"Kerni po shpaguhet për marrëveshjet që ka bërë me politikën"

Postuar në 03 Gusht, 2016 10:49

Artistët e Teatrit te Operas dhe Baletit kanë firmosur një peticion drejtuar Kryeministrit për rikthimin e drejtorit Ilir Kerni në detyrë. Por tenori Rudin Sata i intervistuar nga Panorama thotë se ky është haraçi që Ilir Kerni po paguan për marrëveshjen me politikën.

“Unë nuk e mohoj që Ilir Kerni është vlerë e artit shqiptar si balerin, është kolos! Nuk mund ta mohoj, sepse historia e arti ka kujtesë dhe Ilir Kerni është absolutisht trashëgimi e artit dhe kulturës. Si unë, si të tjerët, duhet të jenë krenarë që një artist i tillë është produkt i shkollës shqiptare. Mirëpo këto nuk mjaftojnë që të drejtojë një institucion. Ia kam thënë këtë në sy që kur ka ardhur, edhe në prani të përfaqësues së Ministrisë së Kulturës, sekretares së përgjithshme”

Çfarë i thatë?

E pyeta se si ishte e mundur që drejtori i një institucioni kaq prestigjioz, të vetmit që kemi të këtij niveli në vend, të vinte pa një platformë, që është detyrimi i parë moral institucional. Ne kemi vetëm një zgjedhje, vetëm një skenë, duhet të jemi shumë të përgjegjshëm për perspektivën e operës, duhen respektuar kriteret. A duhej toleruar kjo vetëm pse Kerni është një artist i madh?! Institucioni duhet të kishte një uebsajt ku parashtrohet platforma, por kjo nuk ndodhi, sepse nuk kishte një të tillë. Në rast se institucioni do të ecë me atë që ka drejtori në kokë “çfarë do bëjmë ndonjë gjë sot”, atëherë do të vijë shumë shpejt koha që do të ngelet në udhëkryq. Me të ardhur, e vetmja gjë që bëri ishte që përçau artistët. Nuk ishte i zoti të shkruante një platformë dhe sjelljet e tij ishin tipike komuniste.

Në ç’kuptim i përçau? Çfarë ndodhi?

Ai ishte njeriu i parë që i pengoi artistët, duke i detyruar të firmosnin kontrata, përmes të cilave u uleshin rrogat dhe e bëri këtë gjë me dhunë, me arrogancë. Arriti deri aty sa na tha ose do t’i firmosni, ose rroga nuk ka. Mirëpo ka disa kritere juridike, nuk është çështje individuale, Kodi i Punës është dispozitë ligjore që miratohet në Parlament. Kur ne i thamë po shkel Kodin e Punës, ai jo vetëm që s’pyeti, doli mbi Parlamentin, por tha edhe s’ka rroga. Ky është njeriu demokrat?! Dhe historia nuk mbaroi me kaq; ka pushuar nga puna një numër të madh njerëzish. Kati i tretë i operës është larë me lot. Nuk kishte ndodhur në 12 vjet. Që njerëzit kishin aty 12 vjet, nuk është argument për t’i mbajtur në punë përjetësisht. Të gjithë e dimë që në institucionet shtetërore ka sa të duash njerëz që kanë fjetur e vazhdojnë të flenë, siç mund të ishte kati i tretë.

Nuk është ky rasti dhe nuk është as mënyra. Si mund të ulësh pagën e artistëve pa thënë asgjë? Si mund ta firmos atë kontratë unë?! Kush jeni ju, zotëri?! Që këtu fillon dhuna, nga frustrimi i artistit. E kam denoncuar deri te Kryeministri si njeri që donte të dhunonte lirinë e mendimit, dhe pas kësaj ai u tërhoq, pasi unë komunikova me Kryeministrin. Nuk luftova kundër individit, por kundër fenomenit.

Fryma e tij ishte ogur i zi për artistët dhe këtë nuk ia fal Ilir Kernit. I kam deklaruar në emër të shumë artistëve modelin europian, ia kemi lënë në dorë, në zyrë, dhe nuk e implementoi, por e hodhi në kosh të plehrave. Me paaftësinë e tij ka ulur në kategori njerëz që kishin vite të tëra, dirigjentin e korit, me master e me përvojë disavjeçare, e uli në kategori, e ktheu në ushtar duke i ulur edhe rrogën me 13.000 lekë. Kam folur hapur për këto çështje, por zotëria nuk jep përgjigje. Pse me ardhjen e Ilir Kernit një talent si Enada Hoxha nuk figuronte asgjëkundi?!

Ajo që ngelet e paqartë në këtë që thoni, duke iu referuar edhe pakënaqësisë së artistëve, është fakti që njerëzit për të cilët po flisni, të pakënaqurit, kërkojnë që drejtori i dorëhequr të rikthehet?

Kjo është e turpshme! Unë jam me pushime tani dhe nuk mundem t’ju tregoj listat e firmave që kanë firmosur shkarkimin e tij në kohën kur donte të bënte reformat. Janë po ata njerëz! Nuk di vërtet ç’të them, por mund t’ju tregoj skenarin e shëmtuar që qarkulloi në teatër. Ata balerinë që kanë firmosur, dhe është e drejta e tyre për ta bërë, po ata kanë qenë që Ilir Kerni u ka dhënë masa disiplinore dhe i keni të protokolluara këto. Të gjithë ata kanë marrë vërejtje me paralajmërim, sepse drejtori kërkonte t’u bënte audicion. Masa disiplinore ishte sepse balerinët nuk i dolën në datën dhe orën që ai kishte vendosur për audicion, por që nuk përputhej me rregulloren e brendshme, e cila ka afate dhe data të caktuara.

Për çfarë skenari po flisnit?

Njerëzit e tij kanë hapur panik në teatër se do të shkarkohet 40% e stafit pas fazës së rikonstruktimit dhe se nëse firmosin që drejtori të rikthehet, ai do t’i mbrojë. Pra është frika nga një gjë edhe më e keqe. I bëj thirrje publike Ilir Kernit, në rast se është kjo meseleja, që Iliri do të na dalë garant që të mos implementohet plani për shkarkimin e 40%, atëherë të dalë ta pranojë. Një publicist me të cilin komunikova këto ditë më tha se shkarkimi i tij ishte rrjedhojë e marrëveshjeve që ka bërë me segmentet politike.

Ju po thoni shkarkimi dhe në fakt është folur për një të tillë, por zyrtarisht njohim vetëm dorëheqjen. Çfarë dini për shkarkimin?

Në rrethe të ndryshme kam dëgjuar që parashikohej shkarkimi i tij. Por, po, duhet të themi dorëheqja! Di që me ministren Kumbaro nuk ka pasur marrëdhënie të mira, nga aq sa kam parë e kam dëgjuar. Nuk ka pasur marrëdhënie të mira as me drejtoreshën artistike të TOB. Dukej qartë kjo gjë, sepse në performancat tona ata ishin tërësisht në drejtime të kundërta.

Zëra të tjerë thonë se edhe ky mund të jetë shkaku?

Shkaku mendoj është ai që thashë më sipër. Pra Kerni po shpaguhet për marrëveshjet që ka bërë me politikën. Ministria deklaron që është zgjedhje individuale. Kjo është turbullira, nuk di të bëj analiza për marrëdhëniet e tyre, me ministrinë apo të tjerë mbi të. Kam parashikuar që në fillim që limiti i tij do të ishte deri sa të niste rikonstruksioni i godinës, nuk e di si dhe pse, por rezultoi kështu.

Në takimin që patët me Kryeministrin, a i mbështeti ai vërejtjet tuaja?

Unë vetëm e vura në dijeni për dhunën që po u bëhej artistëve, për të drejtat që po u shkeleshin dhe fakti është që pas kësaj bisede, Kerni u tërhoq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.