Vëzhgim: Pse i mbron përherë të akuzuarit?

Postuar në 19 Gusht, 2016 21:47

Sot kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në Facebook, mori në mborjtje punën e Erjon Veliajt në Tiranë. “Tirana po rilind çdo ditë, nën lidershipin shembullor të kryebashkiakut të ri dhe falë edhe programit kombëtar të Rilindjes Urbane, kryeqyteti është kthyer në kantierin e ambicies për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër”, shkruante Edi Rama sot.

Ky status është vula e mbrojtjes politike që kryeministri i bën Veliajt, një investim personal i tij në politikë, pas akuzave dhe skandalit me landfillin e Sharrës. Aty ka humbur jetën një njeri, janë publikuar edhe materiale audio, e në fund, sot, u përfol në media largimi i gazetares Tota që kishte ndjekur çështjen. Veliaj nuk ka ditur të përgjigjet, apo të sqarojë si qëndron puna me këtë skandal, por tashmë nuk ka nevojë, pasi Kryeministri ka shpallur mbrojtjen e tij.

Ky shembull nuk është i vetmi. Para disa muajsh në qendër të akuzave ishte Ilir Beqja me konçesionet e çarçafëve dhe gërshërëve. Ministri i Shëndetësisë ka një çështje penale të hapur për vartës të tij për barbat, kompania e tij e dikurshme, që operon në fushën e IT-së, ka rritje xhiroje të madhe, gati jonormale për tregun ku operohet. Edhe atëherë e njëjta skemë: pasi për javë të tëra nuk foli dhe la median të godiste ministrin që nuk dinte si të mbrohej, një status në Facebook i kryeministrit, vendosi vulën se Beqja ishte njeriu i tij.

E njëjta gjë edhe me ministren Kodheli, që mbulon mbrojtjen, kur ndodhi ngjarja e helikopterit. Por Kodheli ka patur shumë më pak nevojë për mbrojtje sesa kolegu i saj i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Këtë të fundit Edi Rama e ka marrë në mbrojtje përherë, ndonëse skandali që ka rrethuar atë ka qenë i përmasave të mëdha. “Baltë mbi policinë, baltë mbi reformat”, ka shkruar kryeministri.

E ndërkohë që akuzonin sektorët në fjalë deri më dje për shkelje gjithfarëshe, asnjë procedim nuk u pa për parardhësit, asnjë dosje. Jo, kryeministri pasi shikon ministrat e tij, që nuk janë as deputetë të telendisen me tenderat që vetë bëjnë, u del në mbrojtje në fund. Duke përcjellë mesazhin se përpara drejtësisë ata duhet të falen aty. Dhe skema funksionon. Nuk kemi dëgjuar në asnjë rast kreun e qeverisë të thotë atë që tha për Tom Doshin, pra të çlirojë ministrat nga barra e përgjegjësisë, e të shkojnë të sqarojnë çështjen në prokurori. Këtu po spekullojmë me arsyet politike, pasi nuk kemi të dhëna që të hipotetizojmë për arsye të tjera...

Një shpresë është reforma në drejtësi, siç na është thënë. Aty ku do të operojë një prokurori e posaçme. Mbetet për t’u parë, por këtë praktikë të mbrojtjes së atyre që perceptohen si kufoma politike, e ka ndjekur shumë Sali Berisha, pse kështu siguronte shërbimin e verbër të të “pakallurve”. Një skemë djallëzore dhe fatkeqe e cila e bën shumë të dyshimitë pasojën e një drejtësie të vërtetë apo të paktën më të mirë sesa kjo që kemi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.