Loja me matrushkat ruse në zgjedhjen e kandidatëve për universitet

Postuar në 14 Shtator, 2016 12:21
Valbona Nathanaili/Drejtore e botimeve UET Press

Pavarësisht ankesave të shumta që vijnë nga të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në një program të arsimit të lartë gjatë vitit akademik 2016-2017, qeveria, me një kokëfortësi të habitshme, shoqëruar me justifikime që nuk do i bënin nder as edhe një diletanti, mbron sistemin e përzgjedhjes.

Sistemi i vendosur, - përpos defekteve të konstatuara në të gjithë fazat e tij, ka edhe një të fundit, numrin e madh të preferencave që kanë kandidatët. Çdo kandidat zgjedh 10 programe studimi. Ky numër zgjedhjesh, që në vështrim të parë është mundësi për më shumë, e shndërron mundësinë në absurditet, ndërsa vetë kandidatët, me frikën se mund të humbin të drejtën e studimit, të zgjedhin jo më në bazë të dëshirës dhe të talentit, por të probabilitetit për të fituar. Nga ana tjetër, një numër kaq i madh preferencash, bllokon, në çdo raund, 90% të numrit të vendeve bosh të mbetura në programet e studimit. E thënë ndryshe, përzgjedhja i ngjan lojës me matrushkat ruse: nga raundi në raund plotësohet 10% numrit të vendeve të mbetura bosh nga raundi i mëparshëm (shih në fund të artikullit disa llogaritje të thjeshta), ndërsa shumica, plot 90% e kandidatëve, presin raundin tjetër.
Për më tepër, sistemi fut në një thes të gjitha llojet e shkollave të arsimit të mesëm parauniversitar dhe atij të lartë. Futja në një thes e të gjitha llojeve të arsimit të mesëm parauniversitar bën barazimin e cilësisë së notës në të gjitha shkollat, ndërkohë që vetë MAS, për çdo rreth, në fund të çdo viti shkollor, bën një renditje të shkollave nga më e mira në më e dobëta, që nënkupton, nga vetë ajo, se puna që kryhet në shkolla nuk ka të njëjtën cilësi. Me referimin e mësipërm, - dhe besoj të pranuar nga të gjithë, - është shumë e vështirë të dalësh me mesatare 10 në një nga gjimnazet më të mirë të Tiranës dhe shumë e thjeshtë në një nga gjimnazet më të dobët të saj. Për të mos folur për gjimnazet më të dobët të një qyteti në cep të Shqipërisë. Pra, ky lloj sistemi i propaganduar si “Meritë-preferencë”, penalizon pikërisht ekselentët, por ata të vërtetët, jo ata që bëjnë selfie me kryeministrin të kënaqur se ja dolën të fitojnë me një sistem të dyshimtë dhe aspak të ndershëm. Futja në një thes e të gjithë institucioneve të arsimit të lartë e ngatërroi edhe më shumë situatën, sikundër shtoi zërat e pakënaqësisë.

Në se do ishin vërtet kukulla ruse, të gjithë do të kënaqeshim me surprizat që jep çdo raund, por janë fëmijë me të cilët po sillemi në mënyrë të papërgjegjshme dhe po i dënojmë të vuajnë pasojat e një sistemi të dështuar, bazuar në një filozofi të gabuar, atavizëm nga koha e monizmit, - vetëm formula është bërë më e koklavitur.

Në emisionin “Top Story” të datës 12 shtator 2016, ndër të tjera, Ministrja e Arsimit deklaroi se “Ligji i ri kërkon një skemë të re të pranimeve në universitet edhe në funksion të zgjerimit të autonomisë universitare.” Por po t’i referohesh ligjit të ri Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, janë tre nene (2, 3 dhe 10) që lidhen me regjistrimin në një program Bch dhe referojnë: mundësi të barabarta për çdo student, meritë, autonomi nga ana e universiteteve për të caktuar kritere dhe koordinim nga Qendra e Shërbimit të Arsimit për procesin e aplikimit.” Pra, ligji nuk kërkon, specifikisht, asnjë sistem a një tjetër, sado i veçantë, përfshirë edhe këtë të ofruar, në zbatim të realizimit të referencave të mësipërme. Asnjë nen. Asnjë pikë e ndonjë neni. Gjetja e këtij sistemi është një zbatim i mbrapshtë i ligjit, ndërsa justifikimi me praninë e tij, ose sepse e kërkon ligji, “nuk është shkak, por sebep” për të pasur e ushtruar kontroll. Dhe për të bërë rrëmujën e radhës. Në të njëjtat ujëra noton edhe deklarata, se “ky sistem është më i mirë se sa sistemi i parë”. Në mendim tim, vetë ideja e përzgjedhjes të kandidatëve me sistem, si dhe shpenzimi i gjithë kësaj kohe, investimi i gjithë këtyre energjive nga ana e MAS dhe e zyrtarëve të saj është humbje kohe dhe paaftësi. Nuk kemi nevojë për asnjë sistem. As për ndonjë tjetër që mund të shpikë ministri i radhës së arsimit që do jetë në krye vitin a mandatin tjetër.

Ministria e Arsimit dhe asnjë agjenci e varur nga ajo nuk duhet të merret me përllogaritjen e pikëve a të mesatares me të cilën ka mbaruar një nxënës shkollën e mesme dhe, në bazë të tyre, të përcaktojë se në cilin program studimi duhet të regjistrohet, sepse në këtë mënyrë arrihet vetëm e kundërta e asaj që propagandohet: kufizohet autonomia e universiteteve. Nuk mjafton as edhe fakti që vetë universitet caktuan kriteret, sepse me atë kakofoni programesh që ofrohen në shkollën e mesme, jo vetëm universitetet e kanë të vështirë të orientohen, por edhe vetë mësuesit që japin mësim në to. Justifikimi me gjetjen e një sistemi “Meritë-preferencë” është prodhim i tipit “Made in Albania” sa herë gjërat dështojnë.

Nuk ekziston një sistem i tillë, për shembull, në Itali (Francën e ka vetë parasysh Ministrja). Faqet ueb të Bokonit, universitet privat, si dhe të “La Sapienza”, universitet shtetëror, konfirmojnë faktin që e dinë të gjithë, se janë vetë universitetet që vendosin se cilët kandidatë do mund të vazhdojnë studimet në to. Në “La Sapienza”, në degët me numër të mbyllur (ose me numër të caktuar studentësh), që të marrësh statusin e studentit të vitit të parë në programin Bch, duhet t’u nënshtrohesh provimeve në lëndë të caktuara nga vetë universiteti, me një test të hartuar nga profesorët e po këtij universiteti, korrigjuar po nga këta profesorë, që si përfundim çon në pranimin e studentëve në rendin zbritës, nga ata me më shumë pikë të përftuara, deri në ata me më pak. Sipas Dr. Julinda Stefa, asistent profesor në degën e informatikës në këtë universitet, edhe kur numri i kandidatëve të paraqitur është më i vogël se numri i vendeve të ofruara, përsëri pranohen vetëm ata që kanë marrë më shumë pikë se pikët minimale të pranuara në provimet e universitetit. Po ashtu, vazhdon dr. Stefa në një bashkëbisedim në lidhje me këtë temë, jo vetëm që nuk luan rol lloji i shkollës së mesme të ndjekur, jo vetëm që quhet diskriminim të vlerësosh një lëndë më shumë se një tjetër zhvilluar në shkollë të mesme, por as mesatarja e notave nuk merret fare parasysh, me përjashtim të rastit kur duhet të zgjidhet ndërmjet dy kandidatëve me të njëjtin numër pikësh.

Akoma, ministrja Nikolla u shpreh se “rankimin dhe përllogaritjet e pikëve për konkurrentët janë bërë nga fakultetet përkatëse”. Ndoshta i kanë rankuar universitetet dhe vërtet duhet ta besojmë në këtë rast, por çfarë ju mbetej të bënin universitet kur sistemi, që në origjinë, ishte e dështuar?
Së fundmi është ngritur edhe një shqetësim tjetër. A do ketë ankimime në fazën e dytë? Sipas Ministres Nikolla, ndonëse pati mjaft ankesa publikisht, zyrtarisht numri i maturantëve që kanë bërë ankimim (në fazën e parë, shënim i autorit) për renditjen e fituesve në universitete është i papërfillshëm (citoj): “Kemi vetëm 287 ankimime në 475 mijë aplikime. E thënë ndryshe, vetëm 1 në 1.655 aplikime ka ankimuar”. Me apo padashje, ministrja ngatërron ankimimet për gabimet e mundshme që mund të jenë bërë në përllogaritjen e mesatares së nxënësve, si për shembull një notë e hedhur gabim në sistem, me rezultatin tronditës që ka prodhuar sistemi, që ka çuar në ato që ministrja i quan “ankesa publike”. Nuk besoj se, në manifestimet e “ankesës publike” që kanë bërë studentët e ngelur pa një program studimi në universitet, nëpër sheshet e Tiranës, të ketë pasur ndonjë përfaqësues të ministrisë, ose vetë ministrja, për të numëruar se sa ishte numri i ankuesve. Pra, janë dy gjëra të ndryshme. Për rrjedhojë, sa i takon numrit të ankimeve në lidhje me rezultatet që prodhoi sistemi, na mbetet të besojmë jo fjalët e ministres, por pamjet që kanë transmetuar mediet. Sigurisht që do të zvogëlohet numri i atyre që protestojnë në këtë raund, por gjithsesi, matrushka është aty, për të thënë: “Prisni, duroni... nuk jeni aq të mirë sa duhet...”
Na duhet që studentët ta fillojnë këtë vit akademik me një start të tillë.

P.S. Numri i studentëve fitues, sipas sistemit, në çdo raund
Nëse universitetet shtetërore (ose të vetmet institucione të arsimit të lartë me statusin e publikut) ofronin 24.915 vende studimi në total, raundi i parë nxori vetëm 2.492 studentë fitues në këto universitete. Në raundin e dytë, - referuar përsëri vetëm universiteteve të mësipërm, ofrohen 22.423 vende studimi (ose 2.492 vende më pak se në raundin e parë, sepse u zunë nga fituesit e parë), nga ku mund të dalin përsëri fitues vetëm 10% e numrit të mësipërm, pra 2.242 studentë. Edhe në se shtohet një raund i tretë me aplikime, përsëri numri i kandidatëve të sistemuar vetëm në këto universitete shkon në 2.018 dhe, në total, nga të tre raundet së bashku, kemi 6.752 kandidatë gjithsej që kanë fituar një program studimi me sistem. Mbas raundit të tretë, - në se do të ofrohet një i tillë, sepse sistemi vazhdon të nxjerrë fitues raund pas raundi, deri në plotësimin e vendeve të fundit bosh - për kandidatët jo-fitues do vazhdojë ankthi, por tashmë shoqëruar edhe me endje sa në një universitet në tjetrin, duke pritur zhvendosjen e emrit në pozicione më lart në listën e fituesve të mundshëm, pra kapërcimin e vijës së famshme të kuqe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.