Ka një reformë, por asnjë garanci se gjërat do të ndryshojnë për mirë

Postuar në 06 Gusht, 2016 15:52
Intervistoi: Elmaz Gorica

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, juristi Çlirim Gjata, në cilësinë e ekspertit, thekson se askush, as ndërkombëtarët, nuk kanë dhënë deri tani garanci se sistemi që do të ngrihet do të funksionojë. Duke qëndruar më tepër tek “Vetting”-u, Gjata ngre pyetjen se si do ta zgjidhin institucionet që do të krijohen problemin e fshehjes së pasurive dhe regjistrimit të pronave në emër të personave të dytë ose të tretë.

Përtej retorikës teknike të reformës, çfarë mendoni ju a është ky një proces politik apo ligjor?

Ky proces është aq politik sa kompromisi politik në arritjen e konsensusit është kthyer në qëllim dhe jo mjet. Konsensusi është mjet për të rritur cilësinë e ligjit, cilësinë e kushtetutës në mënyrë që të jetë më jetëgjatë në shërbim të njerëzve sepse sa më mirë t’u shërbejë njerëzve aq më jetëgjatë është kushtetuta. Përkundrazi konsensusi është kthyer në qëllim në vetvete, jo në mjet për arritjen e qëllimit. Mjafton të arrihet kompromisi, por se çfarë ka brenda ky kompromis nuk do t’ia di njeri fare. Unë këtë kam e kundërshtuar dhe vazhdoj ta kundërshtoj. Askush nuk ka diskutuar për cilësinë e përmbajtjes së asaj që është arritur me kompromis, për cilësinë e Kushtetutës së re që sapo u miratua. Çfarë garancish jep që në të ardhmen nuk do të ndodhin prapë ato që kanë ndodhur deri më sot, që do të krijojë një sistem drejtësi që mbështet në tre elementë; të pavarur nga politika, të aftë profesionalisht dhe të pakorruptueshëm. Sa do të arrihen këto mbetet të shohim. Por kjo është edhe fatkeqësia se ne ia lëmë kohës në dorë. Mbetet të shohim thamë edhe për Kushtetutën e vitit 1998, por dështoi sistemi gjyqësor që u ngrit prej saj dhe jemi këtu ku jemi. Tani mbetet të shohim me sistemin e ri. Sa politik është? Të gjitha palët ruhen nga njëra-tjetra që të mos e kap asnjëra, ose ta kapin të dyja nga pak që të ruajnë njëra-tjetrën që të mos e kenë në dorë. Por kjo nuk sjellë cilësi.

Që kur filloi debati për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe gjatë gjithë procesit, ata që u stigmatizuan më tepër ishin njerëzit e drejtësisë. Ku do merren zyrtarët për institucionet që do të ngrihen, nga ky sistem që kemi apo jashtë tij?

Qëndron si problem. Për këtë qëllim u bë edhe “Vetting”-u, për të pastruar sistemin nga të korruptuarit dhe të paaftët, se nuk flitet për “Vetting” në politikë dhe administratë, aty ku duhej të niste realisht reforma. Por dakord le të fillojë dhe aty. Madje nuk kam qenë shumë i shqetësuar se gjyqtarët dhe prokurorët nuk po reagonin, zero ka qenë reagimi i tyre, gati-gati si në atë përrallën që gomarin po e hante ujku, ai thoshte bëje Zot ëndërr. Kështu ka ndodhur edhe me gjyqtarët dhe prokurorët tanë. Nuk kam qenë i shqetësuar se po bëhej “Vetting”-u dhe po i heqin sepse historikisht në Shqipëri reformat kanë qenë hiq njërin dhe vër tjetrin, pra reforma njerëzish. Duan t’i heqin t’i heqin, nuk më shqetëson aq kjo. Por problemi është, ku do t’i gjejnë të tjetër që do të plotësojnë ato tre komponentët e pastërtisë, aftësisë dhe pavarësisë, pavarësisht se “Vetting”-u do të bëhet gradualisht dhe të rinjtë do të vijnë gradualisht. Por pyetja që duhet të shtrohet është a garanton ky sistem që nuk do të degjenerojë si sistemi i më- parshëm, se njeriu varet nga sistemi, jo nga ndërgjegjja e tij se një mund të jetë i pastër por të tjetër jo. Pra edhe sikur t’i gjejmë, ku është fabrika që do prodhohen ato minionët e verdhë të cilët do jenë vetëm punëtorë të pakorruptueshëm. Ta zëmë se u gjet fabrika dhe u prodhuan minionët dhe i zëvendësuan gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Por, a garanton sistemi që edhe këta nuk do të bëhen të tillë?

Në këtë reformë është parashikuar edhe ngritja e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, dy organe që në thelb do të luftojnë korrupsionin. Sa garanci krijojnë këto për sistemin e ri që pritet të ngrihet sepse aktualisht ne i kemi strukturat që luftojnë korrupsionin po rezultatet kanë munguar?

SPAKU do jetë një strukturë e jashtëzakonshme në mënyrën se si është krijuar dhe unë këtu shpresoj. Është e vetmja pikë që unë e kam duartrokitur në Kushtetutë, pra krijimi i një institucioni të veçantë. Këtu problemi qëndron tek përballja që do ketë SPAKU me politikën ose e politika me SPAK-un. Pse? E shtrojmë si pyetje, a është e interesuar politika shqiptare të krijojë institucione të pavarura që të fusë në burg politikën shqiptare, pra të pjell policin që do fusë politikën në burg, a është e interesuar politika të presë me sopat degën e pemës ku është ulur vetë, pra mundet kjo politikë ta bëjë këtë? Pra, them që reforma nuk duhet të fillonte në drejtësi, por në politikë dhe organizimin kushtetues të institucioneve të larta politike. Organet e drejtësisë vijnë pas. Kjo politikë që bëri Kushtetutën e 98-ës është prapë sot. Ajo që më bën skeptik është që ky është një model i paparë kurrkund. Më gjeni një vend të zhvilluar perëndimor jo si gjeografi, por të zhvilluar që është bërë ky eksperiment. Ku është marrë ky model? Është bërë vetëm për Shqipërinë? Kush mban përgjegjësi nëse eksperimenti dështon, nëse kavja shqiptare vdes. Pavarësisht se e kam duartrokitur SPAK-un, kjo do t’i ngelet kohës për rezultatet.

Nga kërkimet më ka rezultuar se ato vende që kanë bërë reforma të ngjashme me këtë në Shqipërinë, e kanë shoqëruar procesin edhe me reformë zgjedhore për të mos e ndryshuar kushtetutën shumë shpesh. A duhej të ishte bërë edhe në vendin tonë?

Gjithçka fillon tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Po nuk pati zgjedhje të lira dhe ligje që i garantojnë zgjedhjet e lira, nuk mund të ketë qeveri, parlament dhe institucionet e duhura. Aty fillon gjithç- ka. Nuk e diskutoj këtë. Por, prapë edhe reforma zgjedhore dhe zgjedhjet e lira janë mjete jo qëllime. Kjo duhej shoqëruar me reformimin total të institucioneve kushtetuese. Parlament me dy dhoma, me senat dhe president nga populli. Me një sistem tjetër zgjedhor, dhe jo me këtë që kemi ku kryetarët vendosin për gjithçka, ku populli t’i zgjedhë vetë përfaqësuesit e tij. Sot shqiptarët nuk zgjedhin drejtpërdrejtë, vetëm kryetarët e bashkive zgjedhin, tërë të tjerët janë me lista. Të kemi mundësi të zgjedhim presidentin, senatin dhe gjithçka. Reformë zgjedhore e shoqëruar me reformë totale kushtetuese, por këta u morën me pasojën jo shkakun. Këta bën vetëm reformën në drejtësi, me një ndikim dhe presion të fuqishëm të ndërkombëtarëve, qoftë edhe me mesazhe. Kjo u pa edhe ditën e fundit. Por, këta ndërkombëtarë sot nuk kanë dhënë ende garanci për funksionimin e kësaj reforme. Unë nuk e kam problemin me presionin, se kjo tashmë nuk është më e re në Shqipëri, por me garancinë që jepet për funksionimin e sistemit. Deri tani nuk ka dalë askush të garantojë.

Por ata thonë që garanci do të jetë Operacioni Ndërkombëtar i Kontrollit dhe procesi i “Vetting”-ut?

Unë them që “Vetting”-u do ketë sukses nëse ua lënë ta bëjnë shqiptarët, sigurisht me kontrollin e ndërkombëtarëve. Por nëse ia lë “Vetting”-un ndërkombëtarëve, ta ekzekutojnë ata, nuk kanë për të nxjerrë gjë në dritë. Po ju mendoni se e kam zor unë, bie fjalë, t’ua u hedh ndërkombëtarëve. Po ku i njeh ndërkombëtari ligjet tona po ta pyes profesionalisht gjyqtarin, se për çfarë do ta pyes ai gjyqtarin shqiptar, do ta pyes për ligjet dhe kushtetutën tonë, dhe jo atë amerikane. Cili gjyqtar dhe prokuror nuk do dalë i pastër? Kemi institucionin e deklarimit të pasurive, pse nuk i zbulon ky institucion ku janë fshehur pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, paratë e tyre që nuk justifikohen. Si do ta zgjidhim këtë, kur gjyqtari p.sh do deklarojë një apartament, një makinë, një shumë modeste në bankë, një orë tre mijë lekëshe të blerë në treg, meqë ndërkombëtarët i kanë merak kë- to orat dhe pastaj do deklarojnë edhe nja dy vila në emër të vjehrrit? Gjyqtarin do ta quajnë të korruptuar, por çfarë do masash do marrin ndaj tij? Si do ta zgjidhim këtë, këtu fillon e gjitha. Këtu do vijë e gjitha! Vetëm nëse i shkarkojmë në mënyrë abuzive, por kjo nuk është demokraci. Nuk është problemi pse ne po njohim “Vetting”-un, njihen në shoqëri këto rrëshqitje. Unë do të qëndroj tek ardhmja, e ardhmja si e tashme. Ia mbaroi “Vetting”-u, u rregullua Shqipëria për momentin, u bë parajsë, pasnesër çfarë do të bëhet, sepse i gjithë problemi është tek sistemi, jo tek njeriu.

“Kushtetuta e 98-ës është ndryshuar 5 herë brenda 17 vitesh. Ç’kuptim ka kjo?”

Në fillim kur u bë reforma në drejtë- si, a duhet të ishin përfshirë edhe ekspertë të tjerë përveç atij që hartoi draftin?

Reforma duhet të shkonte në drejtimin teknik, jo politik. Së pari jo pse u zgjodh ai grup ekspertësh që u zgjodh, se drafti i tyre ndryshoi gati 70%, pale që foli Venecia njëherë dhe ai ishte si një ngelje në provim. Mendimi i parë i Venecias në dhjetor të 2015-ës për draftin e parë të ekspertëve ishte si të të ngelë profesori në provim. Gazetarët dhe kamerat duhet të ishit non stop në konferencë ku ishin ekspertët që diskutonin nen për nen, germë për germë reformën në drejtësi. Ju nuk duhet të ishit në Komisionin e Reformës, se atje ata ishin politikan dhe diskutohej vetëm politikisht. Dilte z.Xhafa apo kush ishin ata të tjerët tek muri rrethues i Parlamentit dhe flisnin në orën 10 të darkës me gazetarët, ndaj unë e kam quajtur këtë reforma e murit rrethues të Parlamentit. Gazetarët duhet të ishin non stop tek grupi i ekspertëve të ngushtë që diskutonin nen për nen gjithçka sepse nuk kishim të bënim me sekrete shtetërore.

Dhe nuk duhet të kishte vetëm një grup ekspertësh, por duhet të ishin krijuar me qindra dhjetëra grupe ekspertësh që të diskutonin për çështje të veçanta, pafundësisht. Duhet të bëheshin debate, në radio, TV dhe mediat e tjera sepse kjo do ta kishte ulur në gjunjë politikën para ekspertëve. Por jo, hajde krijo një grup ekspertësh, më bëj një draft dhe mbi këtë bazë po ecim. Gjithçka u luajt politikisht. Në demokraci lojën e luan kryeministri, në një republikë parlamentare, në një republikë presidenciale presidenti dhe opozita i shkon pas duke bërë pengesat e saj dhe kështu ndodhi. Reforma në drejtësi u kthye në një lojë politike që u drejtua nga kryeministri, ndërkombëtarët nga pas dhe opozita që bëri të vetën. Por ku ishin ekspertët dhe teknikët, ikën. Kjo nuk duhet të kishte ndodhur. Gjithçka duhet të ishte debat i madh konstitucional. Të bësh kushtetutë është shumë e vështirë, më e vështirë se të bësh një doktoraturë. Është shkenca e themeleve të një shteti.

D.m.th ju thoni që duhej të ishte bërë një ekspertizë e mirëfilltë për të dhënë më tepër garanci?

Unë nuk them që kjo nuk do funksionojë, unë them që askush nuk jep garanci sot që kjo do të funksionojë dhe jam skeptik. Kam frikë se kjo do të na katandisë në gjendjen ku jemi. Pse kushtetutat kanë nga 200 vjet e lart, përveç atyre të vendeve të Evropës lindore që u bë- në pas 89-ës, pas rënies së murit të Berlinit, por ato vende nuk i kanë ndryshuar. Në Shqipëri, Kushtetuta e 98- ës është ndryshuar 5 herë brenda 17 vitesh. Çfarë kuptimi ka kjo? Është një lloj si të bësh një shtëpi dhe t’ia ndryshosh themelet 5 herë, por shtëpia nuk do të mbajë dhe do shembet. Si funksionon shteti kështu? Kudo kushtetutat janë bërë me kompromis për të ndërtuar shtetet, dhe jo për të përfituar politikisht siç ndodh në Shqipëri. Kjo e dëmton sistemin.

Pjesë e institucioneve që do bëjnë “Vetting”-un do të jenë edhe ekspertë ndërkombëtarë, si garanci. Por, këtyre ekspertëve ndërkombëtarë kush ua u bën “Vetting”-un? A duhet t’u besojmë atyre?

Rojën kush e ruan thoshin latinët. Nuk mund të them që subjektet e faktorit ndërkombëtar këto 25 vjet kanë qenë ekspertët më të mirë të mundshëm, të paktën çfarë i shoh edhe nga retorika. Këto 25 vite në Shqipëri janë hedhur qindra miliona euro për asistencën teknike dhe ekspertët ndërkombëtarë dhe Shqipëria është këtu ku është. Një deputet i njohur tha se erdhi në vend një kompani e madhe e huaj për monitorimin e doganave, na bëri një korrupsion dhe iku. Unë e kam parë me skepticizëm sepse rezultatet nuk kanë qenë të mira, por megjithatë mirë është që të vijnë të huajit, të monitorojnë dhe uroj të kenë rezultat sepse ky është momenti që gjërat duhet të ndryshojnë. Nuk vuaj për nacionalizëm dhe sovranizëm e çfarë është thënë deri tani, por problemi është, që të gjithë në bashkëpunim, a do ta përmbushin sentencën që qeveria dhe drejtësia janë të qytetarëve? Për mua ky është thelbi!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.