Paratë kërkohen vetëm Poshtë. Një spot që riciklon gënjeshtrën e para një viti

Postuar në 30 Korrik, 2016 14:52

Është lajmëruar nga Ministria e Financave se në gusht nis një fushatë e re për edukimin e biznesit dhe qytetarëve për marrjen e kuptonit tatimor. Ndonëse fushata e parë, e bazuar ekskluzivisht në represion, u ndërpre papritur me një vendim të Kryeministrit për të zeruar taksat për biznesin e vogël dhe pa një rezultat të qartë, qeveria po mendon të nisë fushatën e dytë. Është shumë flagrante që në katër vite qeveria nuk u përqendrua aspak në çështjen e evazionit, pra në lojërat e biznesit të madh. Përkundrazi, edhe me amnistinë e fundit, siç po rezulton, falen detyrimet kryesisht të kësaj kategorie, që bashkë me shlyerjen e borxheve që u bë në fillim të këtij mandati, është përfitues preferencial i “të majtëve”.

Si po e orienton fushatën e re qeveria?

Letra e ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, për Drejtorinë e Tatimeve, mësohet se kësaj radhe Sjellja do të ndryshojë: Jo me policë e me inspektorë që ulërasin e djersijnë, por me pambuk dhe me provokimin e “ndërgjegjes qytetare”. “Ligji është platforma jonë. Por nëse ka një instrument që e mund legjitimitetin e administratës, edhe kur ka të drejtë, është mungesa e modestisë”, shkruan Ahmetaj.

Për ta ilustruar këtë qasje të re në etikën e administratës, është menduar edhe një spot publicitar nga Ministria e Financave, të cilin e paguajmë ne: Një fëmijë i veshur mirë që blen libër dhe nuk e merr kuponin tatimor, ecën në faqe godinave të vjetra e të rrënuara. Në versionin e dytë, pra kur e merr kuponin, godinat janë të reja dhe të restauruara në fasadë.

Mesazhi: Kuponi është paraja jote. E ardhmja jote më e mirë. Pra paguaj dhe merre kuponin. E njëjta propagandë bajate që bazohet mbi statistika të një viti më parë dhe aplikohet për t’i rifreskuar ato me shifra të reja.

Dështime në seri

Ky aksion i ri çalon shumë dhe nuk sjell asgjë strukturore, përderisa i dredhon shkaqeve që kanë krijuar problemin e informalitetit, duke u marrë vetëm me pasojën. Ministria e Financave nuk ka qenë në gjendje dhe nuk po e tregon ende këtë, që të ndërhyjë në Drejtorinë e Tatimeve, e cila ka krijuar gropa të përhershme të ardhurash. Ministri Ahmetaj flet për një filozofi të re pune, por cila është kjo kur mekanizmat janë po ato. Edhe dispozita ligjore me gjoba marremëndëse? Ministria nuk po vë dorë aty ku është vërtet problemi. Sistemi teknologjik që përdoret për optimizimin e mbledhjes së të ardhurave nuk funksionon. Ka dublikata të dhënash të krijuara nga transferimi i tyre në sitemin e-tax, ndërkohë që punonjësit e Tatimeve janë akuzuar se nuk operojnë dot plotësisht me kompeksin teknologjik që u është vënë në dispozicion. Vitin e kaluar aksioni antiinformalitet imponoi shitje masive të kasave fiskale me idenë se kasat do të rrisnin vëllimin e deklarimeve fiskale. Aksioni i tanishëm na provon se kjo nuk ka ecur. Se aksioni i vjetshëm ishte një fiasko dhe se MF-ja po kërkon të mbledhë një dorë të mirë për të rregulluar bilancet.

Është folur disa herë për ekzistencën e një sistemi risku, për aplikim kriteresh etj.. Asgjë nuk dihet sesi qëndron puna me to dhe sa të vlefshme janë, sa përdoren këto mekanizma për të cilat dikur janë marrë fonde të mëdha. Po kështu, Ahmetaj këshillon për modesti të tatimorëve, ndërkohë që vitin e kaluar, parardhësi i tij, Shkëlqim Cani, ideoi masa penale, deri në 7 vjet burg për inspektorë që mbajnë bilancet e bizneseve të cilat mandej kanë detyrë t’i kontrollojnë. Pse nuk ka qoftë edhe një të dënuar për një dukuri që ekziston dhe është kaq e përhapur, saqë detyroi ndryshime ligjore? Këto do të ishin pjesë e auditeve, apo e reagimit ndaj tyre, si në rastin e KLSH-së, por me sa duket ndaj vartësve që vjedhin, kjo qeveri ka vendosur ta mbajë dorën. Edhe sepse janë zgjedhjet përpara. Pra ministria nuk ka konsumuar asnjë veprim, asnjë masë dhe nuk ka shtënë në punë asnjë strategji për mbylljen e këtyre vrimave të sistemit të saj, që mandej të kalonte sërish te kuponi tatimor.

Ndryshimi në etikë, nuk është në fakt ndryshim politikash, por thjesht një mënyrë për të hedhur hi syve.

Aksione vetëm poshtë

Nëse do ta shohim në një plan politik mund të shtohej se përtej kësaj thatësire idesh dhe mendimi, ndoshta reklama e qeverisë do të ishte mirë të zgjeronte diapazonin, duke e plotësuar atë me angazhimin dhe kredon e saj për drejtësi sociale. U shurdhuam këto muaj me ulërimën se reforma në drejtësi do të bëjë drejtësi e do të nxjerrë tym të zi. Pse atëherë suksesi i qeverisjes këtkohet te entitete fundore si qytetari që pi kafe e duhet të marrë kuponin, berberi që arrestohet për kupon, apo mijëra të ndaluar për vjedhje të energjisë elektrike? Jo se këto nuk duhen bërë, por kjo politikë duhet ndjekur edhe për miqtë dhe biznesmenët konsensualë të çdo qeverie, ndaj atyre që jetojnë mbi evazion dhe mbi koncesione të çuditshme që jepen sa hap e mbyll sytë, pa garë. Le të merret ajo vajza e spotit e le të shëtitet para kangjellave të vilave të ministrave, gjyqtarëve, prokurorëve, drejtorëve të tatimeve e dogananave. Ndoshta jep një mesazh më domethënës, që njësoj si në reformën në drejtësi, edhe me aksionin e ri, të fitojë sërish Populli. Aty janë paratë që mungojnë, ende të paamnisturara, njësoj si ato miliarda shpërdorime që konstaton çdo gjashtë muaj Kontrolli i Lartë i Shtetit. Për këto çfarë do bëjë ministria dhe qeveria sepse po të jetë për kuponin e për të arrestuar berberë apo shitës ambulantë e kemi bindjen që ka aftësinë, por edhe moralin ta bëjë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.