Shakatë e gushtit, ekskluzivitet i Ilir Metës/I çintoksikuar dhe dashnor i opozitarizmit

Postuar në 04 Gusht, 2016 22:16

Ilir Meta u shfaq edhe njëherë sot në media, për të kumtuar për shqiptarët e interesuar sesa konstruktiv është dhe sesa për zemër e ka stabilitetin. Në një dalje në “ABC NEWS”, Meta tha ndër të tjera se “I kam thënë Ramës, t’i jap 2-3 vota dhe mund të bësh 71 për të mbajtur qeverinë. Njëlloj siç i kam thënë edhe para një viti që nëse nuk i pëlqen koalicioni me LSI-në mund të bënte koalicion me PD-në nëse dëshironte dhe LSI mund të rrinte në opozitë”.

Alamet oferte! E çuditshme sesi kryeministri, që shquhet për dëshirën për të qenë vetë zot e vetë shkop, e ka refuzuar. Nga ana tjetër, enigmatike se pse Ilir Meta vazhdon të rrijë në një qeveri ku një e dy, kërkon të ikë, apo t’i hapë rrugë qeverisë teknike.

Serioziteti i çështjes për të cilën po flitet, pra stabiliteti qeverisës, apo edhe ndryshimi i qeverisë, imponon që këtij karagjozllëku që Ilir Meta e shet për mençuri të madhe, apo për lojë të sofistikuar taktike, t’i jepet fund. Sepse po duket qartë se qeveria ku ai bën pjesë është një gjë e gjallë në pazarin ku janë sulur të gjithë për ndonjë copë.

Ky lloj komunikimi nxjerr në sipërfaqe edhe nivelin e vërtetë të atyre që drejtojnë, një nivel që nis e mbaron te fjalitë dëftore e te shakatë me të cilat qesh vetëm partia. Mbyllja e tij do ndihmonte që të merrte fund edhe karagjozllëku politik i kryeministrit që shtiret sikur asgjë s’ka ndodhur.

Dhe të mendosh që para pak ditësh i antitoksikuari i LSI-së, fliste për burg e burgosje, një fytyrë i vinte e një i ikte, ndërkohë që kreu i qeverisë e niste mëngjesin me gjimnastikë çame.

Me sa duket kënga e militantëve të LRI-së, një provë ulëritëse e injorancës ku është zhytur ky vend, i ka hedhur pak “livando” inatçiut Ilir që ka rinisur shfaqjen e “qetësorit dhe dashnorit”, të shantazhuesit që kërkon të fitojë kohë e që na provon të gjithëve se dhurata e 1 prillit 2013 është me faturë shumë të lartë. Dhe për këtë arsye, nëse kjo sjellje e këtij politikani mbijetues, që ka shqisa, por jo arsye, intuitë, por jo analizë, shërben për të poshtëruar sadopak kumbarët e atij pazari dhe përfituesit e tij, ja vlen për ca kohë.  Do gëlltitet me siguri, sepse poshtërimi është normë stërvitore në politikën e krahut të majtë, por në moshën e internetit ajo ofron mundësinë e përshfaqjes dhe të spektaklit që neutralizon ato përrallat për virtyte e shtetformim. I lë më pak oksigjen gënjeshtrës dhe kujdesit për imazh të mirë.

Comments

Submitted by Pellazgu (not verified) on

Përdoreni aty ku duhet apostrofin, por jo tek fjala "çintoksikim"...

Submitted by O Pellazg! (not verified) on

Po mire or burre ne nje shkrim si puna e ketij te prishi kaq shume pune apostrofi i pavend ne fjalen çintoksikim. Po ndonje mendim lidhur me xhonglerin Ilir Floriri nuk kishe, apo per mesuesin e deshtuar te vizatimit Edvin Ram Berisha? Kot po te them se une nuk kam per vete, por e kam fjalen qe edhe per apostrofin e çintoksikimit nuk me rruhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.