Kushtetuesja u hap rrugë monopoleve në mediat audiovizive

Postuar në 04 Gusht, 2016 19:57
Niazi Jaho/Ekspert i së Drejtës Publike

Shoqata e Mediave Elektronike (SHMESH) i ka kërkuar para disa kohësh Gjykatës Kushtetuese që të vendosë shpalljen të papajtueshme me Kushtetutën të përmbajtjes së paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit nr. 97, datë 04.03.2013 “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Pasi shqyrtoi çështjen, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës së mësipërme. Ndërsa para se sa të shprehem për këtë vendim, e nevojshme është t’i referohemi paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit përkatës ku thuhet: “Asnjë person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, nuk mund të ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionere që zotëron një liçencë kombëtare të transmetimit audioviziv”.

E studiova me vëmendje vendimin e Gjykatës Kushtetuese (me 56 paragrafe në 18 faqe), që e shfuqizon përmbajtjen e kësaj dispozite ligjore dhe të cilit i bashkëngjiten dy mendime paralele dhe një mendim pakice të anëtarëve të Gj. K.., pjesëmarrës në shqyrtimin e kësaj çështjeje. Nuk m’u duk bindës, ndonëse dihet që vendimet e këtij organi të rishikimit dhe interpretimit kushtetues janë të formës së prerë dhe të detyrueshëm për zbatim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Mirëpo, në këtë vështrim ka edhe diçka tjetër të rëndësishme: detyrimet pozitive i imponojnë shtetit që të miratojë një kuadër ligjor për të mbrojtur në mënyrë efikase të drejtat e njeriut, çka do të justifikonte edhe miratimin e paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit 97/2013. Cilat janë argumentet që dua të parashtroj këtu?

  1. Parapëlqej ta filloj me mendimin paralel të anëtarit të Gj. K., zotit Vladimir Kristo, megjithëse ky e konsideron përfundimisht të bazuar kërkesën e paraqitur nga Shoqata e Mediave Elektronike. Bashkohem vërtet me qëndrimin kritik të tij ndaj vendimit të shumicës. Përcaktorët dhe shprehjet e përdorura prej zotit Kristo ndaj vendimit të shumicës, se ky është “kontradiktor”, “konfuz”, “i sforcuar” dhe “i pavend”, “lë vend për keqkuptime” etj., se disa koncepte konsiderohen të natyrës politiko-kushtetuese, nuk mund të mos krijojnë përshtypjen e bazuar që vendimi s’është bindës, qoftë edhe për faktin se ai nuk mund të vlerësohet në respekt të standardeve. Më duhet të theksoj se, në disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, standardet e çdo vendimi gjyqësor janë konsideruar thelbësore. Ato krijojnë jo vetëm bindjen e drejtësisë dhe bazueshmërisë së vendimit, por edhe paanshmërinë e gjykatës.
  2. Në paragrafin 45 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet, se: “Duke zgjedhur mjetin më të ashpër, atë të kufizimit me ligj, ligjvënësi tregon, ashtu si edhe disa çështje të tjera ku kësaj Gjykate i është dashur të shfuqizojë normën ligjore, për shkak të mosrespektimit të parimit të proporcionalitetit, se përzgjedhja e mjetit të kufizuar nuk vjen si pasojë e një analize të mbështetur mbi të dhëna statistikore, studime të natyrës faktike…”. Mirëpo…

Së pari, Gjykata duke e quajtur kufizimin si mjetin më të ashpër, na bën të nënkuptojmë që ligjvënësi mund të legjitimohej nëse do të përdorte një mjet më pak të ashpër, ose më të butë. Ky është një term që nuk përdoret as në nenin 11 dhe as në atë 17 të Kushtetutës. Konkretisht, në nenin 11 thuhet: “Kufizime të lirisë të veprimtarisë ekonomike, mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike”. Ndërsa në nenin 17: “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e interesave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë”. Analizë dhe argumente në vendim për këto çështje nuk ka. Kufizimi që bëhet në paragrafin e tretë të nenit 62 të Ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” nuk cënon thelbin e të drejtave e lirive dhe as nuk tejkalon kufizimet në KEDNJ.

Së dyti, në rastin konkret mendoj që nuk ishte e nevojshme t’i paraqiteshin Gjykatës Kushtetuese studimet e bëra, që kanë kushtëzuar miratimin e paragrafit të tretë të nenit 62 të Ligjit për mediat audiovizive. Megjithatë, Gjykata mund t’i kërkonte ato që në fazën e parë. Dhe pavarësisht nga kjo, subjekti i interesuar paraqiti para saj 9 argumente se përse ishte i nevojshëm ky kufizim. Nëse ato nuk mjaftonin, Gjykata mund të kërkonte analiza, përgjithësime, të dhëna statistikore, dokumente ndërkombëtare për Shqipërinë. Zoti V. Kristo në mendimin paralel të paktën thotë, se ato ishin alogjike dhe “shprehte habinë” (në këtë rast thonjzat janë të mijat) që shumica paskej “…rënë pre e prapsimeve…të subjektit të interesuar”.

Së treti, nuk do të ishte e rekomandueshme që ligjvënësit, qoftë edhe indirekt, “t’i tërhiqej vëmendja, se kështu ai ka vepruar edhe në çështje të tjera”, çka e ka detyruar Gjykatën që “të shfuqizojë normat ligjore”. Duke iu referuar shqyrtimit të çeshtjeve të tjera krijohet përshtypja se, deri në një farë mase, ky përfundim ka elemente subjektive, që shprehen në doza paragjykimi.

  1. Në paragrafin 50 të vendimit përmenden disa shtete, si Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Kroacia, Rimania, Italia, Austria dhe Polonia, ku nuk ka ndonjë kufizim siç është ai i parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 62 të Ligjit shqiptar për mediat. Ky mund të jetë konstatim, por jo parim. Kufizimet në këtë drejtim mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin, sipas kushteve, rrethanave, emancipimit demokratik, zhvillimit të medias, shkallës së lirisë së shprehjes, interesave publike etj. Në varësi nga këta faktorë apo të tjerë, kufizimi mund të jetë më i ngushtë apo më i gjerë. E rëndësishme është të respektohet KEDNJ.
  2. Në paragrafin 25 të vendimit të Gjykatës përmendet çështja “Monoli e të Tjerë kundër Moldavisë” (vendim i GJEDNJ më 17 Dhjetor 2009). Por, në këtë vendim evidentohet edhe fakti se, shteti ka detyrimin pozitiv “për të krijuar një kuadër legjislativ dhe administrativ për të garantuar pluralizmin efektiv”. Si rrjedhim, nëse ky pluralizëm cenohet (cenohet kështu edhe interesi publik) kufizimi është i ligjshëm dhe i nevojshëm. Prova nëse një detyrim pozitiv është i domosdoshëm mbetet vendosja e një ekuilibri mes mbrojtjes së interesit të përgjithshëm dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
  3. Studimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese më nxiti t’i referohem edhe doktrinës në këtë fushë. Kështu, për shembull, në një nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë ku theksohet zhvillimi i teknologjisë televizive thuhet, se ajo është bërë një nga mjetet më të fuqishme të komunikimit të masmedias, por për shkak të efekteve dhe mundësive të mëdha, si edhe të rrezikut të keqpërdorimit për propagandë të njëanshme, nuk mund t’i lihet lojës së lirë të forcës së tregut (shih: “Jurisprudenca Kushtetuese e Republikës Federale të Gjermanisë, botimi në shqip, viti 2016, faqe 539). Po këtu lexojmë: “Instrumenti modern i transmetimit nuk duhet të jetë as në mëshirën e shtetit dhe as në mëshirën e një grupi të veçantë social”.

"Tema"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.