“Direktivë” nga Perëndimi: Rusia në Ballkan, shqetësim

Postuar në 31 Korrik, 2016 14:04

Ballkani kthehet sërish në arenë përplasjesh për ndikim mes Perëndimit dhe Rusisë. Ndonëse prej vitesh në përpjekje për anëtarësim në BE, ndonëse NATO ka prezencë të shtuar në rajonin tonë, diçka po kthen erërat së fundmi. Në një vizitë të këtyre ditëve të presidentit rus Vladimir Putin në Slloveni, u vu theksi te nevoja për të edukuar brezin e ri me kujtimet e Luftës së Dytë Botërore, një mesazh ky i qartë për ndryshimet që po ndodhin në Kroaci dhe ndaj rritjes së peshës së Gjermanisë në Ballkan. "Do të vijojmë punën e përbashkët edukative, para së gjithash me të rinjtë, jo vetëm për të ruajtur kujtimin e tmerreve të luftës, por edhe për të konsoliduar mirëkuptimin, besimin dhe sigurinë në Evropë dhe në botë", u shpreh Presidenti rus, Vladimir Putin gjatë vendosjes së memorialit përmluftën ku lexohet: "Bijve të Rusisë dhe të Bashkimit Sovjetik të rënë në tokën sllovene gjatë Luftrave të Parë dhe të Dytë Botërore". Në ceremoni merrte pjesë edhe presidenti slloven Borut Pahor. Ky është një moment jo pa rëndësi në kontekstin e tanishëm, kur në Europën Perëndimore po zgjohen ndjenjat nacionaliste dhe fashiste. Duket se Putin po kap te historia një element ideologjik, në funksion të asaj ndarje gjeopolitike që ndjek Europën që nga koha e revolucionit të Tetorit.

Probleme të ngjashme manifestohen edhe në Serbi, një vend me pozita qendrore dhe me ndikim në Ballkan. Mediat serbe raportojnë së fundmi se kryetari i Partisë Demokratike, Bojan Pajtiç, që mori pjesë në Konventën e Demokratëve në Filadelfia, është shprehur se “interlokutorët amerikanë dhe europianë janë shumë të shqetësuar për ndërhyrjen dhe ndikimin rus në krijimin e qeverisë së re serbe”. Sipas tij ka rënë shumë në sy edhe qëndrimet antiamerikane të medias qeveritare serbe, që manifeston sipas tij, tjetër gjë nga kujdesi i treguar nga Aleksander Vuçiç.

Vizitës së Putin në Slloveni i kushtonte një shkrim para dy ditësh edhe agjencia shtetërore e lajmeve e Gjermanisë, “Deutsche Ëelle”, të cilin e publikonte në seksionin shqip me titullin: “Në Europën Juglindore ylli i Putinit ndriçon”. Maqedonia, Serbia, serbët e Bosnjes, deri diku Greqia, vlerësoheshin si popuj, liderët e të cilëve nuk e kanë fshehur adminirimin për presidentin rus. Ky vëzhgim lidhet sa me situatën politike e ndërkombëtare, aq edhe me interesat gjermane në rajon, apo me rrëgjimin e demokracive në Ballkan, pas të cilave sigurohet më mirë prezenca dhe ndikimi i BE-së.

A po fiton pra ndjenja e historisë përkundrejt demokracisë dhe hapjes që predikoi për 25 vite Perëndimi? Është ende herët për ta thënë, por Ballkani vijon të sillet si një vend kufitar, që i ngjan atij fëmijës që qan në duart e të gjithëve.

Sa për botën shqiptare rreziku i Putin siç propagandohet nga mediat perëndimore, nuk duket se ekziston. Bota shqiptare është e ekspozuar ndaj një tjetër rreziku jo të vogël: marrëdhënieve të ngushta të një pjese të saj, që janë edhe marrëdhënie interesi e sentimentale me erdoganizmin dhe gulenizmin, përballja mes të cilëve po zhvillohet si çështje e brendshme edhe e një pjese të botës shqiptare. Pa harruar rrezikun nga përparimi i Islamit radikal, kundrejt të cilit qeveria shqiptare ka iniciuar edhe një shkollë me mbështetje nga NATO.

Po kështu kështjellat shtetërore shqiptare jën ngritur në rërë dhe në krye kanë hajdutë të deklaruar si të tillë ndërkombëtarisht. Që këtej nis infeksioni kryesor që krijon kushtet për çdo problem që aktualisht duket i importuar. Cila është kura? Ka ca që shpresojnë te drejtësia nga jashtë. Mbetet për t’u parë, por një depresion i tillë hap rrugën për çdo sipërmarrje politike që deri para pak kohësh mund të dukej e pamundur. Dhe në Shqipëri mjaftojnë dy tre emisarë për të arritur atë që nuk arrin as konsensusi i 140 njerëzve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.