Të njëjtat saze për nenin antimedia/Xhafa: Keqkuptim. Do ta riformulojmë. LSI-ja ngre supet: Nuk ishte në draftin e parë

Postuar në 18 Gusht, 2016 15:55

Neni 13 i ligjit për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion do të ndryshojë. Sot fatmnir Xhafa dhe Petrit Vasili, dy përfaqësues të koalicionit qeverisës për reformën në drejtësi kanë përcjellë qëndrimet e tyre për këtë çështje. Vasili i LSI-së ka deklaruar se neni 13, që flet për “influencat e papërshtatshme” në punën e prokurorëve duke përfshirë edhe mediat, nuk ka qenë në draftin e parë. Një pohim që nuk ngre asnjë pikëpyetje për autorësinë e tij të qartë dhe metodën e përfshirjes së nenit, ashtu si prej skuthi.

Fatmir Xhafa i PS-së ka dhënë tjetër lloj sqarimi nga ai që dha një ditë më parë Pandeli Majko.

Neni 13 i ligjit për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion është një zhurmë e panevojshme. Në vetvete neni nuk ka të bëjë me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe prokurorinë. Ka të bëjë me pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme që ka punë shumë delikate dhe me konflikt. Ndaj është e nevojshme që të mbrohen prokurorët nga çdo ndikim i paligjshëm që deformon hetimin. Futja e medias nuk kishte qëllim censurën, por ndalimin e përdorimit të medias si instrument për presion. Në mënyrën si është shkruar, mund të keqkuptohet. Ndaj duhet ndryshuar e riformuluar”, tha Xhafa. Që ka pranuar pra se ka një përpjekje për të mbajtur çështjet nën hetim larg medias.

Këtu mund të abstragojmë se për çfarë e ka fjalën ky “sazexhiu” i reformës në drejtësi, që ka mbrojtur deri më sot çdo opsion politik të PS-së që është hedhur në tryezë që nga drafti fillestar, i rrëzuar për turp nga Venecia e deri te ndryshimet kushtetuese. Ndoshta fjala është për publikimin e materialeve hetimore në media, nisur nga çuditë që kemi parë vitin e kaluar, kur edhe video e takimit mes Tom Doshit dhe Durim Bamit në mjediset e prokurorisë, doli në media. Po kështu edhe urdhëri i Interpolit për Mark Frrokun që solli largimin e Artan Didit, njësoj si edhe shkresa e policisë për kërkimin e një personi që thuhet se hyri në makinën e ish – deputetit Frroku. Por në asnjë rast nuk ka patur ndjekje penale dhe hetim për nxjerrjen e sekretit hetimor. Me sa duket kërkohet parandalimi i kësaj loje, duke intimiduar median në publikime, por “influencat e papërshtatshme”, termi i përdorur  në nenin 13, është evaziv dhe përçon edhe njëherë logjikën e ekspertëve të çorbës së ndryshimeve kushtetuese.

Neni 13 është i formuluar në këtë mënyrë:

Çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj”.

Mbetet për t’u parë çfarë do sjellë Xhafa me riformulimin. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.