Ndjenjat vs faktet - Fushata presidenciale në SHBA

Postuar në 06 Gusht, 2016 23:23
Bilbil Beqiri

Fushatën elektorale të Amerikës po e ndjek gjithë Shqipëria me vëmendje. E them këtë sepse portalet postojnë vazhdimisht zhvillime në lidhje me zgjedhjet në Amerikë. Në youtube kam ndjekur televizionet kryesore në vend (Tv Klan, Top Channel) me kureshtje dhe kam parë sesi lajmet në lidhje me fushatën elektorale në Amerikë marrin views (shikueshmëri) më shumë sesa shumë lajme apo zhvillime të vendit tonë. Shto edhe faktorin Trump, i cili me stilin e tij ka tërhequr edhe më shumë vëmendjen te këto zgjedhje, të cilat nuk janë vetëm zgjedhje të një vendi, por përbëjnë edhe njëfarë shkolle për vendet e tjera.

Shumë analistë në Amerikë kryesisht pro demokratë, e kanë cilësuar fushatën si betejë midis ndjenjave dhe fakteve. Këtu aludohet për demokratët si prezantues faktesh ndërsa republikanët ose më sakte Trump-in, si një njeri pa fakte, që thjesht luan me ndjenjat.

Dhe në fakt kanë të drejtë në këtë konstatim të tyrin. Sepse janë të shumta rastet kur Trump-i dhe ndihmësit e tij përdorin shprehjen (It feels) e përkthyer nga unë (Ndjehet). Madje kanë shkuar aq larg sa thonë që ‘-Ndjehet që ekonomia po shkon keq, ose -Ndjehet që është rritur krimininaliteti’. Kur me statistikat e FBI-së gjatë periudhës së Obama-s në Amerikë, kriminaliteti ka rënë në nivelet më ulëta të 20 viteve të fundit.

Ndërsa Trump-i dhe ekipi i tij kanë kuptuar që artikulimi i perceptimeve që rezonojnë me ndjenjën, pas një farë kohe për publikun fitojnë vlerën e faktit. Unë do ta quaja ekuacioni i Trumpit (feelings = facts) nëse e ke ndikuar ndjenjën e publikut për një kohë të caktuar.

Edhe Clinton-i ka filluar t’i japë goxha përparësi idesë se është e para femër kandidate për presidente. Pra fakteve të punës 8 vjeçare të demokratëve u ka shtuar dozë emocioni ose thënë ndryshe feeling. Sepse pa feeling nuk fitohen zgjedhjet. Nuk fitohen zgjedhjet vetëm me fakte për arsye se populli nuk i percepton mirë tabelat me të dhëna apo statistikat. Populli kërkon fushatë me feeling, me ndjenjë, me frymëzim. Amerikanët i dinë mirë punët e veta, po e  bëra këtë parashtrim për të kaluar në kontekstin shqipëtar.

Rotacionet politike në vendin tonë, në këndvështrimin tim kanë qënë meritë e ndjenjave. Thënë më thjeshtë ai krah politik që ka frymëzuar më tepër ka arritur të marrë edhe shumicën e votave. (Blerja e votës nuk konsiderohet frymëzimJ).

Frymëzimin ose feeling-un e merr përsipër lideri i partisë. Ndërkohë faktet janë një mekanizëm që gjithsesi funksionon. Sado bindës të zhvillohet proçesi i natyrshëm i revelimit të fakteve, prapë se prapë misioni mbetet i pamjaftueshëm pa feeling.

Konkteksti amerikan është një shembull që tregon shumë për mënyrat sesi udhëhiqen njerëzit në zgjedhje. Unë thjeshtë mora një aspekt që më shtyn të mendoj se edhe në kontekstin shqipëtar fitoren do ta marrë jo faktuesi por frymëzuesi.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.