Projektohet Aleanca e Jugut, nismë e Cipras për forcimin e Europës

Postuar në 23 Gusht, 2016 12:11

Liderë të shtatë vendeve anëtare të BE, do të takohen muajin e ardhshëm në Athinë, në përpjekje për krijimin e një aleance përballë problemeve me të cilat po ndeshet Unioni.
Presidenti francez Hollande, kryeministri italian Renzi, ai i Spanjës Rajoy, kryeministrat e Portugalisë dhe Maltës, dhe presidenti i Qipros, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, për t’u takuar më 9 shtator në Athinë.
“Në fillim të shtatorit do të ketë një takim të Europës Jugore, që është propozuar nga kryeministri grek, Aleksis Tsipras, dhe që presidenti Hollande e ka pranuar”, deklaroi në Paris zëdhënësi i qeverisë franceze, Stephane le Foll (Stefan le Fol).
Takimi, që do të mbahet nën titullin “Konferenca e Europës Jugore”, përfshin në axhendën e vet çështje kardinale për vendet e kësaj pjese të Bashkimit Europian.
Zyrtarë të vendeve pjesëmarrëse po konsultohen për finalizimin e axhendës përfundimtare. Ekonomia, siguria e brendshme dhe e jashtme, por edhe Brexit, pritet të diskutohen në takimin e Athinës. Pala greke shpreson që për këto çështje madhore të gjenden pika të përbashkëta midis vendeve të Jugut të Europës, me qëllim që të hartohet një strategji, gjithashtu e përbashkët. Burime qeveritare në Athinë kanë thënë se do të ishte veçanërisht e rëndësishme nëse nga takimi rezultonin angazhime konkrete, të përmbledhura në një dokument.
Përtej rolit që mund të luajnë këto konkluzione në politkat që do të zbatojë në të ardhmen bashkimi Europian, pala greke kërkon të theksojë edhe një dimension kombëtar të iniciativës së kryeministrit Tsipras.
Për mbështetësit e kryeministrit kjo është një lëvizje që e rrit rolin e Greqisë në skenën ndërkombëtare, por e shndërron edhe vetë Tsiprasin në një aktor kryesorpër krijimin e axhendës së re europiane.
Por kritikët thonë se takimi do të jetë thjesht një formalitet, pa rezultate konkrete. Kritizerët shtojnë gjithashtu se iniciativa e kryeministrit Tsipras kërkon të zhvendosë vëmendjen e opinionit nga negociatat e vështira të Greqisë me kreditorët, që rifillojnë në ditët e para të muajt të ardhshëm.

https://www.rtbf.be/info/monde/detail_la-reunion-de-l-europe-du-sud-dema...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.