Heshtja e ambasadorokracisë dhe besëprerët e plehrave

Postuar në 22 Shtator, 2016 10:53

Vendimi kontravers i qeverisë për të rikthyer importin e plehrave është besëprerje ndaj zgjedhësve. Kështu komenton për gazetën “Shekulli” Agron Alibali projektligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve që i propozohet për miratim kuvendit nga mazhoranca që  4 vite më parë e ktheu në kalë të betejës së betejës së saj opozitare.

Në artikull theksohet edhe heshtja e ambasadorëve për një ligj të tillë që ka ngjallur reagimin e disa shoqatave ambjentaliste dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

“Politikanët u dhanë fjalën zgjedhësve të tyre: nëse vijmë në pushtet nuk do lejojmë importin e mbetjeve.  Në këmbim, ato morën votën, dhe pra pushtetin. Tre vjet më pas, kjo kontratë detyruese me popullin, me zgjedhësit, nuk mund të mohohet dhe as të hidhet në shportë.

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka as legjitimitetin dhe as të drejtën morale për të anashkaluar vullnetin popullor. Shumica e Kuvendit u zgjodh bazuar në premtimin për të ndaluar importin e mbetjeve. Ajo nuk mund të legjitimohet për të vepruar jashtë dëshirës së votuesve. Po ashtu, një Kuvendi, të cilit i kanë mbetur më pak se 300 ditë punë nuk mund të marrë vendime për çështje madhore që sjellin efekte përtej mandatit të vet.

Më e pakta që duhet të bëjnë deputetët e ndërgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë është që vendimmarrjen për këtë çështje t’ia  kthejnë sovranit populll. Le të shprehen vetë shqiptarët me referendum nëse i duan apo jo plehrat apo mbetjet e Europës në vendin e tyre. Le të hapet një debat i gjerë e demokratik në popull për këtë problem, ku natyrisht, të drejtën e fjalës dhe argumentimit ta kenë edhe përfaqësuesit e industrisë ricikluese.

Megjithatë, nuk mund të mos vërejmë “heshtjen” e ambasadorokracisë në këtë debat me rëndësi thelbësore për fatet e Shqipërisë. Është e pakuptueshme se si ndonjë ambasador, që ishte tejet i shqetësuar për pastërtinë e sistemit të drejtësisë në vend, nuk ndihet fare për rrezikun që i kanoset këtij vendi nga plehrat dhe mbetjet “jo të rrezikshme”. Mirëpo më mirë që ndodh kështu. Ndoshta është kuptuar nga përfaqësues të ambasadorokracisë, se ajo që ndodhi natën e 21 korrikut në vendin e vogël të shqiptarëve me ndryshimin me urgjencë të 1/3 të Kushtetutës së vendit, nuk përben as sukses, dhe as meritë.

Nëse vërtet Kuvendi i Shqipërisë e pret popullin shqiptar në besë, dhe nuk i hap rrugë referendumit, por miraton me ligj atë që ndaloi tre vjet më parë, atëhere mund të lindë nevoja që Gjykata Kushtetuese të vihet sërish në lëvizje për të mbrojtur Kushtetutën, demokracinë në kuptimin e mirëfilltë të saj, dhe rendin kushtetues në vend”-shkruan Alibali për Shekullin.

*Artikulli është marrë me shkurtime dhe titulli është redaksional

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.