Vdekjet në Sharrë nuk janë njësoj...

Postuar në 02 Shtator, 2016 15:08

Vdekja e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës është prej ditësh në qendër të vëmendjes së mediave, por edhe politikës. Arditi 17 vjeçar vdiq aksidentalisht për të zbuluar me fatkeqësinë e tij një dukuri të errët ku përfshihet edhe Bashkia e Tiranës. Punën në të zezë me lejen e autoriteteve shtetërore, nën hundën e tyre për fitim dhe llogari të kompanive private. Natyrisht askush nuk e ka dashur vdekjen e Gjoklajt; ajo është nga ato që qeveritë shqiptare i klasifikojnë si “aksidente”, me prapashtesa të tipit “teknologjike”. Por ajo është një vdekje e ndodhur në kushtet e ilegalitetit të liçencuar, të një pune në të zezë për të cilën kanë dijeni të gjithë.

Çështja është zbardhur tashmë në të gjithë dinamikën e vet dhe filli i shkeljeve shkon nga Sharra në derën e Bashkisë së Tiranës, e cila befas e ka lënë veten dorëzanë tek hetimet e Adriatik Llallës. Si e tillë, pra si vdekje e “pasiguruar” ajo transformohet në një vrasje, pse zakonisht autoriteti publik detyron zbatimin e standardeve ligjorë për të eliminuar fatkeqësi të tilla. E kundërta ka ndodhur.
Dhe provë për këtë është një tjetër vdekje, ndodhur përpara asaj të Ardit Gjoklajt.
Myrvete Duka vdiq më 26 nëntor po në landfillin e Sharrës. Njësoj si në rastin e Gjoklajt edhe ajo punonte në të zezë, në një aktivitet, administratorin e të cilit e cakton kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ngjarja e zbuluar nga “Tema Tv” u konfirmua sot nga Policia e Shtetit e cila e ka regjistruar kështu atë:

“Më datë 25.11.2015, u arrestua në flagrancë shtetasi Kasëm Koçi, vjeç 63, banues në fshatin Lalm, pasi, në Landfillin e Sharrës, duke punuar si manovrator me mjetin tip “Bomak”, ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasen M.D, vjeç 47, e cila ka qenë duke mbledhur hekurishte.
Koçi akuzohet për veprën penale “Shkeleje të rregullave të sigurisë në punë”, raporton sot “TemaTv”. Televizioni ka publikuar të dhëna edhe nga dosja e Prokurorisë, që hedh dritë mbi procedimin e ndjekur aty ku Koçi punonte bashkë me të ndjerën Duka.

Kemi pra të konfirmuar një dukuri të punës në të zezë e cila implikon rëndë Bashkinë e Tiranës. Por për këtë do të duhet të japin vendimin e tyre organet përkatëse. Çfarë bën përshtypje është qëndrimi me dy standarde i politikës ndaj vdekjes së njeriut. Mazhoranca është treguar konseguente, ajo po hesht.
Për Gjoklajn opozita, që po mban flamurin e protestës organizoi shumë konferenca për shtyp, madje duke paralajmëruar edhe një aksion civil. Për Dukën mbahet heshtje e plotë.

Pseja mundet vetëm të hamendësohet, por ngjarja me Dukën ka ndodhur përpara se kompania që akuzohet për rastin e Gjoklajt të hynte në këtë sektor. Ndoshta opozitës nuk i interesojnë kauzat e vobekta të vdekjes së një njeriu, pasi aty nuk gjendet filli implikues dhe lënda për intrigën e zakonshme: një kompani, marrëdhënie e preferuar Bashki – Privat dhe mandej vdekja që akuzon.

Ndoshta përfitimi politik, por edhe fitimi është nxjerrë tashmë me rastin Gjoklaj dhe zbulimi i vdekjes së Dukës e bënë inkoveniente përsëritjen e “kauzës”. Krijohet përshtypja e një oportunizmi që s’ka asgjë të përbashkët me një opozitë, por që më shumë i ngjan një grupimi sekserësh.
Bashkë me heshtjen e Bashkisë, skema kriminale e sjelljes së politikës kompletohet.
Natyrisht familja e të ndjerës e ka mbyllur këtë muhabet, njësoj si policia dhe prokuroria. Por të gjithë për arsye të ndryshme, sepse një vdekje mund të mbulohet me heshtje, por ajo qëndron në dosje. Dhe dosja e kryetarit të Bashkisë po nxihet. Thjesht disa duar do të dinë të luajnë, pse të digjet kot një rast i tillë?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.