Kërcënime reciproke dhe tone lufte mes SHBA-së dhe Rusisë për krizën siriane. Aludime për sulme terroriste në Rusi

Postuar në 01 Tetor, 2016 23:31

Dështimi armëpushimit në Siri dhe rinisja e sulmeve tokësore dhe ajrore në Halep ka sjellë acarimin e marrëdhënieve ruso – amerikane drejt një pike të paprecedentë në këto dekada. Agjencia ruse e lajmeve, “Sputnik”, pararoja e propagandës ruse, citon një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby, bërë gjatë një konference me mediat të mërkurën. Kirby ka përsëritur kërkesën për bashkëpunim me SHBA-të, pasi përndryshe siç bëri të ditur ai, pasojat do të jenë të rënda.

Pasojat janë që lufta civile do të vazhdojë në Siri, ekstremistët dhe grupet ekstremiste do të vazhdojnë të shfrytëzojnë boshllëkun që ekziston në Siri për të zgjeruar operacionet e tyre, të cilat do të përfshijnë, pa dyshim, sulmet kundër interesave ruse, ndoshta edhe qytete ruse, dhe Rusia do të vazhdojë të dërgojë trupa në arkivol në Rusi dhe ata do të vazhdojnë të humbasin burime e ndoshta edhe avionë”, tha Kirby. Këto deklarata pasojnë prishjen e një ekulibri që u mendua se u arrit me marrëveshjen Kerry – Lavrov.

Sot që flasim raportohen disa përparime të ushtrisë siriane në Halep i cili ndodhet i rrethuar. Forcat opozitare, përfshirë grupin terrorist Jhabat al Nusra, që sot quhet Jabhat Fateh al-Sham kanë pranuar mbështetjen amerikane, por sipas kreut të Nusras, Abu Al Ezz, ajo vjen si ndihmë e dhënë për shtete të cilat mbështesin operacionet kundër regjimit të Bashar al Assad. Kjo e Kirbyt të kujton atë që u ndodhi trupave sovjetike në Afganistan, të cilat u vunë në vështirësi të madhe nga muxhahedinët që mbështeteshin nga Arabia Saudite, SHBA dhe Pakistani. Përfundimet e asaj lufte dihen, por ka shumë pak gjasa që Vladimir Putin të urdhërojë tani tërheqjen. Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov deklaroi se “ne jemi të mirëinformuar se ku në Siri dhe në Halep dhe saktësisht sa specialistë “të panjohur” janë të angazhuar në planifikimin operacional dhe komandimin e grupeve militante”. Një gjuhë që i kujton amerikanëve se loja e deritanishme me mbështetje të padukshme për grupe që zyrtarisht klasifikohen si terroriste është zbuluar.

Këtyre fërkimeve që po dalin në sipërfaqe në formën e një përplasjeje mes dy fuqive të mëdha ushtarake, SHBA dhe Rusisë, u shtohet edhe analiza strategjike që bëhet në të dyja vendet e cila nuk po përjashton më fjalën Luftë. Në një opinion të publikuar në “The Washington Post” më datë 28 shtator, Philip Gordon, ish-koordinatori i presidentit Barack Obama për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, shkruan se: “Rusia nuk mund të fitojë në Siri”. Duke vlerësuar se marrëveshja e armëpushimit i jepte Putinit një mundësi për fitore të pastër – një dhuratë kjo që nuk dihet pse u bë nga SHBA – Gordon kthen faqen drejt opsioneve ushtarake:

Rusia dhe Assad nuk mund të fitojnë, edhe me një fushatë masive bombardimi. Pas pesë vjetësh lufte dhe humbjen e më shumë se 100 mijë ushtarëe dhe luftëtarëve të milicisë, regjimi i Assad nuk ka burimet njerëzore të rimarrë dhe kontrollojë territoret e të gjithë Sirisë. Siria mbetet një vend me shumicë sunite dhe shumë prej kësja popullsie do të vijojë të luftojë kundër regjimit mbështetur dhe armatosur nga sauditët, turqit dhe Katari...Putin bën mirë të mendojë për përvojën ruse në Afganistan. Masakrat e Putinit ndaj civilëve në Rusi mundet shumë mirë të sjellin si pasojë sulme terroriste kundër rusëve nga myslimanë të irrituar nga veprimet ruse”, shkruan ai. Një paragraf që është parlajmërim dhe kërcënim. Ai vazhdon më tej me pasojat ekonomike mbi Rusinë, por në finale ish-zyrtari amerikan nënvizon se Presidenti rus duhet të bëjë llogaritë edhe me kundërpërgjigjen e SHBA.

“Në skenarin më të mundshëm ku Clinton bëhet presidente e SHBA-së, Putin mund të përballet me një lidere që për një kohë të gjatë ka mbështetur krijimin e zonave të ndalim fluturimit në Siri dhe dhënien e ndihmës për opozitën...”, vijon Gordon(https://www.washingtonpost.com/news/global-opinions/wp/2016/09/28/putin-...).

Sa për idenë e Clinton për ndalim fluturimin në Siri, ky është në opsion që për ushtarakët amerikanë përkthehet në luftë me Rusinë dhe Damaskun. Kështu shefi i Shtabeve të Bashkuara të ushtrisë amerikane, Joseph Dunford, deklaroi para Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura se kontrolli i hapësirës ajrore të Sirisë, ose ndryshe “no fly zone” siç e quan Clinton, do të thoshte luftë me Rusinë dhe Sirinë. Ai u pyet nga senatori republikan Roger Wicker i cili e konsideronte opsionin e kontrollit ajror si një mënyrë për të ndaluar suksesin e operacioneve ajrore ruso-siriane mbi Halep.

Duket se gjithçka do të marrrë udhë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Nëse Halepi bie, atëherë edhe opsioni i ndarjes së Sirisë, siç aludohet nga ish-ndihmësi i Obamës, Gordon, reduktohet, pasi në tryezë do të vendosë pozicioni i fituar në terren. Por është e qartë se fati i Sirisë për Perëndimin është ai i një shteti që duhet dirigjuar nga sunitët, që do të thotë në fakt i rishikuar në planin territorial.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.