Jemi në luftë, por jo në luftë fetare

Postuar në 21 Shtator, 2016 06:05

Sociologu polak Zygmunt Bauman ka dhënë një intervistë për gazetën italiane, “Avvenire” ku flet për situatën e tanishme, luftën ku  ndodhet shoqëria si dhe keqkuptimet e saj. Frika është sipas Bauman burimi i këtyre që ndodhin, por një frikë “e pashprehur dhe e keqkuptuar”, e cila ushqehet  te religjioni dhe imigracioni, si dy teza politike të ditës.  

Profesor, intuita juaj mbi postmodernizmin e paqëndrueshëm vijon të ofrojë një vështrim të qartë mbi kohën e sotme. Dhe në këtë paqëndrueshmëri po regjistrohen shpërthime të nacionalizmit, apo identiteteve religjoze. Si shpjegohet kjo?

Ta fillojmë nga problemi i luftës. Bota jonë bashkëkohore nuk përjeton një luftë organike, por të fragmentarizuar. Luftëra interesash, për para, për burime, për të qeverisur mbi kombet. Nuk e quaj luftë fetare, janë të tjerë ata që duan që të jetë e tillë. Nuk u përkas atyre që duan të besojnë se kjo është një luftë mes feve. Nuk e quaj as kështu. Duhet të jesh i kujdesshëm për të mos u tërhequr nga mentaliteti i kohës. Veçanërisht nga ai mentalitet që prezantohet nga politologu i radhës, nga mediat, nga ata që duan të fitojnë konsensus, duke thënë kështu atë që ata donin të dëgjonin.

Ju e dini mirë se në një botë të kapluar nga frika, kjo e penetron shoqërinë. Frika i ka rrënjët e veta në pasigurinë dhe ankthin e njerëzve dhe ndonëse kemi arritur një mirëqenie të madhe, jetojmë me një frikë po kaq të madhe. Frika e humbjes së pozitës. Njerëzit kanë frikë që të kenë frikë, edhe pa dhënë një shpjegim për motivet. Dhe kjo frikë kaq e lëvizshme, e fshehur, që nuk arrin të shpjegojë burimin e vet, është një kapital i paçmuar për të gjithë ata që duan të shfrytëzojnë për motive politike apo tregëtare.  Të flasësh në këtë mënyrë për luftërat dhe luftërat e feve është thjesht një nga ofertat e tregut.

Frikës së luftërave fetare i bashkohet ajo e migracionit. Vetëm pak vite më parë Umberto Eco thoshte se për atë që donte të kapitalizonte frikën e njerëzve, problemi i emigracionit ishte shfaqur si një dhuratë nga qielli...

Po kështu është. Luftërat fetare dhe ato të imigracionit janë emra të ndryshëm të përdorur sot për të shfrytëzuar këtë frikë sipërfaqësore e të pasigurtë, të shprehur keq dhe të keqkuptuar. Dhe këtu po bëjmë në fakt një gabim ekzistencial, duke ngatërruar dy fenomene të ndryshëm:

një është fenomeni migrimeve dhe tjetri është fenomeni i imigracionit siç ka vërejtur Umberto Eco. Nuk janë i njëjti fenomen, janë dy të ndryshëm.

Imigracioni është një bashkëudhëtar i historisë moderne, shtetit modern, formimi i shtetit madje është edhe një histori imigracioni. Kapitali ka nevojë për punë dhe puna ka nevojë për kapitalin. Migrimet nga ana tjetër janë diçka e ndryshme, është një proces që nuk mund të kontrollohet, që ndjek fillin e vet.

Si mendoni se mund të gjendet ekuilibri mes këtyre dy fenomeneve?

Zgjdhja e ofruar nga qeveritë është ajo e shtrëngimit të lakut të mundësisë së imigracionit. Por shoqëria jonë tashmë është në mënyrë të pakthyeshme kozmopolite, multikulturale dhe multifetare. Sociologu Ulrich Bek thotë se jetojmë në një gjendje kozmopolite të ndërvarësisë dhe shkëmbimit në nivel planetar, por as nuk kemi nisur që të zhvillojmë vetëdijen për këtë gjë. E menaxhojmë këtë moment me instrumentet e parardhësve tanë...është një kurth, një sfidë për t’u përballuar. Nuk mund të kthehemi pas e të ikim për të jetuar bashkë.

Si  mund të kryhet integrimi pa rritur armiqësinë, pa i ndarë popujt?

Është pyetja themelore e epokës sonë. Nuk mund të mohohet se jemi në gjendje lufte dhe me gjasë kjo luftë do të jetë edhe e gjatë. Por  e ardhmja jonë nuk është e ndërtuar nga ata që prezantohen si  “të fortë”  që ofrojnë dhe sugjerojnë zgjidhje në dukje të menjëhershme, njësoj si të ndërtosh një mur p.sh.. I vetmi personalitet bashkëkohës që i shtyn përpara këto çështje me realizëm dhe që i çon te çdo njeri është Papa Françesku. Në fjalimin e tij drejtuar Europës ai flet për dialogun e nevojshëm për të rindërtuar matricën e shoqërisë, të shpërndarjes së barabartë të fruteve të tokës dhe të punës, që të mos përfaqësojnë si të tilla bamirësi, por një detyrim moral. Kalimin nga një ekonomi e pastabilizuar në një pozicion që lejon shfrytëzim të tokës me punë. Për një kulturë që e privilegjon dialogun ai pjesë përbërëse e arsimit. Të bëhet kujdes, e përsërit: dialog – arsim.

 

Me shkurtime nga “Avvenire”(http://www.avvenire.it/Chiesa/Pagine/Parliamoci-vera-rivoluzione-cultura...)

Përkthimi: ResPublica

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.