“Një Kushtetutë e komplikuar që vështirë se do të kuptohet”

Postuar në 12 Gusht, 2016 12:29

Reforma në drejtësi dhe sidomos pjesa e ndryshimeve kushteuese që lidhet me të u trajtuan shumë në media muajt e kaluar. Por pa bërë asnjëherë një inspektim teknik të drafteve që mbaheshin edhe të fshehtë, pa një debat të hapur. Ndonëse reforma u promovua si reformë ekspertësh, ajo përfundoi në një proces politik presioni e shantazhi për nene dhe dispozita që amendoheshin dhe u ndryshuan sa për frymë antikushtetuese, aq edhe për të hequr kamzhikun nga duart e një krahu politik. Në një intervistë publikuar sot nga “Shekulli”, këshilltari i posaçëm për “Frostand Fire Consulting” në Tiranë, Agron Alibali, sqaron disa momente të saj, komplikmin e tepruar, inkosistencën në disa raste si dhe parregullsinë e procesit. Nuk mundet të jesh tolerant në hollësi me një reformë në drejtësi dhe ndryshimet në kushtetuese, ndaj edhe ky vëzhgim mbi shkeljet dhe rrëmujën e bërë edhe me ndihmën e ekspertëve të huaj ka rëndësi.

Cilat janë problemet me të cilat po përballet gjyqësori shqiptar?

Sistemi gjyqësor shqiptar është sot jo efikas dhe i korruptuar. Besohet se në çështje të caktuara, veçanërisht në konfliktet për pronat, vendoset në favor të atij që ofron më shumë. Shumë gjyqtarë kanë grumbulluar një pasuri të tillë, që nuk mund të justifikohet bazuar në rrogën që ka secili prej tyre. Shpesh çështje të caktuara marrin vite për t’u vendosur. Gjykatat e Apelit përmbysin vendime të gjykatave më të ulëta pa arsyetimin e duhur dhe këto çështje përfundojnë në Gjykatën e Lartë, duke krijuar stoqe të mëdha të rasteve të grumbulluara. Por do të ishte e gabuar ta kufizonim problemin te gjyqtarët e korruptuar. Nëpunësit, administratorët e gjykatave dhe sekretarët, avokatët privatë dhe madje edhe palët ndërgjyqëse luajnë gjithashtu rol. Problemi është i shoqërisë dhe duhet të trajtohet si i tillë. Situata aktuale e ka zanafillën në fillim të viteve 1990, pas daljes së vendit nga mbi 4 dekada udhëheqje nga sistemi komunist. Një nga masat më të diskutueshme që është ndërmarrë nga një qeveri postkomuniste, ishte përzgjedhja e gjyqtarëve në mesin e të diplomuarve të dalë nga kurset e shpejta të drejtësisë, çka çoi në një sistem ligjor të infektuar nga paaftësia, politizimi dhe korrupsioni. Ky hap i gabuar u korrigjua më vonë me krijimin e Shkollës së Magjistraturës, një gradë diplomimi e financuar fillimisht nga Këshilli i Evropës. Ndërkohë që u përmirësua cilësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm, lëvizje kjo që ushqehu gjithashtu një ndjenjë privilegji për shumë persona, duke çuar drejt krijimit të një sistemi me një kastë virtuale. Për më tepër, në emër të pavarësisë së gjyqësorit, strukturat e brendshme dhe vetëqeverisëse brenda gjyqësorit kanë dëshmuar se janë krejtësisht të paefektshme në ndaljen e korrupsionit dhe paaftësisë. Shumë gjyqtarë janë përfolur nga organet administrative për mungesë profesionalizmi ose për fshehje të pronave të tyre, të cilat janë pastruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Zyrat e prokurorisë në qarqe kanë dalë jashtë detyrës së tyre për luftimin e korrupsionit në gjyqësor në përputhje të plotë me ligjin. Së fundmi, shumë gjykatës janë vënë nën hetim dhe janë arrestuar, por vetëm pak raste kanë shkuar për dënim. Strukturat e brendshme gjyqësore, në shumicën e rasteve, kanë qenë të gatshme që të pezullojnë ose të dëbojnë nga radhët e tyre gjyqtarët e akuzuar për sjellje jo profesionale apo korrupsion. Në mënyrë të ngjashme, Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka regjistruar raste të pakta të heqjes së licencës për avokatët e korruptuar dhe ata privatë të paaftë.

Si do t’i adresojë këto probleme paketa e reformës në drejtësi, e kaluar së fundmi?

Paketa rinovon masivisht Kushtetutën dhe do të përforcohet me shtatë ligje shtesë që priten të miratohen në javët e ardhshme. Së pari, reforma kushtetuese ndryshon 1/3- n e Kushtetutës, duke përshirë dispozita që nuk kanë të bëjnë me reformën në gjyqësor. Disa nga këto ndryshime, irelevante, duhet të hiqen me qëllim që të sigurojnë mbështetje nga partitë e tjera parlamentare. Reforma krijon një sistem të errët dhe të komplikuar të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila do të përfshijë një Këshill për Emërimet në Gjyqësor, një Këshill të Lartë të Gjykatësve, një Këshill të Lartë të Prokurorëve, një Tribunal Disiplinor Gjyqësor, e kështu me radhë. Përveç kësaj, ajo krijon Operacionin Monitorues Ndërkombëtar, që i jep Bashkimit Evropian të drejtën kushtetuese për të bërë rekomandime gjatë procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë, si dhe kandidatëve. Të gjitha këto ndryshime janë përfshirë në të ashtuquajturën, shtojcë e Kushtetutës, e cila është e paprecedentë në Ligjin Konstitucional. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se korrupsioni është një fenomen social, rruga më e mirë e veprimit do të ishte një angazhim aktiv publik, që u jep të drejtën njerëzve të emërojnë, të zgjedhin, të konfirmojnë apo të rikthejnë në detyrë gjyqtarët. Vlen të përmendet se ekspertët e huaj punuan fort dhe patën një rol kyç në këtë reformë. Megjithatë, me gjithë respektin për ta, reforma gjyqësore do të duhej të ishte një proces tërësisht i brendshëm, që të çonte drejt një Kushtetute të bërë vetë dhe konçize. Në formën e saj aktuale, shqetësimi qëndron në faktin se Kushtetuta e Shqipërisë është komplikuar shumë dhe vështirë të kuptohet nga publiku.

Pse e kundërshtoi Partia Demokratike reformën dhe çfarë roli luajtën BE-ja dhe SHBA-të në zbatimin e paketës së reformës?

Partia Demokratike fillimisht e kundërshtoi reformën për shkak të kundërshtimeve parimore, oportunizmit politik, ose të dyjave arsye bashkë. Sidoqoftë, produkti final është përmirësuar në shumë aspekte në krahasim me draftin origjinal. Falë edhe opozitës së tyre, sistemi i vettingut është thjeshtëzuar dhe fuqia e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është reduktuar. Megjithatë, në tërësi procesi i reformës ka qenë i papërsosur. Mandati i Komisionit Parlamentar “ad hoc”, i themeluar në nëntor të 2014, ishte të fokusohej vetëm në reformën në gjyqësor. Komisioni veproi përtej mandatit të tij, sepse nuk ishte i veshur me autoritetin për të ndryshuar Kushtetutën. Komisioni nuk duhet të lejohej të bënte diçka të tillë, por në një farë mase u injoruan procedurat e rregullta kushtetuese dhe u shtua dispozita e diskutueshme e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kjo u arrit përmes një presioni të pamatë diplomatik nga ana e BE-së dhe SHBA-ve, që kërkuan të veprohej shpejt, me qëllim që të përparohej në integrimin e Shqipërisë në BE. Problemi lidhur me këtë qasje qëndron në faktin se para së gjithash reforma në gjyqësor duket të bazohej në përfitimet e popullit të Shqipërisë. Veç kësaj, reforma me gjasë nuk do ta afrojë Shqipërinë drejt pranimit në BE, mbi të gjitha edhe për shkak të klimës negative të krijuar në BE rreth zgjerimit. Premtimi i mbrojtur fuqishëm për një nisje të shpejtë të negociatave për anëtarësim bëri hapa mbrapa pas aprovimit të paktës kushtetuese. Ky presion i jashtëm, i cili rezultoi të ishte faktori kyç në miratimin e shpejtë që iu bë paketës në seancës parlamentare të 21 korrikut, nuk mund të shihet si një sukses i BE-së. Ndërkohë që Shqipëria qëndron në mënyrë të vendosur në favor të integrimit në BE, dora e rëndë e ndikimit të Komisionit Evropian mund të zgjojë mendime të tjera në mesin e opinionit publik shqiptar lidhur me integrimin në BE.

“Shekulli”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.