Pse kjo heshtje imunitare e opozitës ndaj korrupsionit të LSI-së?

Postuar në 24 Gusht, 2016 18:18

Para tri ditës, ish-kryeministri Sali Berisha denonconte një aferë (kontratë qeraje) të Postës Shqiptare. Shkruante Berisha në Facebook:

Sadri Abazi merr 55.000 euro qera nga Cela i Rames. Posta i paguan atij 2 here me shtrenjte se sa ne Bllok qerane e metrit katror tek Treni! Te dashur miq, dokumentat e meposhtme provojne se si Sadri Abazi vjel qera 4600 euro ne muaj dhe 55.000 ne vit para te taksapaguesve nga Posta Shqiptare! Ne pranveren e 2014 (kur u lidh kontrata) objekti i paligjshem ishte ende duke u ndertuar dhe kontrata lidhet qe do fillonte kur objekti te perfundonte me 31.05.2014!!!

Dhe në fakt kjo çështje sot ka patur disa zhvillime, me një reagim për "AbcNews" të bashkëshortes së Sadri Abazit, sipas të cilës çmimi është shumë i ulët, por ky lëshim është bërë “për të mirën e taksapaguesve shqiptarë”. Çka do të thotë se mirë që rregullojnë kaq mirë punët e tyre, por edhe na tallin hapur.

Sadri Abazi është deputet i PS-së dhe sipas dokumenteve që janë publikuar nga Berisha është në shkelje të Kushtetutës. Një shqyrtim i mandatit të tij është i nevojshëm, jo vetëm pse PD-ja po kërkon spostimin e tij dhe të “fortëve” të tjerë nga zonat e Veriut, por edhe sepse kështu e kërkon ligji.

Nga ana tjetër, ky denoncim i Berishës kap në flagrancë edhe vetë atë si dhe Partinë Demokratike. Kontrata është lidhur nga Ardit Çela, ish-drejtor i Postës, një njeri që Sali Berisha e quan emërim të Edi Ramës. Në fakt është e pavërtetë: Ardit Çela një këshilltar bashkiak sot, mbi të cilin ka ndjekje penale, apo ka patur, vjen nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Sepse Berisha e di shumë mirë që ka disa institucione si Posta, AKEP, e ndonjë drejtori tjetër ku vërshojnë para, ku Ilir Meta është si ai ruajtësi i karvaneve në Perandorinë Osmane. Ndaj të shmangësh një akuzë për LSI-në në këtë rast për të lidhur në çark Sadri Abazin, është shumë e pandershme.

Njësoj si në rastin e Klement Balilit, ikja e të cilit pa gjurmë, është akuzë mbi ministrin e tredhur, Sajmir Tahiri, por po aq edhe mbi Ilir Metën. Opozita humbet besueshmërinë kur luan në këtë mënyrë, duke trajtuar korrupsionin e LSI-së si çështje të dorës së dytë. Është e vërtetë që PD-ja ka shumë pak shanse për pushtet duke luftuar sot të dyja partitë në pushtet, por është një e vërtetë edhe më e madhe që del nga vetë denoncimet e Berishës: Të dyja partitë po vjedhin mbaraz me një sistem plaçkitjeje ndaj të cilit nuk mbyllen sytë. E ndaj të cilit nuk ka të imunizuar. Më mirë do të ishte që opozita t’i trafikonte këto materiale në mediat e veta, sesa të ndiqte këtë lloj axhende. Do të ishte më e zgjuar të paktën. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.