Trekëndëshi Meta-Rama-Idrizi dhe 2017-ta

Postuar në 16 Shtator, 2016 23:22
Eduard Zaloshnja

Lulzim Basha e nisi fushatën e zgjedhjeve në Dibër me objektivin e deklaruar politik të fillimit të marshimit elektoral drejt marrjes së pushtetit në zgjedhjet e 2017-ës. Ndërsa Rama e nisi me objektivin e padeklaruar politik të arritjes së suksesit vetëm me ndihmën e PDIU-së dhe pa ndihmën e LSI-së. Siç dihet tashmë, Basha nuk e realizoi objektivin e tij në Dibër, ndërsa Rama e realizoi.

Por a mund të quhet Dibra një provë e koalicionit “Rama-Idrizi” (pa Metën), që mund të vlejë për zgjedhjet e përgjithshme?

Qysh kur u shkëput nga PS-ja, LSI-ja ka treguar se është një parti që merr vota në të gjithë territorin e vendit, e jo vetëm në Skrapar (pavarsisht se u etiketua atëherë nga Nano si “Lëvizja e Skraparllinjve të Inatosur”). Duke filluar nga 2005-sa, ajo ka qenë praktikisht përcaktuese e emrit të kryeministrit të vendit dhe të kryebashkiakut të Tiranës.

Nga ana tjetër, PDIU-ja lindi nga shoqata Çamëria, për të vazhduar në parlament betejën për vënien në vend të së drejtës për popullsinë martire çame. Por që kur në krye të saj erdhi Shpëtim Idrizi, partia e ndryshoi profilin, duke u kthyer nga parti e fokusuar në problemet e një komuniteti, në parti me shtrirje kombëtare (në zgjedhjet e 2011-ës, fjala vjen, mori 400 vota në Tropojë). Sidoqoftë, deri në zgjedhjet e vjetshme, ajo ka arritur të ketë deputetë apo kryebashkiakë që përfaqësojnë vetëm zona ku ka përqendrim të lartë të komunitetit çam.

Por në zgjedhjet e së djelës në Dibër, PDIU-ja tregoi se është në gjendje të përcaktojë fituesin. Në kushtet kur LSI-ja bëri një fushatë fare të vakët në Dibër, PDIU-ja mobilizoi gjithë burimet e saj njerzore për siguruar fitoren e kandidatit socialist. Jo më kot, Damian Gjiknuri, drejtuesi socialist i fushatës së Dibrës, falenderoi në mënyrë të veçantë PDIU-në për atë fitore. Ndërkohë, eksponetë socialistë me peshë më të vogël politike u ankuan për fushatën e vakët të LSI-së.

Pas fitores në Dibër, jo pak socialistë po diskutojnë (jo publikisht) për një koalicion parazgjedhor të udhëhequr nga PS-ja dhe PDIU-ja, pa përfshirë LSI-në. Disa madje më kanë kontaktuar, duke iu referuar një shkrimi tim të para dy javëve (http://www.respublica.al/2016/09/05/afrimi-rama-idrizi-dhe-llogarit%C3%AB-elektorale ). Në atë artikull shkruaja:

“Duke presupozuar se partitë do t’i ruajnë votat që morën më 2013, koalicioni Rama-Idrizi-etj (por pa PBDNJ-në, e cila nuk pranon të jetë në koalicion me PDIU-në) do të merrte 850 mijë vota; koalicioni Berisha-Basha-etj (plus PBDNJ-në) do të merrte 650 mijë vota; dhe LSI-ja 180 mijë vota. Përkthyer në mandate parlamentare, do të kishim këtë ndarje 70-56-14.”

Sipas socialistëve që më kanë kontaktuar, Dibra tregoi se koalicioni Rama-Idrizi-etj (pa LSI-në) mund të marrë më shumë se 70 mandatet që përcakton llogaritja e mësipërme. Por a na e tregon vërtet Dibra këtë gjë?

Së pari, LSI-ja vërtet mund të mos ketë dhënë ndihmë për fitoren e “së majtës”  në Dibër, por as nuk punoi hapur kundër saj – siç punoi, fjala vjen, në Tiranën e 2011-ës. Nëse LSI-ja do të kishte dalë nga koalicioni qeverisës gjatë turbullirave të verës që sapo kaloi, puna e saj për fitoren e Sherefedin Shehut do të kishte qenë ndoshta më e fortë se sa puna për fitoren e Lulzim Bashës më 2011.

Së dyti, PDIU-ja i përqendroi të gjithë deputetët dhe përkrahësit e saj në Dibër para një jave, por në zgjedhjet e përgjithshme, secili deputet dhe përkrahësit e tyre do të punojnë në qarqet e veta. Dhe duke u shpërndarë secili në qarkun e vet, ata mund të mos jenë në gjendje të ndikojnë në rezultatin e koalicionit në mënyrë të ngjashme me Dibrën.

Ndoshta duke patur këto llogari në mendje, Rama i këshilloi të tijët (sipas raportimeve në media) që të mos i kapë euforia nga rezultati i Dibrës. Dhe pak ditë më vonë, Ministri Ditmir Bushati deklaroi në “Debatin” e Roland Qafokut se “Ilir Meta është kandidat i fortë për President, por kjo varet nga Meta, nga koalicioni, nga votat në Parlament”. Sipas Bushatit, “një njeri që ka qenë Kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Ekonomisë, kryetar Parlamenti, kur lexon CV dhe sheh kontributin, ai është një kandidat i fortë për President”. Ndërsa deputeti socialist Arben Çuko deklaroi në Report TV se “nëse Ilir Meta do të shkonte në presidencë, do ta lehtësonte rrugën e së majtës në pushtet”

A po mendon Rama që ta afrojë më tepër Idrizin dhe që ta largojë butë Metën nga beteja elektorale e 2017-ës, pa e bërë armik atë?

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.