Të parët në sportin e pafederuar të sherrit. Qeveria është përkrah sportit vetëm kur ka ndonjë rezultat

Postuar në 07 Gusht, 2016 17:31

Shqipëria merr pjesë në lojërat olimpike të Rio De Zhaneiros me disa sportistë. Ajo ka vendosur e para rekordin në këto lojëra. Por bëhet fjalë për rekordin e sporti të pafederuar të sherrit për të parakaluar i pari në ceremoninë e hapjes.

“Presidenti i Federatës së Peshëngritjes dhe trajneri i një sportisti janë zënë me njëri tjetrin se kush do të ecte në pistë. Kanë ndërhyrë sportistët e tjerë për të ndarë sherrin dhe incidenti u shua në momentin e fundit. Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar ka pranuar incidentet e raportuara në media me sportistët në Lojërat Olimpike në Brazil” – kështu raportohet ngjarja së cilës i shtohet edhe një tjetër, më komike: sportistja Evangjeli Veli nuk kishte kostum. Arsyeja është se ishte kualifikuar shumë vonë dhe nuk kishte patur kohë për të qepur një kostum. Po a mund të porositet një film që të jetë më komik se ky? Cilido qoftë buxheti.

Me siguri që jo, sepse asgjë nuk e zëvendëson spontanitetin. Por këtyre që zihen kthinave me njëri-tjetrin për të dalë i pari apo i dyti, edhe u falet dhe nuk duken aq keq, krahasuar me spontanitetin e kalkuluar të kryeministrit buzagaz dhe ministres që i rend nga pas, sa herë ka fitore apo ndonjë rezultat pozitiv. E pamë p.sh me kombëtaren sesi u vërsulën të gjithë për të marrë nga një copë nga dafina e “fitores”, e cila u vyshk në furrën përvëluese të vapës që po ziente në atë autobus të hapur në rrugët e Tiranës.

Sa për rezultatet e sportistëve, Rio është larg dhe asnjë prej tyre nuk ka tifozë dhe brohorima. Kështu që të vrasin veten. Heshtje nga kryeministri, që premtoi rilindjen e sportit dhe përfundoi në konstruktor i ndonjë stadiumi. Heshtje edhe nga ministrja e Sporteve, e cila u dogj njëherë me elozhet për peshëngritësit që dolën mandej me dopping. Nikolla duket se ka ndërmend që të propozojë edhe ndryshimin e emrit të ministrisë që drejton, nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit në Ministri të Arsimit dhe të Arritjeve Sportive. Ç’punë ka ministria me sherrxhinj dhe njerëz që s’kapin asnjë rezultat?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.