pa u siguruar se ç’gjë kisha në mendje unë, bosi i tij.

 –Ju ... me...ndoni... – dhe duke më imituar mua me gisht, Tiku priste që unë të vazhdoja me preokupimin tim. Mirëpo unë akoma nuk dija se ç’më preokuponte! Ato gërvishtje mali prej gjithë atyre resorteve turistike, njëri prej të cilve më përkiste mua, apo ata këmbësorë nëpër ato udhët e vogla, që po më dukeshin si milingona bezdisëse?!...

 - Dreqi e marrtë, - lëshova gjithë turfullim dhe kapa sërish dylbitë. Duke parë me vëmendje arrita të dalloj se dikush kish bërë një udhëz këmbësorësh me kalldrëm, mu afër majës. Si të kish dashur të çonte njerëzinë tek Perënditë e lashta e, kushedi, deri tek ato egjyptiane! Sepse vargu i njerëzve vazhdonte përgjatë gjithë Akeroundeve deri në pafundësi, drej jugut...deri në pamundësi të shihej...

-Çudi, -lëshova këtë fjalë të vetme dhe duke lëshuar edhe dylbitë pranë vetes, lëshova edhe vetveten në sediljen e komodshme. Tiku nisi veturën dhe ia nisi gramafonit. U hodh si fillim tek resorti ynë gjigand, e pastaj kaloi tek resortet e tjera, vetëkuptohet, të pakonkurueshëm këta me resortin tonë turistik, sipas Tikut. Duke dashur të më bënte qejfin akoma më shumë, më lëshoi sentencën e ditës:

-Dhe dëgjo shef!... Me të dëgjuar e kam!...Ti e di, Luanin e kam shok!...Është shoferi i gruas së kryeministrit!.. Po të lutem, ta mbash sekret, se po e nxorre ...

Unë vazhdoja ta ndiqja me qepallat gjysëm të hapura, si të isha në gjumë, e kushedi, edhe mund të isha vërtet dhe po shihja ëndërr ndërkohë më tha se kryeministri kishte qenë gati ta vendoste të vinte për të inauguruar resortin tonë, por tani që mendohet se ka ngjarë kjo që po shembet dhe po rrjedh...

Lëviza gjithë zhurmë në sedilen time sa Tiku u dha fund foljeve të tij të pafunda.

“Dreqi e marrtë”, thashë me vete, “gjithë këto folje patjetër që sjellin veprime dhe aktivitete ogurzeza”. Vura duart përpara syve gjithë dhe turp, gjithë inat, gjithë mosbesim. Biles edhe i gjithi i qarkuar nga një ndjenjë superticioze, se shenjat e liga nuk ishin larg nesh e ndoshta...ndoshta edhe do të na mundnin... do të na mbulonin. Në tru mu feks menjëherë edhe qëllimi i këtij udhëtimi të keq ëndërror, ose të thuash më mirë, qëllimi i kësaj ëndrre të keqe udhëtimi. Po shkonim tek resorti ynë i përfunduar turistik pikërisht për shkak të atyre shenjave të mallkuara që ishin dalluar. Atyre shenjave që ia bënin muu, shkruante ai artikull i mallkuar interneti. Dreq interneti! Shkruante kush të donte e çfarë të donte! Por jo për mirë, siç edhe e meritonte ajo punë gjigante që kishim bërë! E për të cilën pritej nga dita në ditë inagurimi, pasi ishte viti i tretë që u shërbenim njerëzve, por akoma nuk kishim bërë inagurimin final e madhështor. Sepse inagurime të vogla kishim bërë boll. Posi, më kujtohej, i kish dhënë edhe media! Se për atë punë ne edhe e paguanim. Apo mos ndoshta edhe e kemi bërë inagurimin e madh, vura dorën tek balli. E kisha humbur fare. Nuk po më kujtohej asgjë! Në shumë gëzime njeriu e humbet! E kushedi, mund të isha në ëndërr tani dhe ëndërroja për një inagurim të madh!... Urraa, buumm, ...

...Buum, kishim pësuar shembje në resortin tonë. Pëëshsh, kish dalë uji me shpërthim nga nëntoka aty në resortin tonë. Deri tani nuk kisha patur dyshimin më të vogël, se gjithë këto difekte duhet të kishin patur në prapaskenë akte sabotimi nga njerëz makutër, nga ata që pretendonin tokën aty ku ne ua kishim blerë të zotërve, në fakt! Që as na interesonte se kush ishte i zoti i vërtetë. Makinacionet i kishin bërë të tjerë më parë! Ne e dinim, se përpara atij resorti aq të madh e të bukur në parajsën e Bregdetit, njerëzit bëheshin cmirëzinj!

Dhe nisnin e shkruanin nëpër faqe interneti se kishim bërë zhveshje të gjelbërimit më shumë se sa kish qenë planifikuar në fillim, se merrnim ujë nga brendësia e malit më tepër nga sa na nevojitej, se nuk kishim bërë drenazhime dhe kanalizime pranë resortit tonë turistik, se kishim hapur puseta të panevojshme e të pabetonuara, se kishim hedhur shumë asfalt, pa qenë nevoja fare, se kishim bërë disa parkime të shëmtuara, se e kishim zhveshur malin si një prostitutë nga ato të filmave porno, se po e kthenim Bregdetin si pjesa tjetër e bregdetit shqiptar, e sa e sa të tjera shkruanin! Se kuptohet, në gazeta dhe televizione nuk guxonte njeri të shkruante e të thosh të tilla broçkulla. Kryeministri ynë artist e kish rregulluar muhabetin me mediat. Ato do ta shanin dhe do ta bënin qepaz pa i përmendur kurrfarë faktesh. Thjesht opinione pa fund, që mendja budalle e njerëzve dhe shpirti i tyre i zi të kënaqej e të binte në qetësi. Pas kësaj ne vazhdonim punën më se të sigurtë.

Ja, ky skenar vazhdonte gjatë gjithë këtyre 12 vjetëve të këtij kryeministri artist! E kam fjalën për oratorinë e tij, se sa për ndonjë punë artistike, nga të cilat unë isha i paditur, e biles isha aq i ndershëm sa ia kisha pohuar atij vetë në sy:

Zoti kryeministër, mos më pyesni mua për artin, por më pyesni për turizmin dhe investimet tona strategjike...”!

 Këtë fjalën e fundit unë e hidhja me kunj, sepse e dija ç’lloj startegjie kishte në punët tona. Ne fusnim njerëzit në punë dhe derdhnim taksat tona në xhepin shtetëror, ai na ofronte ombrellën e tij strategjike. Herë-herë ç’o ku vinin gjoja grupe pune për kontroll, ato të famshmet task force, me nja tre-katër kameramanë nga mbrapa, dhe na gjenin ndonjë pakujdesi të vogël, për të cilën gjoja bënin namin. Kjo i ngrente vlerat kryeministrit tonë në sytë e opinionit, sepse këto taske force vareshin të gjitha nga ai. Dhe ne, natyrisht përdornim në këto raste formulën e zakonshme të falenderimit dhe përmisimit të punës.

Hë më të keqen e artistit tonë strateg! Tri herë ishte zgjedhur në karriken kryministrore. Dhe tani që dukej si 70 e kusur vjeç, (e kishim plakur të shkretin, si ne investitorët, ashtu dhe ata brek-grisurit, që nuk i linin të paqëna pa i ngjitur), kish lënë të kuptohej se (gjoja) ai i fiqve do ia fuste gishtin! Helbete, ajo puna e fikut ishte pak me të futme! Po kush e hante, thuaj?! Futja ishte edhe nga inati, por edhe nga qejfi. Ishte edhe realisht, ishte edhe si në ëndërr!

–Nuk e kuptoj Tiku, - iu drejtova shoferit tim, -ç’janë ata që ecin atje lart!? Po më duket si në një ëndërr! – dhe buzëqesha, i sigurtë se Tiku më kish dalluar nga pasqyra që kish përpara syve. Dhe u pështeta edhe më mirë në sedilen e prapme, me sytë gjysëm të hapur.

–Aahhh, -vazhdoi Tiku me zë të ulur. Duket po kujtonte se unë po nisja të dremisja, ndërkohë që unë akoma po dyshoja për veten nëse po flija gjumë e po shikoja ëndërr të sikletshme, apo isha vërtet zgjuar dhe kisha përpara një realitet të përçudmuar

– Janë ata aksionistët vullnetarve, po e ke dëgjuar atë nismën e para tre-katër vjetëve!... Se ç’kanë bërë ca rrugina me kalldrëm, si për gjoja shëtitje turistësh! Turistë hesapi thuaj! Ja, disa prej këtyne rruginave zbresin me zikzake poshtë nëpër fshatra... Ja, shikoje atje....

–Shëtitje!? Turistë, the!? Ku, në majë të malit!? Ha, ha, ha – më doli një e qeshur e pavetëdijshme, sa e hidhur aq edhe ironike.

 –Ha, ha, ha, -nuk më mbante e qeshura!

–Turistë me kalldrëm!

Ha, ha, ha, oshëtinte vetura ime, ha-ha-ha buçiste koka ime, ha-ha-ha, ulërinte ëndrra ime e përçudnuar.

 

Shkrimi është dërguar në adresën elektronik të ResPublica nën autorësinë P.K.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.