Për një Shqipëri pa kosovarë

Postuar në 17 Gusht, 2016 10:11
Ervin Baku

Natyrisht nuk e kam fjalën për mijërat e turistëve kosovarë, që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre. Nuk e kam fjalën as për kosovarët që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në shtetin tonë. Sepse janë në shtetin e tyre. Jo, jo do të flas vetëm për sportin. Bëhet fjalë për Kombëtaren tonë të futbollit. Dhe sot, në prag të eliminatoreve të Kupës së Botës “Rusi 2018”, jemi përballë një realiteti krejt të ri. Jemi përballë një fakti të kryer. Kemi dy shtete, dy flamuj, dy himne dhe për rrjedhojë kemi dy Kombëtare. Dhe nuk jemi më një, ashtu siç do të ishte dëshira e zjarrtë e çdo shqiptari këtej dhe andej kufirit. Kosova u pranua me të drejta të plota në FIFA dhe në UEFA. Dhe për këtë arritje të madhe të Kosovës punuan dhe lobuan fort, bashkërisht të gjithë aktorët e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Atë që ndodhi dy ditë më parë e kam paralajmëruar prej kohësh. Milot Rashica, me gjithë të drejtën e Zotit, zgjodhi të përfaqësojë vendin e tij, Kosovën. Mes shumë arsyeve të tjera, ai nuk e kapërdiu dot as eksperimentin e trajnerit De Biazi me Veselin. Natyrisht që Milot Rashica nuk është as Mesi, as Ronaldo. Por që gjithsesi është një futbollist mjaft i talentuar, që duhej marrë në Francë. Nejse, ky është një debat tjetër.

Pas Rashicës, Kosovës iu bashkuan edhe tre futbollistë të tjerë: Herolind Shala, Alban Meha dhe Valdet Rama. E respektoj plotësisht zgjedhjen e të katër futbollistëve. Ashtu siç kam respektuar zgjedhjet e Shaqirit, Xhakës, Berhamit apo të tjerëve. I uroj sukses të plotë në vazhdimin e karrierës së tyre. Me Kosovën, Zvicrën dhe klubet e tyre respektive. Nuk i kam quajtur kurrë tradhtarë. Përkundrazi, në sytë e mi ata janë të gjithë ambasadorë të Shqipërisë etnike. Le ta lëmë dhe inkurajojmë Kosovën të ketë një kombëtare të denjë. Kosova ka të drejtë të mbledhë të gjithë futbollistët e saj. Kudo që ata janë. Të falënderojmë me gjithë shpirt dhe zemër të gjithë futbollistët e Kosovës për kontributin e tyre në Kombëtaren e Shqipërisë. Përballë këtij realiteti të ri të Kosovës në futbollin botëror, kambana e alarmit bie edhe më fort për Shqipërinë. Sot, Shqipëria duhet të ketë Kombëtaren e saj me futbollistë shqiptarë të Shqipërisë. Nuk ka vend për panik. Talentet e Shqipërisë nuk mungojnë.

Ka plot shqiptarë që luajnë bukur futboll në mbarë Europën dhe më gjerë. Fëmijët e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë janë një kontingjent i mrekullueshëm. Ata duhen evidentuar, duhen seleksionuar. Sa më shpejt. Sa më parë. Jam i bindur që Shqipëria ka shumë Hysaj, Agollë, Memushaj, Cikalleshë apo Sadikë, etj. Por, nuk duhet ta kemi memorien e shkurtër dhe të bazohemi vetëm tek “Europiani 2016”. T’i heqim kapelen brezit të mrekullueshëm të Shpresave të vitit 1983. Ata eliminuan të madhen Gjermani Perëndimore. Pastaj tronditën eliminatoret e Kupës së Botës 1986. Barazuan 2-2 në Poloninë e Bonjekut të madh, mundën Belgjikën 2-0 në Tiranë (belgët do të renditeshin të katërtit në botë në Meksikë) dhe barazuan 1-1 me Greqinë, po në Tiranë. Ata ishin fare pranë Botërorit meksikan, por nuk përfituan nga ndonjë fitore e mundshme në tavolinë. E pra, jam i bindur se sot në Europë ka shumë Demollarë, Zmijanë, Ocellë, Josa, Minga, Kola, etj. Nga ana tjetër, FSHF-ja duhet të punojë fort për rritjen dhe zhvillimin e kampionatit kombëtar. Zhvillimin e detyrueshëm të akademive për çdo skuadër, ekipet zinxhir, etj. Sot, Shqipërisë do t’i duhet të kthehet te Shqipëria. Zgjedhje dhe zgjidhje tjetër nuk ka.

 

"Gazeta Shqiptare"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.