Çfarë do të bëjë PD-ja në zgjedhjet e vitit 2017?

Postuar në 15 Shtator, 2016 12:13

Partia Demokratike nuk ka ende një qëndrim zyrtar mbi zgjedhjet në Dibër. Nuk ka një dokument analize për shkaqet e humbjes në një proces zgjedhor i cilia paralelisht po hetohet nga Prokuroria e Dibrës. Kjo do kohën e vet(edhe pse çarja e votës mes të demokratëve është realitet me peshë në Dibër).

Por zërat e dalë prej saj flasin për një adoptim të qëndrimit politik që e sheh procesin zgjedhor në Dibër si të inkriminuar nga blerja e votës, nga presioni i gjithanshëm kriminal i njerëzve të krimit të lidhur me politikën. Këto e bëjnë procesin një ngjarje të jashtëzakonshme për funksionimin e një procesi jetik si zgjedhjet dhe ushtrimin e lirë të një të drejte si vota. Duke marrë të mirëqenë tanimë faktin se PD-ja nuk do të njohë asnjë përgjegjësi për humbjen, mundet të shtrojmë qysh pyetjen: a do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 PD-ja?

Ajo po flet për një situatë emergjente kriminalizimi, ndërkohë që garancia e zgjedhjeve janë: vullneti politik, ligjet dhe institucionet. Në kushtet kur për opozitën këto janë skualifikuar si faktorë pozitivë, cila është garancia që do të kërkojë opozita për zgjedhjet? Kemi të bëjmë me një subjekt politik që përdori shumë si argument sovranitetin në diskutimin për reformën në drejtësi, kështu që do të ishte paradoksale dhe kundërproduktive që PD-ja të kërkojë survejim dhe administrim ndërkombëtar të zgjedhjeve. Një tjetër mundësi është ndryshimi i qeverisë dhe kalimi në qeverinë teknike pse siç na thotë PD-ja “nuk ka zgjedhje të lira me Edi Ramën”. Mirëpo kjo mundësi ishte reale me një manovër të LSI-së në verë pasi përndryshe nuk ka shanse për ta arritur këtë objektiv. Rezultati në Dibër e kushtëzon shumë edhe Ilir Metën për një largim të argumentuar nga koalicioni që po konfirmohet fitues, ndonëse si i tillë i ul atij peshën.

PD-ja mbetet pra përballë një koalicioni që numerikisht e superon, por edhe përballë retorikës së vet dhe shqetësimeve të ngritura për integritetin e zgjedhjeve, për të cilat ngjan se kërkon garanci ekstra nga ato që ofron sot ligji. Dhe këto garanci nuk ka mjetet politike për t’i imponuar, pa folur këtu nëse arrin të fitojë apo jo. Jemi në një situatë analoge me vitin 2001 kur Sali Berisha dokumentoi problemet në zgjedhje dhe arriti të ndërkombëtarizonte shqetësimet e tij. Por sot BE-ja që po mbyll sytë përpara hashashit me licençë qeveritare në Shqipëri, vështirë se ka kohë dhe dëshirë të vazhdojë të dëgjojë të njëjtat probleme nga Shqipëria. Siç po duket, Edi Rama me vendimin për muxhahedinët dhe me diplomacinë lajle lule me Serbinë, si gjoja moderues dhe paqëtues në rajon, e ka mbyllur derën e një angazhimi serioz nga Brukseli apo nga Uashintoni.

Çfarë do të bëjë opozita në këto kushte? Ja një pyetje e cila kërkon përgjigje imediate. Një pyetje e cila merret gjithsesi vetëm me kushtëzimet që paralajmëron PD-ja, të cilat, si të pamundshme për t’u arritur, mundet edhe të shërbejnë nesër si alibia postzgjedhore. Kjo edhe për arsye se në Shqipëri mungojnë sondazhet e besueshme. Në çdo rast, opozita ka me vete realitetin shqetësues të drogës dhe krimit si pjesëmarrës në zgjedhjet shqiptar. Do të mbetet për t’u parë nëse ajo do të synojë korrigjimin dhe goditjen e këtij realiteti, apo thjesht instrumentalizimin e tij që e ndihmon në shmangien e përgjegjësive.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.