Për një thellim të reformës në edukimin mjekësor

Postuar në 05 Shtator, 2016 14:32
Prof. Alketa Koroshi

Fakulteti i Mjekësisë është pa dyshim një nga qendrat mësimore shkencore më të rëndësishme në kryeqytetin tonë. Në atë shkollë kanë kaluar me qindra studentë, që u bënë mjekë të ardhshëm dhe që u dolën për zot problematikave të shumta të shëndetësisë për diagnostikimin dhe mjekimin e sëmundjeve për dekada me radhë.

Aty kanë kontribuar në edukimin e studentëve dhe mjekëve te rinj me dhjetëra pedagogë të nderuar, të përkushtuar dhe të aftë. Emra që e kanë qëndisur me fije ari historinë e mjekësisë shqiptare si F.Paparisto, J.Adhami, P.Bitri, S.Capeli, B.Elezi, S.Bekteshi, Y.Popa, B.Preza, L.Benusi, P.Gace, P.Karagjozi, P.Kokalari e plot të tjerë kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjet e qindra bluzave të bardha, jo vetëm si mjekë të përkryer, por edhe si edukatorë të shkëlqyer të shumë e shumë mjekësh të talentuar.

Por si në çdo fushë të jetës, gjërat kanë nevojë për ndryshim. Këtë e dikton koha, arritjet e mëdha në fushën e mjekësisë dhe kërkesat e tjera që kanë gjeneratat e reja të popullsisë. Objektivat kryesore të shkencave mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë janë:

E para, të nxjerrë mjekë të diplomuar që kanë dije të shëndosha dhe që zotërojnë në mënyrë të mjaftueshme profesionin, duke plotësuar kësisoj standardet globale të edukimit mjekësor.

E dyta, t’i bëjë studentët të aftë për aplikimin klinik të shkencave mjekësore bazë.

E treta, të nxjerrë mjekë të diplomuar me njohuri të përgjithshme për kërkime në shkencat mjekësore bazë. Në përgjithësi, ndonëse ka një shekull që evoluojnë dijet në shkencat bazike dhe klinike e që përparojnë strategjitë e të mësimdhënies, ende kurrikulat ekzistuese në shumë shkolla mjekësore në botë, në fakt janë sisteme jo adekuate për të përgatitur mjekë plotësisht të aftë për mjekësinë e shekullit të 21-të.

Por ç’mund të themi për nivelin dhe evolucionin e kurrikulës në Fakultetin e Mjekësisë te ne? I plotë- son ajo ekzistuesja kërkesat që janë të domosdoshme sot? A duhet reformuar kjo kurrikul me hapa të shpejta e të guximshme? Natyrisht që po. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që studentë, të cilët sapo kanë mbaruar 6 vjet studime në këtë fakultet, kur i pyet për disa nga emrat më të njohur të mjekësisë shqiptare (madje profesorë të dëgjuar) të thonë: nuk e njoh këtë emër, nuk më ka dhënë asnjë herë asnjë orë mësim. Si është e mundur që një profesor i dëgjuar nuk merret fare me studentët e tij.

Dhe ndodh që në provimet e formimit në fund të studimeve, studentët disa herë paraqiten aq dobët sa nuk njohin as nocionet bazë të shkencës mjekësore, të cilat duhet t’i kishin mësuar që në vitet e para të fakultetit. Nevoja në rritje sot për të pasur ekspertizë në fusha të tilla si shëndeti publik, politikat shëndetësore, sistemet e kujdesit shëndetësor dhe trajtimi ndërdisiplinor, të gjitha këto kërkojnë që mjekët e rinj të zotërojnë njohuri të tilla që i kapërcejnë të kuptuarit vetëm të anatomisë dhe të pathofiziologjisë.

Këto pra kërkojnë që të tejkalohen praktikat arkaike të vlerësimit të studentëve dhe strukturat kurrikulare të osifikuara. Strategjia e mësimdhënies nga pedagogët e profesorët duhet të nxisë angazhimin e gatishmërinë e studentëve në të gjitha nivelet e të mësuarit. Për këtë duhet pa dyshim të aplikohet një selektivitet i fortë për ata pedagogë që kërkojnë t’i hyjnë një detyre të tillë.

Sot nuk ka nevojë për leksione rutinë, ku referuesi reciton në një linjë monotone dhe të vjetruar, por duhen aplikuar koncepte të azhurnuara me të rejat më të fundit të disiplinave mjekësore. Një nga arritjet e mëdha në procesin e mësimdhënies në kohën e sotme është konceptimi dhe aplikimi i kurrikulave të integruara. Qëllimi i integrimit të kurrikulave është të prishen barrierat ekzistuese ndërmjet shkencave bazike dhe klinike. Këto barriera qëndrojnë fort si struktura tradicionale kurrikulare.

Integrimi i kurrikulave duhet të promovojë përftimin e njohurive dhe përvetësimin e mjeshtërisë së profesionit të mjekut nëpërmjet të koncepteve që përsëriten, por edhe që ndryshojnë, që zhvillohen dhe që aplikohen. Por ç’është në thelb integrimi i kurrikulave? Integrimi sipas përkufizimit të Harden është “organizimi i lëndëve që përvetësohen në mënyrë të tillë që të kombinohen, ose të unifikohen subjekte që mësohen shpesh në departamente të veçanta të fakultetit”.

Në jetën e shoqërisë, mënyrat e reja të organizimit mjekësor, programet e mëvonshme të trajnimeve pasuniversitare dhe përpjekja që bëhet për të përgatitur mjekët e rinj për punën klinike voluminoze që i pret, të gjitha këto kanë bërë që kurrikulat në vitet e fundit, në shkollat më të përparuara mjekësore, të pë- sojnë një evolucion të pareshtur.

Mjafton të themi që në fushën e mjekësisë çdo 5 vjet, 50% e koncepteve mjekësore të mëparshme janë të pavlefshme, sepse zhvillohen koncepte të reja. Kjo gjë kërkon që edhe mësimdhënia në shkollë të ndjekë këtë evolucion të pareshtur të dijeve. Ndryshimet në sistemin e edukimit mjekësor të kurrikulave, të mësimdhënies, të të mësuarit interaktiv dhe të pjesëmarrjes në kërkimin shkencor do të lejojnë që mjekët e rinj që do të dalin nga Fakulteti Mjekësisë të jenë në gjendje të përqafojnë dijet e kohës.

Ajo mjekësi për të cilën flitet sot, që është mjekësia e 4-P (parashikuese, parandaluese, e personalizuar dhe pjesëmarrje e pacientit në vendimet e trajtimit mjekësor), bazohet pa dyshim në nevojat e sotme të ruajtjes së shëndetit të njeriut, por edhe në arritjet e padiskutueshme dhe të mëdha në fusha të ndryshme të mjekësisë.

E tillë është për shembull puna gjigante e Jean Dausset e bashkëpunëtorëve, që përcaktuan rolin e rëndësishëm të antigjeneve të histokompatibilitetit në kontrollin e përgjigjeve imune dhe në predispozicionin për sëmundje të ndryshme që kanë komponentin autoimun.

Nisur nga këto, shumë sëmundje problematike do të trajtohen në mënyrë krejtësisht të re si p.sh. diabeti, artriti rheumatoid, skleroza multiple e deri te çrregullimet psikiatrike si skizofrenia që kanë edhe ato komponentin imun. Shpjegimi që u bëhet sot shumë mekanizmave biologjike dhe përpjekja që bëhet për të kuptuar kompleksitetin e tyre, ka një rëndësi të tillë saqë shkencëtarët mendojnë se pikërisht biologjia do të dominojë të gjithë shkencën e shekullit të 21-të.

Kjo do të ndodhë së pari, sepse aftësia teknologjike do të lejojë të atakohen disa nga problemet fondamentale të njerëzimit, siç janë kujdesi shëndetësor global dhe mirëqenia, menaxhimi i energjisë dhe mjedisit dhe deri në ndikimin e këtyre arritjeve në bujqësi që është në funksion të ushqimit të njeriut. Të gjitha këto kërkojnë përpjekje, përkushtim, mëndje të mprehtë dhe nevojë të domosdoshme për ndryshim në sistemet aktuale të mësimdhënies në mjekësi.

Këto ndryshime duhen bërë krahas luftës së vazhdueshme kundër fiktivitetit në dhënien e titujve akademikë, nepotizmit dhe konfliktit të interesave që janë fenomene jo pak të shprehura ndër mësimdhënësit e Fakultetit të Mjekësisë. Gjatë seancës parlamentare ku u votua Reforma në Drejtësi Sot është koha që reformimi i edukimit mjekësor të bëhet mbi bazën e kompetencave në sistemin akademik të shëndetësisë. Theksimi i kompetencave shkon përtej pedagogjisë, drejt rishqyrtimit të aftësive dhe zotësisë për të ndryshuar sistemet e shërbimit mjekësor…

Në këtë mënyrë, duke harmonizuar mësimin akademik me sistemet aktuale të shëndetësisë, mundet nga njëra anë të përmirësohet në nivel horizontal integrimi i trajnimit të studentëve ende të padiplomuar me praktikën klinike dhe, nga ana tjetër, të përmirësohet integrimi vertikal i të mësuarit në universitet nga niveli terciar deri në nivelin primar.

Edukimi mjekësor në bankat e shkollës është vetëm një pjesë e edukimit që duhet të vazhdojë tërë jetën. Sikurse thotë John Dewey: Edukimi nuk është përgatitje për jetën, por është jeta vetë.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.