Dosje akuze apo dosje shantazhi?

Postuar në 03 Gusht, 2016 16:41

Disa media kanë publikuar sot një raport, i ashtuquajtur sekret, i hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, sipas të cilit në Bankën e Shqipërisë, janë vjedhur në fakt 21 milionë euro nga 713 milionë lekë që u deklaruan. Sipas këtij raporti, me burim nga “shqiptarja.com” e Carlo Bollinos, në skemën vjedhjes janë përfshirë banka të nivelit të dytë, punonjës të thesarit, çka e bën përgjegjësinë e ish-Guvernatorit automaitike. Vjedhja është realizuar përmes deklarimit të rremë të parave që nxirren nga qarkullim dhe rimbursimit të bankave të nivelit të dytë në këmbim të “asgjësimit” fiktiv. Është e natyrshme të mendohet se nëse kjo është e vërtetë, ndarja e fitimeve është e tillë që evidenton një rrjet të organizuar hajdutësh të paprecedentë edhe për shtetin eksperimental shqiptar. Një fjali është me shumë interes në raportimin e gazetës “shqiptarja.com”: “Për shifrën e sipërcituar mësohet të ketë pasur dijeni dhe zyrtarë të FMN. Ky raport vijon të qëndrojë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe se kjo e fundit asnjëherë nuk ka hetuar në këtë drejtim”(http://shqiptarja.com/home/1/raporti-p-r-bank-n-jan--vjedhur-21-mln-euro-nga-thesari-i-shtetit-368773.html).

Nuk do shumë mend për të kuptuar se mbi këtë ka dijeni të plotë edhe qeveria aktuale, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Financave, etj., por asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. Më keq akoma: ky skandal publikohet në një kohë – qartazi qëllimisht dhe i servirur – kur ish-Guvernatori Ardian Fullani fitoi pafajësinë dhe madje tashmë kërkon rikthimin në detyrë.

Në vija të përgjithshme do të thoshim se: kemi një situatë politike në prag kolapsi qeveritar, publikohet një raport sekret, thuhet se nuk ka patur hetim nga Prokuroria që ka dijeni zyrtarisht dhe...Dhe ja pra skandali që duhet të na shqetësojë të gjithëve e të na kthejë vëmendjen te 21 milionë euro që i janë “rruajtur” arkës së shtetit. Siç shihet, media ka këtu rol instrumental, atë të tellallit që e dëgjojnë të gjithë, me raporte që nuk dihet nga dalin. Kjo është njëra anë e medaljes dhe atë e dimë të gjithë sa kohë që media është nën akuzë permanente si joprofesionale, negative, spekulluese, e njëanshme etj., njësoj si sot kur çuditërisht vetëm media të caktuara e kanë riprodhuar raportin.

Alarmuese ama është mosveprimi i Prokurorisë. Gjithnjë duke i besuar gazetës së Carlo Bollinos, pavarësisht se raporti disponohet zyrtarisht, asnjë hetim nuk është ndërmarrë nga Adriatik Llalla. Organi i Prokurorisë është ie centralizuar dhe aty Llalla është vetë zot e vetë Shkop. zot por jo ZOT, se ky i fundit është dikush tjetër, që i “këndon” në vesh kryeprokurorit.

E themi këtë pse z. Llalla ka mëse një vit që deklaronte me të madhe se në “muajt në vijim do të ketë arrestime të bujshme”, a diçka e ngjashme. Asgjë nuk ndodhi. Në të gjithë çështjet dhe skandalet e këtyre muajve, organi i akuzës ka luajtur vetëm një rol, atë në shërbim të politikës dhe axhendave të caktuara, por pa formuluar dosjet e akuzës së shtetit, por ato të shantazhit. Sepse kur çështjet “flenë” kështu siç po ndodh ato konvertohen në dosje potenciale për karriera të caktuara, dosje të cilat japin “qetësi dhe dashuri”, mall kaq i shtrenjtë në këto kohë. Nuk është çudi pra pse me ndryshimet e reja kushtetuese, të imponuara nga SHBA, prokurori i Përgjithshëm humbet nga roli i tij i tanishëm kompetenca thelbësore. Dhe të jesh qehajaji i dosjeve të politikës, është me të vërtetë një goxha pozicion. Por të cilit dikur do t’i vinte fundi.

Përtej prokurorit Llalla, tanimë i ekspozuar në rreshtimin politik, shqetësuese është heshtja e Guvernatorit të ri. I ardhur në detyrë me konsensus, Gent Sejko nuk premton shumë, sepse konsensusi është angazhim për ta mbajtur mirë me të gjithë, e sidomos “për të mos i hapur letrat”. Është e vështirë të imagjinohet sesi Guvernatori të mos ketë dijeni, bashkë me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për këtë raport sekret. Do të duhet që minimumi të japë një sqarim këto ditë, pasi ato para nuk janë të Sejkos, as të Fullanit e sa të atyre që qëndrojnë pas. Deklarimi publik është një farë garancie minimale se kjo skemë që majm bankat e nivelit të dytë, do të ndalohet apo kufizohet, në mënyrë që Banka e Shqipërisë të mos kthehet në Bankën e Bankave të Shqipërisë. 

Mënyra sesi u shërbye lajmi sot sjell në vëmendje edhe qeverinë, një pjesë e së cilës, ajo e PS-së, ka hedhur sot në treg një akuzë dhe skandal të ri që i shërben. Qeveria dhe kryeministri janë të uritur për një skandal jashtë gardhit, me të cilat të ksehaset populli, të cilin mundet ta ndërsejnë.

A mjaftojnë 21 milionë euro sa për të hequr vëmendjen nga shfaqja e preferuar e sherrit qeveritar? Vështirë duket, pasi varësia nga telenovelat është patologji.

Fakt është se operimi me goditje poshtë brezit, pra me ndihmën e medias, për çështje që duhet vepruar institucionalisht, e bën të padobishme këtë përpjekje.  Por edhe sikur të jetë gjetje  vetëm e gazetës, mosveprimi i qeverisë flet vetë për atë sesi këto skandale menaxhohen për llogari të pushtetit, ndërkohë që “po bëhet shteti”. Është fjala për një vjedhje në zemër të financave të vendit, në thesar. Do të duhet të ishte kryeskandal, nga ata që do të provokonin tërmet të vërtetë. E megjithatë, kalon butë, me një lajm në media, për t’u negociuar gjetkë.

Sigurisht ka edhe kjo anën e vet të mirë. Dikur Sali Berisha thoshte se Theodhori Sollaku fle mbi dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Ja pra që qysh atëherë diçka serioze ka ndryshuar: tani asnjë nuk fle mbi dosje, por të gjithë Vigjilojnë mbi dosjet e njëri-tjetrit.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.