Kur fundamentalismi del kundër radikalizmit

Postuar në 23 Shtator, 2016 13:27
Leonard Mitro

Nga qeveria vijnë predikime kundër radikalizmit politik në një kohë kur shumica demonstron pa skrupuj fundamentalismin e saj në raport me interesin publik. Kështu shkëlqesia e tij, Ilir Meta, kërkoi që politika të marrë shembull nga toleranca fetare. Është e tepërt që një parti si LSI të predikojë standarde mirëkuptimi dhe prosperiteti, aq më tepër këtë moral ta bëjë nga pozitat e pushtetit. Jo më shumë se një muaj më parë Ilir Meta në kushtet e humbjes së  qetësisë dhe frikes kërcënoi nga kryesia e Kuvendit, pra nga një zyrë shtetërore, me destabilizim të vendit i trembur dukshëm nga perspektiva e burgut. Pra për interesat e tij personale Ilir Meta do çonte Shqipërinë drejt destabilizimit. Dhe sot ky lloj fundamentalisti qesharak predikon leksione kundër radikalizmit politik.

 Ai është edhe pjesë e një qeverie fundamentaliste, e cila në shkelje të çdo lloj principi miraton një ligj si ai i mbetjeve, të cilin e ka kundërshtuar me forcë kur ishte në opozitë me argumentin se ishte një ligj i sponsorizuar nga mafia. Shou i firmosjes së shfuqizimit të ligjit më pas i dha formë edhe më bizarre këtij fundamentalismi.

 Kjo qeveri e filloi punën me shpërthime tritoli duke shembur disa ndërtesa në emër të luftës kundër paligjshmërinë dhe kontrollit të territorit. Dha shembullin sesi paligjshmëria justifikon terrorizmin e qeverisë. Shou live me tritol dhe tym, duke vepruar në të njëjtën mënyrë si grupet kriminale. Me pak fjalë një model Julian Sinani në politikë. A është ky fundamentalisëm?

Para pak ditësh një grua në muajin e nëntë të shtatzënisë humbi jetën bashkë me foshnjën sepse sistemi fundamentalist i shëndetësisë me para nën dorë e vrau me ndërgjegje. Krimi u konsumua në QSUT dhe askush nuk mbajti asnjë përgjegjësi. A është ky fundamentalisëm?

Deri para pak muajsh LSI kishte në zyrën e shtetit trafikantin me të madh të drogës që drejtonte një agjenci shtetërore si Drejtoria e Transporteve dhe policia nuk  i preku dot asnjë fije. Klement Balili iku me bekimin e LSI-se dhe qeverisë. A është ky fundamentalisëm?  Në Landfillit e Sharrës u masakrua nga bulldozeri I një firmë private një 17 vjeçar. Pronari i firmës që punësonte minorenë në të zezë u zhduk. Ky ishte kryetar i Partisë Socialiste të Peqinit, partisë në pushtet, që e pamë të dilte në krah të Erion Veliajt si mirë menaxhuar i Sharrës. A është ky fundamentalizëm?

Si do mundet një qeveri fundamentaliste si kjo të luftojë radikalizmi dhe aq më tepër Ilir Meta. Shaka të zeza këto në ditë të zeza.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.