Vlahutin sqaron çështjen e mosdeklarimit të pasurisë/Çështje poste dhe gjeografie. Formulari në Zagreb, ndërkohë që ndodhej në Tiranë

Postuar në 02 Gusht, 2016 20:01

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka shpërndarë një deklaratë për shtyp përmes së cilës përcjell versionin e vet të deklarimit të pasurisë së ambasadores Romana Vlahutin, për të cilën u shkrua dje në media.

Ambasadorja Vlahutin u largua nga pozicioni i Këshilltarit për Punët e Jashtme të Presidentit të Kroacisë më 30 shtator 2014, dhe ka dorëzuar formularin e deklarimit sipas të gjithë parametrave, përfshirë informacione mbi pagën mujore, pasuri të paluajtshme dhe kredi, si për veten e saj, ashtu edhe për anëtarët e familjes së afërt.  Në janar 2015, formulari i deklarimit për zyrtarët publik në Kroaci u ndryshua në një formular shumë më të detajuar në format elektronik. Për këtë arsye, Komisioni kishte dërguar një shkresë zyrtare me anë të së cilës kërkonte sqarime të mëtejshme për disa çështje, por këtë shkresë Ambasadorja Vlahutin nuk e kishte marrë, për arsye se ajo nuk ishte më banuese në Zagreb, pasi kishte lëvizur në Tiranë në tetor 2014.  Në janar 2016, Ambasadorja Vlahutin gjeti në postën e saj një letër tjetër dhe u lidh menjëherë me Komisionin, duke kërkuar mundësinë e plotësimit të pjesëve të reja të formularit.  Por kjo nuk ishte e mundur nga pikëpamja procedurale,  për arsye se regjistrat në Kroaci janë aktivë vetëm për një periudhë deri në 12 muaj pas largimit nga shërbimi publik dhe Ambasadorja Vlahutin nuk e kishte më statusin e zyrtarit publik, siç shpjegohet edhe në vendimin administrativ të Komisionit. Për më tepër, zyrtarët kroatë në kategorinë e Ambasadores Vlahutin u nënshtrohen një verifikimi sigurie të hollësishëm (sekret NATO/BE) i cili përfshin një sasi edhe më të hollësishme dhe tërësore informacioni se sa deklarimi, përfshirë të gjitha informacionet mbi transaksionet financiare dhe pasurinë” thuhet në deklaratë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.