Kisha në oborrin e UP-së dhe Katedralja në Prishtinë, ndërtime politike?

Postuar në 15 Shtator, 2016 22:21
Gëzim Mekuli

Është ndoshta një krahasim i rreptë e i pavend për shumëkënd por, që të dyja janë arkitektura ideologjike e politike. PIKË!

Çetnikët serbë ndërtuan dhe falsifikuan shumë kisha, ikona e afreske shqiptare. Kjo dihet tanimë. Ama ndërtimi i Katedrales në Prishtinë, në një farë mënyre “e arsyetoi”, e “shtetëzoi” dhe e “ndihmoi”, ndërtimin e Kishës ortodokse serbe në “trurin” e shqiptarëve.

Çetnikët serbë nëpërmjet fuqisë politike që kanë, janë në ofensivë. Dhe fitues! E përse janë në ofensivë e fitues, do pyesnit juve? Ja, po ua them unë: Ndërtimi i Katedrales shqiptare e “arsyeton” edhe vazhdimin e punëve të Kishës serbe. Kjo, sepse fillimisht është bërë gabim i madh politik e ideologjik që në momentin kur filloj ndërtimi i Katedrales shqiptare; Edhe kjo u ndërtua me probleme. Politika jonë “nuk kishte mundësi të shihte pas bregut”...

Ndërtimi, apo gara për ta “fetarizuar” kombin shqiptar doli si një fotokopje e paqëllimtë e politikave serbe. Që nga dr. Rugova e këndej ne e keqkopjuam “filozofinë fetare të shtetit serb” dhe, tani kjo “fotokopje” po u kthehet shqiptarëve si bumerang: Pse? Sepse gara për “fetarizimin” e Kosovës e të kombit akoma s’ka mbaruar. Janë shumë aktorë politikë që do të tregojnë “muskulin fetarë”.... Ato i kemi të instaluar edhe në pushtet e edhe në media....

 “Xhamizimi”, “kishëzimi” dhe “katedralëzimi” i hapësirës sonë publike po ndodhë...

Po ndodhë sepse nuk ka guxim politik, e as qytetar që kësaj pune të porositur t’i thuhet “ndal”, apo të paktën “pusho”.

Pushtetit i përshtatet “fetarizimi jashtëkulturor” i kombit. Këtë e di edhe Noka im por, mua me befason mosguximi dhe heshtja mortore e intelektualit, belbëzimi i akademisë dhe moskritika e opozitës për këto çështje sa të rëndësishme e aq edhe kërcënuese e serioze për kombin shqiptar. Frika nga humbja e votës dhe e vendit të punës po trimëron fetarizuesit e kombit....



Të nderuar lexues,

Kisha politike, Katedralja politike dhe Xhamia politike janë mjet në duar të parapolitikës. Këto simbole kinse fetare nuk përkojnë me identitetin dhe me kulturën shqiptare. Këto janë importime nga kulturat e huaja. Fatkeqësisht këto ndërtime politike, te porositura nga jashtë, janë tregues se shqiptaret dhe serbet po tentojnë të bëjnë zgjidhje të problemeve politike e sociale sipas kodeve të kulturës mesjetare. E ky mesjetarizëm nuk ndodhe në Gjermani e as ne Norvegji, me besoni.



Te nderuar klerikë fetarë,

Këto ndërtime (politike) me shume po i bëjnë shërbime “dreqit” sesa “engjëjve”.

Ata të cilët kanë lexuar librin e Noam Malcomit, “Kosovo/ Kosova... ata e dinë mirë se cila ishte porosia e autorit. E ne po e bëjmë atë që ai e kishte parashikuar; Kosova asnjanëse! As e “atyre” e as e “juaja!”



Ndërtoni kisha, katedrale e xhamia, po, ndërtoni dhe i trashëgofshi. Hajrin ua pafshit. Por ndërtimi i tyre të jetë bazuar ne nevoja, shërbime, humanizëm dhe në kërkesa të shoqërisë, jo sipas kërkesave të “atyre atje larg” e “për dreqin” këtu afër.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.