Qëllimi pas ritarifimit të blerjeve online: “Mbrojmë tregëtinë nga konkurenca e pandershme”

Postuar në 28 Korrik, 2016 10:43

Vendimi i qeverisë shqiptare për të ulur kufirin e patatueshëm të blerjeve online në 22 euro ka provokuar një debat në mbledhjen e djeshme. Ai zbardhet nga gazeta “Panorama” dhe provon se halli i Ministrisë së Financave nuk është aspak rritja e të ardhurave, por sepse është cenuar konkurenca e ndershme. Ahmetaj ka debatuar me Manjanin, ministër i Drejtësisë dhe shihet se ndonëse argumentet e tij, teorikisht qëndrojnë, për asnjë çast ministri nuk vlerëson tek blerjet online një rrugë me më pak kosto për qytetarë që nuk janë të gjithë tregëtarë dhe që nuk kanë ofertë në vendin e tyre.

DEBATI MES MINISTRAVE

Ministria e Drejtësisë: Projektakti nuk shoqërohet me një argumentim lidhur me përparësitë, problematikat, si dhe një analizë të detajuar të efekteve të pritshme për qytetarët.

Ministria e Financave: Është rritur konkurrenca e pandershme, duke rënduar operatorët ligjorë, të cilët tregtojnë brenda vendit mallra të importuara, për të cilat kanë paguar detyrimet doganore në import. Shume biznese të vogla, të cilat tregtojnë në dyqanet e tyre produkte dhe kryesisht veshje, apo dhe produkte elektronike dhe aksesorë të ndryshëm të tyre, bëjnë blerje online, duke përfituar nga kufiri tepër i lartë i patatueshëm për mallrat që importohen dhe që nuk e kalojnë vlerën 150 Euro. Kjo skemë lë shteg për kryerjen e veprimtarisë në informalitet, duke mosdeklaruar shitjet, si pasojë e mosdokumentimit të blerjeve online. Si rrjedhojë, tregtarët që kryejnë një biznes të ndershëm vendosen në kushte të pabarabarta, duke dëmtuar kështu konkurrencën në treg. Nga të dhënat e Postës Shqiptare, gjatë vitit 2015, sasia e mallrave të ardhura me postë ekspres është rritur rreth 130 %, gjë që konfirmon se është rritur niveli i shitjeve online si pasojë edhe e mostaksimit deri në nivelin 150 Euro. Në këto kushte, me qëllim për mbrojtjen e tregtisë brenda vendit dhe uljen e informalitetit të shitjeve me pakicë të veshjeve, dhe pajisjeve elektronike që në shumë raste ka burim edhe dërgesat postare propozohet që të aplikohet ky limit prej 22 Euro si vlerë e pataksueshme në vend të 150 Euro që është aktualisht.

Ministria e Drejtësisë: Nuk ka asnjë analizë se si është arritur në propozimin e masës prej 22 dhe 45 eurosh.

Ministria e Financave: Ashtu siç është shpjeguar edhe më parë, në relacion këto masa propozohen në përputhje me Direktivat e BE-së për këtë qëllim, konkretisht nenit 1 të Direktivës 2006/79/EC dhe nenit 23 të Direktivës 2009/ 132/EC.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.