“Berisha dhe Rama të ikin në shtëpi. Vendit i duhen juristë dhe ekonomistë, jo doktorë dhe piktorë”

Postuar në 28 Gusht, 2016 10:28

Bujar Kapexhiu është bërë disi lajm së fundmi me shfaqjen e tij në Dibër krah kandidatit të PD-së, Sherefedin Shehu. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare” mbi këtë fakt, Kapexhiu ka sqaruar se ndodhej në Dibër për promovimin e librit të tij “Kthesë”. Por Kapexhiu nuk ka shmangur një prononcim mbi situatën politike duke vënë theksin te nevoja që Sali Berisha dhe Edi Rama të lënë skenën politike.

“Është bindje e imja se sot duhet të drejtojnë dhe të udhëheqin ekonomistët dhe juristët dhe jo doktorët dhe piktorët. 26 vite më parë të gjithë u ngritëm për të rrëzuar diktaturën komuniste dhe në krye të vendit u vunë doktorë apo njerëz me profesione të tjera. Morën postet sipas meritave, merita duhet të jetë sipas profesionit. Ajo kohë ishte ndryshe dhe ata njerëz kishin merita për aty ku u vunë, kurse sot është ndryshe. Është në bindjen time se profesioni duhet të ketë vlerë dhe ekonomistët dhe juristët duhet ta drejtojnë këtë vend. Iku koha kur drejtonin doktorët dhe artistët, ata kishin meritat e tyre, por sot është koha e profesioneve dhe u duhet besuar atyre drejtimi i vendit...Po, e kam fjalën për doktor Berishën dhe për artistin Rama. Të dy duhet të ikin në shtëpi. Unë i njoh të dy dhe i kam miq, por duhet t’u lënë vendin ekonomistëve dhe juristëve në këtë vend. Me doktorin jemi dhe moshatarë dhe kam njohje të hershme që në kohën e rrëzimit të diktaturës dhe e vlerësoj si njeri dhe meritat që ka pasur në rrëzimin e diktaturës, por ka ikur ajo kohë. Edhe me z.Rama kam njohje të hershme që në Liceun Artistik. Kemi qenë kolegë dhe ka pasur një baba të jashtëzakonshëm. Z.Rama ka një penë të mrekullueshme, është i talentuar si artist, por vendit nuk i duhen më artistët dhe doktorët, i duhen juristët dhe ekonomistët si Sherefedin Shehu”, tha Kapexhiu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.