Si mund të riorganizohet ngritja e institucioneve dhe qendrave kërkimore në Shqipëri?

Postuar në 29 Gusht, 2016 19:22
Dr. Faruk Kaba

Para disa ditësh lexova një shkrim në gazetën TEMA me titull “Përse Shqipëria ka nevojë për një institut shkencor për kërkimet e naftës” me autor Msc. Zoto Leskaj. Me thënë të vërtetën shumë aktual, madje pak i vonuar, jo për shkrimin dhe artikullshkruesin, të cilin nuk e njoh personalisht, por për nevojën që ka ekonomia për shkencën dhe zhvillimin shkencor, në këtë sektor të naftës, por edhe në të gjithë sektorët e rëndësishëm dhe jetikë të saj. Duke qenë personalisht dhe me kolegë të mij në një proces apo “betejë” gati 10-12 vjecare në kërkim të “një njeriu me mënd në sferat e larta të shtetit, që të na kuptojë dhe të ketë vullnetin e mirë për të na mbështetur në nevojën e ringritjes së këtyre strukturave kërkimore-shkencore”, institute apo qendra kërkimore, s’ka rëndësi emri dhe që janë bazë e zhvillimit të një vendi, me sugjerimin edhe të një miku tim, mora kurajon për këtë shkrim.

Jam krejt i qartë dhe i sigurtë se këto shkrime, që për fat të keq nuk lexohen nga ata, që duhet ti lexojnë, por edhe kur i lexojnë shprehin indiferentizem dhe ofshama bezdisje, nuk pres ndonjë zhvillim të vecantë, por gjithsesi le te jetë dhe ky një gur i vockël në murin e madh dhe të mundimshëm të ringritjes së shkencës dhe kërkimit shkencor në vendin tonë.

Kërkimi shkencor në ditët e sotme në botë konsiderohet më i rëndësishmi në zhvillimin e një vendi dhe vendet e emancipuara dallohen në rradhë të parë nga investimi për shkencën dhe kërkimin shkencor. Financimi i shkencës sot në vendet e zhvilluara është në masën 2-3% te GDP-se. SHBA, Japonia, Gjermania, Suedia, Franca, Anglia, Izraeli, Korea Jugut etj investojnë 3.5 % deri 4% të GDP për shkencën dhe kërkimin shkencor. Ky investim rrit në mënyrë eksponenciale prodhimin dhe të mirat materiale. Një vend nuk mund të quhet i pasur dhe i fortë ekonomikisht pa një shkencë dhe kërkim shkencor të përparuar. Për fat të keq Shqipëria renditet ndër vendet ku investimi për shkencën është “harruar”: me vetem 0.016 % të GDP-së për shkencën (mesatarja botërore 2.09% e GDP), ajo renditet ndër vendet e fundit në botë: e 193-ta.

Ashtu si dhe me Institutet e Kërkimit të Naftës, në Shqipëri kanë pas egzistuar institute veçanrisht ato në kuadër të dikasterit të Ndërtimit, në fusha si infrastruktura e transportit (Instituti Nr.2), enegjitika (Instituti Nr. 3), arkitekturë-urbanistika (Instituti Nr. 1), materialet e ndërtimit dhe ndërtimi në teresi (ISTN), veprat industriale (Instituti Nr.4) etj, por që koha dhe më saktë, Ekonomia e Tregut, “i nxorri jasht loje”, jo si të pavlefshëm, por që nuk mund të egzistonin, justifikonin dhe të procedonin, sipas rregullave të një ekonomie të ezauruar, sic ishte ajo socialiste, e përqëndruar, e asaj kohe. Ne fakt Ekonomia e Tregut aq më tepër ka nevojë të padiskutueshme për shkencën dhe kërkimin shkencor, përndryshe ajo dështon.

Por si i ka zgjidhur bota këto probleme? Shkenca dhe kërkimi shkencor kërkojnë buxhete, kërkojnë financim, laboratorë, shkencëtarë të mirëpaguar, programe etj, kush i paguan ata? Shteti, veçanrisht ky i yni, është krejt i dobët financiarisht dhe i pamundur për këto financime. Për të qenë krejt transparent që në fillim, dhe duke qenë realistë në njohjen e gjendjes sonë dhe ekonomisë sonë, sigurisht që nuk e kemi fjalën për financimin nga shteti te këtyre strukturave shkencore, por krejt e kundërta, bëhet fjalë për përjashtimin e çdo financimi nga buxhetet shtetërore.

Si mund të realizohet kjo? Në shumicën e vendeve të përparuara zhvillimi teknologjik-standartet-novacionet-studimet në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe industrisë, nga të cilat përfiton shoqëria, financohen nga vetë procesi i prodhimit. Cila është forma? Pa u trembur mund te themi se shkenca dhe kërkimi shkencor bëhet i mundur të financohet nëpërmjet një takse, por mos u trëmbni edhe një herë: kjo taksë është fare simbolike në tërësinë e aktivitetit ekonomik në një fushë të caktuar dhe për cilindo subjekt ekonomik: vetëm reth 1-2 përqind e çdo kontrate, dhe, për të mos rënduar askënd, realizohet brenda kontratave të prodhimit / ndërtimit / projektimit / mirmbajtjes etj, në projektet në fjalë.

Kjo zgjidhje shume efikase, e realizuar me shume sukses në vende nga më të përparuarat në botë, përbën për Ekonominë e Tregut një instrument shumë efikas për të nxitur dhe përshpejtuar novacionin dhe kërkimin shkencor në industri, ndërtim, transport, bujqësi, tregëti etj. Modelet e aplikuara dhe eksperienca e vendeve më të zhvilluara mund dhe duhet të aplikohet edhe në vendin tonë, pse jo, veçanrisht në fushat ku prodhimi është i tillë në sasi, që, nga kjo taksë tejet modeste, mund të krijohen buxhete të tilla të mjaftueshme për financimin dhe funksionimin e strukturave kërkimore-shkencore. Bie fjala, vetëm në fushën e rrugëve, me një taksë gati të papërfillshme, prej vetëm 1 përqind, apo edhe më pak, krijohen buxhete të mjaftueshme për ngritjen e një Qendre Kërkimore shumë dinjitoze, shumë të rëndesishme. Ngritja e saj, detyrë emergjente e së cilës është vendosja e standarteve në të gjitha hallkat, punimet, marrdhëniet dhe legjislacionin, nuk do të lejojë ndërtime apo investime pa cilësi dhe shpesh pa kriter dhe dëmin e madh, që i është shkaktuar ekonomisë nga një manaxhim dhe drejtim me gabime në këtë sektor për vite të tëra. Me të njëjtën llogjikë mund të flitet edhe për fusha të tjera si energjia, mjedisi, bujqësia, industritë e ndryshme, si ajo e naftës, ushqimit, etj.

Në biseda me të gjithë nivelet, nga vendimmarrës deri tek ndërtues-kontraktorët, prodhuesit etj, nuk kuptohet dhe nuk mirëpritet kjo taksë, por eksperienca më e mirë botërore ka treguar se të mirat e këtij investimi për shkencën dhe kërkimin shkencor janë të pallogaritëshme dhe në radhë të parë për vetë projektuesit, kontraktorët, prodhuesit dhe për të tërë shoqërinë.

Sipas modelit që propozohet, rezultuar plotësisht i suksesshëm nga eksperiencat më të mira botërore, shteti nuk financon këto Qëndra Kërkimore/Shkencore, nuk hedh asnjë qindarkë. Ajo realizohet nëpërmjet projekteve: nga një perqindje simbolike mbi çdo kontratë, mundësohet financimi i kërkimit në fushën përkatëse, veçanrisht atje ku kjo taksë krijon buxhete të mjaftueshme për këtë aktivitet kërkimor.

Eksperienca e Shqipërisë në financimin e kërkimit vetëm nga burimet e buxhetit dhe tradita e derimëtanishme me këto institucione kërkimore shtetërore, nuk ka bërë të mundur zhvillimin e kërkimit shkencor të nivelit bashkëkohor, që në thelb duhet të jetë financimi nga projektet. Kjo është dhe një nga arësyet e prapambetjes së theksuar që kemi sot në ngritjen e strukturave të tilla shkencore. Para viteve ‘90 Shteti Shqiptar dhe ekonomia e tij e centralizuar kishin Institute Studimore apo Projektuese, Institute Kërkimore në fusha të ndryshme, të cilët, megjithë të metat ishin një zë kompetent, që i jepte zgjidhje problemeve më të shumta, për të cilat kishte nevoja shkenca dhe prodhimi i asaj kohe sipas fushave të ekonomisë. Këto institucione me formatet e tyre dhe format e organizimit dhe orientimit nuk i rezistuan dot Ekonomisë së Tregut dhe në fillim të viteve ’90, pjesa më e madhe e tyre, u shkri. Ndonjë nga ata që mbetën, u kthyen në barrë për ekonominë, duke u shndruar në qendra formale “shkencore”, pasi mbetën pa buxhete të nevojshme për kërkim, ose u mbushën me “specialiste”, që nuk i rezistuan konkurencës së ekonomisë së tregut.

Shqipëria sot nuk ka, bie fjala, një qendër shkencore për rrugët apo infrastrukturat në tërësi, megjithëse është fusha ku shpenzohen mbi 60-70 përqind të investimeve të vendit. Institutet e Transportit dhe të Ndërtimit egzistues, në vartësi të diskastereve respektive, me buxhetet dhe rrogat që ofrojnë, nuk mundet që të mbledhin specialistët më të mirë dhe një infrastrukturë për kërkim shkencor (laboratore, programe, instrumenta etj) të domosdoshme për të realizuar një kërkim shkencor bashkohor.

Sektori Akademik, Universitetet as që bëhet fjalë të mbulojnë këtë boshllëk. Madje, nga eksperienca botërore, por edhe e vendit tonë, duhet të jetë e kundërta: Ngritja dhe Organizimi i Qendrave Kërkimore do të mund të ndikojë në ngritjen cilësore të Universiteteve. Shefat e Katedrave duhet të jenë shkencëtarët më të shquar të këtyre Institucioneve/Qendrave shkencore dhe anasjelltas, shkenctarët më të zot të akademive dhe universiteteve duhet të drejtojnë punët shkencore të këtyre qendrave kërkimore. Në të kundërt ne nuk do të mund ti shërbejmë ekonomisë dhe nevojave të saj për progres teknik dhe teknologjik dhe për të qenë një vend i përparuar. Kjo është edhe arsyeja, përse mund të konsiderohet i dështuar vendimi për kalimin e instituteve dhe qendrave shkencore në varsi të katedrave të universiteteve.

Është absolutisht e saktë, ajo që zoti Leskaj shkruan në artikullin e tij, që edhe Amerika ka dështuar kur i quante universitetet “krenari e shkencës amerikane” para viteve ’60 të shekullit të kaluar, por që shpejt e braktisi si ide. Me këto pseudo ide u shkatëruan edhe tek ne ato pak gjurmë, që kishin mbetur nga e kaluara. Tani, në një ekonomi të orientuar të Tregut, ka ardhur koha, që ti thërasim mëndjes dhe të orientohemi nga progresivja, teknologjia, shkenca dhe kërkimi shkencor, përndryshe............

Si është situata në vendin tonë? Sic edhe njihet, është krijuar një boshllëk i madh në nevojat që ekonomia ka për teknologji, standarte, rregullore, për kontroll/vleresim, për metoda monitorimi, legjislacion të përparuar, studime etj. Këto zëvendësohen rëndom me zgjidhje empirike të rastësishme të problemeve, me kosto të larta ekonomike dhe sociale. Situata shoqërohet edhe me një konfuzion, pasi perfeksionimi vetëm i legjislacionit në fushën e kërkimit shkencor dhe vetëm në rafshin akademik, ka treguar se nuk është zgjidhje e problemit dhe problemeve, që ka ekonomia. Shqipëria sot ka dhjetra universitete private dhe publike dhe nuk ka asnjë Institut Kërkimor të mirfilltë! Paradoks i vërtete, që nuk mbetet me kaq. Duke marrë për shembull, mungesën e një instituti apo qendre kërkimore në fushën e infrastrukturave të transportit bie fjala, si rezultat i kësaj mungese, të gjitha hallkat, që në tërësinë e tyre janë pjesë e realizimit të këtyre veprave dhe investimeve, nga qendra-dikasteri, tek agjencia përkatëse (klienti kryesor), tek konsulenti (hartuesi i projektit dhe i shërbimeve inxhinierike) dhe tek zbatuesi i punimeve dhe kolaudatori, egziston një situate tejet jo e sigurtë dhe e sinqertë, ku projektuesi jep një projekt/produkt, i cili mund të jetë i kontestueshëm, po kështu supervizori dhe më tej kontraktori (zbatuesi i punimeve) dhe deri tek kolaudatori. Dhe produkti që kemi me rrugët, është ai që kemi dhe që të gjithë e shikojmë me syte tanë: rrugë pa standarte të unifikuara, me kosto shumë të larta ndërtimi në raport me produktin final, një rrjet rrugor i çorientuar dhe me probleme madhore, përfshi PAsigurinë rrugore, që është nga më të lartat në Europë.

Si funksionon zgjidhja e dhënë me lart dhe cili është roli i shtetit në këtë rast? Shteti është autoriteti garant dhe auditi, që, sipas një ligji rregullator, bën të mundur kalimin e fondeve të krijuara nga taksa në fjalë, në buxhetin e Qendres(ave) Kërkimore. Përvec kësaj, shteti siguron raportin e drejtë ndërmjet buxhetit të krijuar (të të ardhurave) dhe aktiviteteve kërkimore, që do të kryejë struktura shkencore nga njëra anë dhe kërkesave e nevojave publike të sektorit përkatës nga ana tjetër. Shteti kontrollon dhe merr pjesë në miratimin e aktivitetit çdovjetor dhe financave të kësaj Qendre nëpërmjet Bordeve, që detyrimisht kryeson. Shteti garanton neutralitetin në rastin e garave në tendera lokalë apo ndërkombetarë, ku kjo qendër kërkimore është e lirë të marrë pjesë. Prandaj edhe këto Qendra shkencore quhen me interes publik dhe me procedim privat.

Duke marre shkas nga shkrimi i zotit Leskaj, jam i sigurtë, që nëse do të ecet në këtë drejtim, pra duke aplikuar një taksë modeste, mbi të gjithë subjektet që merren me kërkimin dhe prodhimin e naftë dhe të gazit, përfshi, pse jo edhe projektin TAP, një institucion kërkimor shkencor i nivelit të lartë është plotësisht i mundur të ngrihet edhe në Shqipëri. Dhe do të jënë të interesuar të gjithë shkencëtarët e kësaj fushë për të punuar në këto qendra shkencore, pasi buxhetet e krijuara do të bëjnë të mundur, që përpos ambienteve, laboratoreve, softeve etj, për këta punonjës-shkencëtare të ketë edhe shpërblime/rroga të mira, njësoj si në institutet e ngjashme shkencore të vendeve më të zhvilluara.

Si duhet vepruar dhe nga duhet nisur?

Së pari, të gjithë grupet e interesit, të përfaqesuara nga shoqatat apo grupime të tjera, duhet të marrin miratimin e antarësisë së tyre lidhur me këtë inisiative-organizim të ri dhe t’ja bëjnë të ditur zyrtarisht Qeverisë Shqiptare.
Së dyti, grupet e interesit ngrenë Grupe Pune, që pregatisin të detajuar propozimin për Qeverinë,
Së treti, Grupet e Punës dhe Qeveria ngrenë një Komision Shtetëror për hartimin e paketës ligjore për themelimin dhe financimin e këtyre Qendrave kërkimore.

Komisioni pregatit Draft Ligjin përkatës dhe, sipas rregullave, ky dërgohet në Parlament për miratim: Ligji “Për krijimin dhe financimin e Qendrave Shqiptare të Kërkimeve (sipas fushës)”.
* * *
Siç mund të konstatohet, në thelbin e këtij propozimi është nevoja e zhvillimit të shkencës dhe kërkimit shkencor nga vetë prodhimi, në kushtet e pamundesisë së financimit të saj nga buxheti shtetit. Në thelbin e saj qëndron fakti, që nëpërmjet kësaj mënyrë, rezultuar shumë e suksesëshme, madje edhe nga ekonomi shumë më të forta se kjo e jona, jo vetëm financohet shkenca, por bëhet e mundur që në këto formacione kërkimore, të ofrohen specialistet më të mirë. Në globalizimin që ka krijuar ekonomia botërore, këto lloj organizmash shkencore, do të bëjnë të mundur ngritjen e paimagjinueshme të nivelit dhe të cilesisë së vepra të realizuara dhe produkteve në fushat përkatese duke drejtuar ekonominë dhe investimet në rrugën më të drejtë, racionale dhe normale.

Së fundi, institutet egzistuese, që mund të jenë paralele me ato që do të mund të krijohen sipas këtij propozimi, sigurisht që do të shkrihen, duke liruar buxhetin e shtetit nga një barrë e rëndomtë dhe pothuaj e panevojshme. Pjesa determinuese e stafeve të tyre mund të përfshihen ne institutet/qendrat e reja, duke mos krijuar probleme sociale të panevojshme.

*Titulli i autorit: PËRSE I DUHEN SHQIPËRISË INSTITUCIONET KËRKIMORE SHKENCORE DHE SI MUND TË RIORGANIZOHET RINGRITJA E TYRE

(reflektim nga një shkrim në gazetën TEMA)

Comments

Submitted by Edmond Cata, PhD (not verified) on

Z. Faruk,

Shkrimin e z. Leskaj tek Tema nuk e kam lexuar sepse nuk me ka rene ne sy. Por ne shkrimin tend gjej teza edhe pozitive, edhe problematike.

Gjej pozitive tezen e "marketizimit" te studimeve per sektore si nafta (apo edhe sektore te tjere); dmth, qe parate per financimin e qendrave studimore te jepen nga aktore private. Por kjo teze pozitive shoqerohet nga disa teza problematike.

Nje problem ka lidhje me terminologjine. Ju flisni per "institucione dhe qendra kerkimore". Po ashtu, tezen tuaj te financimit nga aktore privat e trajtoni ne kontekstin e sektoreve te tille se nafta. Problemi terminologjik keu ka te beje me faktin nese argumentet qe jepni jane per "shkence aplikative" apo per "kerkim shkencor te mirfillte". Sepse nuk jane e njejta gje. Sigurisht qe kane lidhje. Por tjeter fokus ka shkenca aplikative, tjeter fokus ka kerkimi shkencor. Ne kete dallim, termi kyc eshte termi "shkencor" - shkencor nenkupton procesin e hetimit te se vertetes, te nje lidhjeje shkak-pasoje. Ky proces priret sa drejt gjeneralizmit, aq edhe drejt testimit. Ne menyrat si procedohet, ka shume disajne kerkimore, disa jane eksperimentale, disa jo-eksperimentale; disa ne fushen e shkencave shoqerore, disa ne fushen e shkencave natyrore. Shkenca aplikative sigurisht qe ka lidhje me kerkimin e mirfillte shkencor, pasi i bejne dobi cdo "gjetje" e kerkimit te mirfillte shkencor ne pikpamje te se "vertetes" apop lidhjeve shkak-pasoje. Por shkencat aplikative kane nje tipar qe ua "ngushton" si te thuash frymemarrjen. Ndryshe nga kerkimi i mirfillte shkencor qe synon pergjithesime apo testime dhe verifikime teorish, shkenca aplikative ka ne fokus te vet dhenien pergjigje apo zgjidhje problemeve praktike. Ky dalim eshte edhe arsyeja perse ndersa kerkimi i mirfillte shkencor, ne vendet normale, vezhgohet te jete i lidhur ngushte me universitetet, ndersa shkecna aplikative, ndonese nuk perjashtohet te aplikohet edhe neper universitete, vezhgohet te jete e vendosur me se shumti jashte universiteteve, te jete e lidhur me qendra dhe aktore financues private. Mbajtur parasysh kete dallim, kam pershtypjen se propozimi humbet vlere duke ngaterruar kerkimin shkencor te mirfillte me shkencen aplikative. Sepse per te paren interesi me i madh eshte i universiteteve, ndersa per te dyten, interesi me i madh eshte i aktoreve private, dhe po ashut edhe i shtetit ne varesi te besimeve dhe vlerave te nje shoqerie qe kane per rolin e shtetit. Kjo mungese qartesie i "jep" propozimit tend te ndryshim goxha te rendesishem: ai nis gjoja me thirrje per atashim dhe financim te shkences aplikative nga aktore private dhe perfundon pastaj me klithme ndaj shtetit (qeverise) qe te nderhyje! Nje nonsens ky qe nuk mund te qendroje ne "harmoni" nese llogarisim qe propozimi ofrohet ne frymen e parimeve te "ekonomise se tregut".

Nje problem tjeter ka te beje me vete idene qe shkenca aplikative te mos financohet nga shteti dhe qeveria por nga aktore private. Shume bukur! Nese mendoni se propozimi juaj nuk ka nevoje per parate e shtetit, por synoni parate e privatit, atehere perse nuk tentoni qe kjo gje te behet? Dhe nese nuk behet dot nje realitet, mos valle arsyeja e vertete, pervec injorances se mos te kuptuarit te rendesise se kerkimeve aplikative, sic e permendi edhe ju, eshte mungesa e leverdise tek aktoret private per te financuar "institucione" apo "qendra" te tilla? Do te ishte e cuditshme qe njerez qe investojne miliona, dhe kerkojne te kursejne miliona duke qene efikase ne veprimet qe bejen, te mos kishin interes per kerkimet aplikative. Por mos valle arsyeja e vertete e mungeses se iinteresit te tyre per te financuar "institucione apo qendra" kerkimore aplikative vjen ngaqe ata, me nuhatje apo intuite, nuk besojne se mund te gjejne njerez ne Shqiperi te tille qe vertet te jene te pregatitur nga pikepamja profesionale, me metodologji dhe metoda shkencore, te afte per te konceptuar, avancuar, analizuar, dhe dhene garanci investuesve apo financuesve te tyre per gjetjet e tyre, saktesine dhe sigurine e rezultateve? Keto pyetje qe bej mund te duken pa vlere, por e verteta eshte qe ne Shqiperi, jo vetem ato institutet e vjetra kerkimore qe permendi ju kane vdekur, por kane vdekur edhe universitetetet. Te gjithe vdiqen jo thjesht se i nxorri jashte loje tregu, por sepse ato, "studiuesit" dhe drejtuesit e tyre, te manget sic ishin ne formimin shkencor, u kthyen ne ca institucione apo qendra vegjetative qe vec hanin nga buxheti i shtetit dhe asnje pune nuk benin. Problemi i mungeses se pregatitjes shkencore tek profesorati dhe studiuesit shqiptar, eshte endemik ne te gjitha fushat e dijes pa perjashtim! Ai eshte thelluar dhe sot kemi arritur ne nje pike ku Shqiperia ka "profesore" me tonelata, njerez me tituj akademik nga me te ndryshmit, por nuk ka studiues shkencore. Sepse jane tape-topi nga pikepamja e formimit metodologjik shkencor! Ca sepse universiteti shqiptar nuk ua dha nje formim te tille; ca sepse formimi i tyre ishte produkt i "edukimit marksist-leninist" te kohges, por ca edhe se shume nga ata qe kane studiuar ne unievrsitetet europiane pas viteve 90-te, kane studiuar ne universitete qe pregatitjen dhe formimin metodologjik nuk e kane pike te forte!!

Nje problem i trete, dhe serioz mendoj une, eshte thirrja qe i ben shtetit/qeverise per nderhyrje! Nje thirrje qe reflekton ne menyre tipike mendesine etatiste, te priturit cdo gje nga shteti, te konsideruiarit e shtetit si "garancia" dhe "mburoja" e cdo nevoje qe njerzit mund te mendojne se justifikon mnderhyrjen e shtetit. E shoh problematike kete thirrje sepse mendesia etatiste ne Shqiperi, jo vetem eshte e forte, por fatkeqesisht, nuk ka azgje te perbashket me etatizmin francez, gjerman, apo italin, qofte nga pikepamja financiare, por ca me shume nga pikepamja vizionare! Shteti dhe qeveria shqiptare, pas viteve 90-te jane pare si placke lufte nga partia e radhes ne pushtet, majtas-djathta-qender-periferi-lart apo poshte!!! Ndaj gjithashka qe propozohen si hapa konkrete - organizijm grupesh interesi, berje ligjesh dhe kalimi ne parlament, e te tjera e te tjera - ngjan si nje surrewalizem grotesk! Mesa duket ti beson se kerkimi shkencor i mirfillte apo kerkimi aplikativ behen, dhe behen cilesore, vetem po te kene mbeshtetjen nga qeveria, vetem po te nxjerre ligje qeveria dhe parlamenti! Zoteri! Me falni tju jap lajmin e keq por shkenca dhe kerkimet aplikative nuk varen nga dhe cilesia e tyre nuk percaktohet nga mbeshtetja qe jep shteti; ca me pak mund te ndodhe kjo ne kushtetet e nje shtetit te varfer dhe lypsar si Shqiperia. Shekcna dhe kerkimet aplikative duan "kellqe" - njerez te pregatitur shkencerisht! Nese nuk ka njerez te pregatitur shkencerisht por vetem pseudo-profesore, mos prit te gjesh financues private! Askush nuk do te donte te hidhte parate per pseudoshkencetare!!!

Po e mbyll ketu. Kritika ime nuk eshte per tju dekurajuar nga materializimi i idese. Kritika ime eshte vetem per tju kujtuar qe nje propozimi i mire, sado i mire te jete, ka nevoje te shoqerohet nga rruge realizimi realiste; pa rruge realiste, cdo propozim, sado i mire te jete, ka per te mbetur thjesht tjerrja me e fundit e dites! Pavaresisht se kush e thote, kur e thote, dhe si e thote!

gjtihe te mirat.
Edmond Cata PhD.

Submitted by Faruk Kaba (not verified) on

I dashur komentues Cata: se pari ju falenderoj per komentin. Se dyti, duke lexuar ate cfar mendoni dhe shprehni ju, jam i detyruar t'ju them se nuk keni kuptuar thelbin e idese dhe te asaj se cfar une kam shprehur. Ideja dhe menyra e financimit, me vjen keq ta them se nuk e keni kuptuar, pra qe financimi i shkences dhe kerkimit shkencor nuk behet nga PRIVATET, por nga PROJEKTET dhe kjo eshte shume thelbesore. Edhe dicka tjeter: une nuk "bej thirje per financim nga privatet", pasi financimin e bejne projektet dhe nuk bej "klithma ndaj shtetit", por perfshirja e domosdoshme e organizimit nuk mund te lere jasht loje shtetin dhe ligjin si regullatoret kryesore. "Thirrjet" dhe "klithmat" nuk jane pjese e shkrimit tim, por nuk duhet te jene as pjese e juaja i dashur PhD.

Persa i perket asaj qe thoni ju se une gjoja "mesa duket besoj se kerkimi shkencor i mirfillte apo kerkimi aplikativ behen, dhe behen cilesore, vetem po te kene mbeshtetjen nga qeveria, vetem po te nxjerre ligje qeveria dhe parlamenti", verteton edhe nje here se nuk ke kuptuar thelbin, prandaj mendoj se nuk duhet te komentoj me gjate. Vetem nje gje po ju them: une as kam shpikur as kam ndermend te shpik ndonje ide. Une vetem pasqyroj dhe reflektoj eksperiencen ne nje institucion shkencor te nje vendi shume te zhvilluar Europian. Dhe sigurisht, po te kishit kuptuar thelbin e shkrimit tim, qe reflekton kete eksperience, dhe te njiheshit me historine e suksesit te kitij institucioni (jo i vetmi ne kete vend), sigurisht qe do te fleitnit ndryshe.

Submitted by Popull (not verified) on

Artikulli shtjellon shumë mirë nevojën dhe trajton në vija të përgjithshme mënyrat e realizimit të formalizimit të mendimit shkencor në institucione të besueshme dhe efikase.
Do të ndalesha pak tek komenti i z. Cata.
Problematika e parë lidhur me terminologjinë nuk mendoj se qëndron pasi nuk ka ndonjë arsye që të pengojë një institut kërkimor të zhvillojë njëkohësisht aktivitet me fokus shkencën aplikative dhe aktivitet me fokus studime shkencore të mirëfillta. Përkundrazi, prezenca e specialistëve të fushës e bën më të lehtë kombinimin e dijeve. Aq më tepër kur universitetet shqiptare, që me të drejtë i cilësoni të vdekur në aspektin shkencor-studimor, nuk e kryejnë rolin që duhet të luajnë. Por edhe nëse universitetet do të ishin në nivelin e duhur kërkimor shkencor, zhvillimi i studimeve të mirëfillta shkencore në institucione të tjera nuk do të ishte kurrësesi pengesë, përkundrazi!

Sa për problematikën e dytë do të thoja që metodën e paraqitur nga Z. Kaba e kam parë të realizuar me sukses në vende tashmë të zhvilluara që prej kohës kur këto vende ishin në nivelin tonë aktual apo dhe më keq (sukses do të thotë që i kanë dhënë sektorit përkatës shtytjen dhe zhvillimin e duhur duke e kthyer investimin shumëfish për ekonominë e vendit). Këtu privati edhe pse i pa interesuar të paguaj qoftë edhe 1% në radhë të parë do të jetë i detyruar (nga vlera e kontratës së prokuaruar nga shteti - në rast financimi të projekti nga buxheti - autoriteti kontraktor do të mbajë për t'i paguaj përqindjen e caktuar institucionit kërkimor që mbulon fushën përkatëse). Kundrejt kësaj pagese instituti detyrohet të realizojë vlerësimet, oponencat, kërkimet e nevojshme për secilin rast. Sot veprat që konsumojnë buxhete marramendëse dhe që reklamohen me pompozitet nga qeveritë, dalin të jenë realizuar me cilësi jashtëzakonisht të dobët pikërisht për shkak të mungesës së një hallke të tillë: hallkës që lidh ekonominë e tregut (kompanitë që fitojnë tendera) me atë që i financon (autoritetin kontraktues / shtetin) duke evituar miliarda të rrjedhura në sitën e korrupsionit dhe duke vendosur gurë të rëndësishëm themeli në arritjen e standardeve të merituara për paratë e shpenzuara. Duke qenë se pagesa (mendoj se) nuk do të kryhet nga privati në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por do t'i mbahet atij nga pagesa (e rregulluar kjo me ligj të posaçëm - roli i shtetit), nuk ka as arsye që në një moment të dytë këto institucione kërkimore të "klithin" për ndihmë me duart nga shteti. Në fund ju them se këto institucione nuk janë detyrimisht të kufizuar në angazhimin e specialistëve vendas kështuqë edhe teza e juaj e "besueshmërisë" bie.

Problemin e tretë që ngrini nuk po e komentoj gjatë pasi më duket absurde të mendosh që shteti nuk mund të jetë (për më tepër pothuaj edhe pa kosto) "mburoja" dhe "garancia", pasi mendoj se jo për këto institucione kaq thelbësore për zhvillimin e vendit, por edhe për çdo herë kur pi një gotë ujë, "garancia" dhe "mbrojtaja" ime e vetme është shteti!

Megjithat jam dakord me ju se këto ide duhen rrahur mirë mes ekspertëve të secilës fushë në veçanti para se të marrin formën dhe rolin e duhur.

Me respekt
D

Submitted by kaba (not verified) on

Shume sakte zoti D. Perceptim perfekt, pergezime!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.