Qeveria shqiptare dhe serbe takohen në Nish me pjesëmarrjen e Kosovës

Postuar në 17 Gusht, 2016 18:43

Një takim i përbashkët i qeverisë së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve politik të shqiptarëve të Kosovës, pritet të mbahet brenda një muaji në Nish, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të afërta me Qeverinë në Beograd. Hollësitë e takimit nuk janë saktësuar, por mendohet se në këtë takim nuk do të marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ose kryeministri Isa Mustafa, por një nivel më i ulët politik. Delegacionin e Shqipërisë do ta udhëheqë kryeministri Edi Rama. Takimin në Nish, që ende është në fazën e planifikimit, e inicioi Beogradi dhe koncepti i tij është që të mos jetë dialog ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb, por dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova. Në takim, siç i është thënë "Radios Evropa e Lirë", në mënyrë jozyrtare nga burime të afërta me qeverinë e Serbisë, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues serbë e shqiptarë nga rajoni, por lista përfundimtare ende nuk është përcaktuar. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i tha nënpresidentit amerikan Joe Biden, gjatë vizitës së këtij të fundit në rajon, në një periudhë të ngecjeve të përparimit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se brenda një muaji “do ta mirëpres kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama”, por edhe liderë të tjerë nga Kosova, pa saktësuar për kë bëhet fjalë...

“...Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, tha Vuçiq.

Analistë në Beograd, ndërkaq, thonë se ftesa për praninë e zyrtarëve nga Kosova krahas kryeministrit shqiptar mund të bëhet me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, që kalon nëpër Kosovë. Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie etnike në Beograd, i tha "Radios Evropa e Lirë" se në këtë ceremoni mund të marrë pjesë ose kryeministri ose presidenti i Kosovës...

“Me sa jam i njoftuar, përveç Edi Ramës, në bisedat politike me këtë rast, do të vijë edhe Isa Mustafa (kryeministri i Kosovës) ose Hashim Thaçi (Presidenti i Kosovës). Ky është fakti se autostrada po financohet në kuadër të procesit të Berlinit “Ballkan gjashtë”, anëtar i së cilës me të drejta të plota është edhe Kosova”, thotë Dushan Janjiq për "Radio Evropa e Lirë".

 

 

"Radio Europa e Lirë"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.