Stadiumi si pronë private/Përtej fasadës, arkitekti Aliaj flet për ekzistencën e një tuneli

Postuar në 15 Gusht, 2016 15:02

Arkitekti Besnik Aliaj, shpjegon sot në një postim në profilin e vet në Facebook, se poshtë stadiumit “Qemal Stafa”, aktualisht në transformim tërësor, ndodhet edhe një tunel. Sipas Aliajt, tuneli ndodhet në anën veriore dhe lidh stadiumin me objekte të tjera jashtë tij. Ai është ndërtuar që në fillim nga italianët, arkivës së të cilëve u referohet Aliaj për këtë çështje. Por ekzistenca e tunelit nuk është përmendur në projektin e ri, që eliminon kështu edhe një element tjetër të stadiumit të vjetër.  Shkruan Aliaj:

Nga dokumentacioni i Fondit Luce-Unesco mësohet se stadiumi olimpik “Qemal Stafa” në pjesën veriore të fushës pas portës ka patur edhe një tunel të nëndheshëm që lidhte stadiumin me objekte jashtë tij …

Nuk dihet shumë për këtë fakt për të cilin më kanë pyetur më parë edhe disa miq të tjerë, por tashmë kjo konfirmohet nga arkiva prestigjioze italiane, duke thelluar me tej skandalin që lidhet me këtë objekt historik …

Kjo sepse në kompleksin e ministrive në qendër po kthehen në muze disa llagëme te komunizmit, ndërkohë që këtu kemi pasur raste të tuneleve gjysëm shekulli më të vjetër, por aplikohet standard tjetër?!”.

Fasada u shkatërrua sepse shijet e kryeministrit e gjykonin një mballomë, ndonëse stadiumi ka një status ligjor si monument. Por kjo e tunelit, që sërish kërkon trajtim ligjor e institucional si duhet zgjidhur? Në çdo rast e mira e punës e do që qeveria të zbardhë dokumentacionin siç kërkonte PD-ja, pra në përputhje me Kartën e Restaurimeve, edhe pse projekti i ri i “Arenës Kombëtare” nuk është restaurim por rindërtim tërësor. Po kështu, kryeministri nuk mund të trajtojë vepra publike si shtëpinë e vet edhe sikur mendimi apo projekti i tij të jetë i dobishëm dhe i pranueshëm. Edhe sikur të ecim me standardet që vendos qeveria e Edi Ramës, edhe për ndërhyrje në shtëpi, kërkohet leje. Ky është ligji që u imponohet qytetarëve. Pse vallë një kryeministër i jep të drejtë vetes të ndryshojë kryeministrinë me “donacione miqsh”, apo të prishë fasada nisur nga shijet personale? Kaq i vështirë është një minimum sinqeriteti, apo një zbatim formal i ligjit, për vepra që i paguajmë lekët të gjithë? 

Comments

Submitted by arnaut (not verified) on

Ramen e ka kapur keq sindromi i pushtetit dhe ia ka cuar ne maksimum kompleksin e "gjithe-dijes" se tij
Ai di cdo gje dhe ne nuk dime.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.