Luftë propagandistike për Halepin. Ushtria siriane në ofensivë të gjithanshme

Postuar në 26 Shtator, 2016 23:36

Pas përballjes së ashpër dhe akuzave për krime lufte në Këshillin e Sigurimit në OKB, Rusia dhe Perëndimi kanë vijuar kundërshtitë edhe në frontin mediatik. Agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” ka shpërndarë sot një video që tregon sipas saj “rikthimin e jetës në zonat e Halepit të çliruara nga ushtria siriane”. Në videon e regjistruar në lagjen Ramouseh duken dyqane të hapura, njëfarë rregulli urban dhe njerëz apo makina që qarkullojnë.

Ramouseh u çlirua tri javë më parë dhe sipas agjencisë shtetërore ruse, “Tass”, xhenierët kanë hyrë shpejt në veprim për të bërë pastrimet e nevojshme. “Tass” ka theksuar se “ndihmat humanitare me ushqime dhe ilaçe kalojnë për në Halep përmes Ramouseh”, një aludim ky që synon të neutralizojë akuzat për bombardimin e konvoit të OKB-së pak ditë më parë.

Tjetër panoramë japin dy nga mediat kryesore në Perëndim, BBC-ja dhe CNN. Raportimi i tyre përqendrohet te bombardimet masive mbi Halep, në zonat që ende kontrollohen nga rebelët, ndërkohë që raportohet se ushtria siriane ka nisur një ofensivë të madhe. BBC-ja jep edhe pamje të asaj që ngjan si krater i një bombe anti bunker, përdorimi i të cilave në zona civile konsiderohet krim. Po kështu banorët e marrë në prononcim ankohen për sulme ajrore të vazhdueshme, ndërkohë që BBC nënvizon se mbyllja e rrethimit për 250 mijë banorë nga ushtria siriane, është bërë me ndihmën e milicisë së mbështetur nga iranianët dhe nga mbështetja ajrore ruse.

Është e qartë se një luftë e shfrenuar propagandistike po zhvillohet, gjithnjë duke relativizuar arritjet e palëve të përfshira. Askush nuk jep dot një parashikim sesi mund të ecin ngjarjet, por nga sa perceptohet mësymja ushtarake e Damaskut herët apo vonë do ta bëjë punën e vet, në kushtet kur Rusia është përfshirë direkt dhe Perëndimi ndodhet në një situatë kur nuk mund të ndërhyjë në Halep veçse duke mbështetur rebelët. Rënia e Halepit në duart e ushtrisë siriane, çka ngjan se do të ndodhë do të ishte goditje e fortë për objektivat e SHBA-së dhe partnerëve të vet, edhe pse mund të rikthente një paqe relative në Siri, si pasojë e një ekuilibri të ri në terren.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.