Reforma u bë, ngrehina mbetet!

Postuar në 22 Korrik, 2016 10:50
Nga Afrim Krasniqi

Pas 18 muajsh konsultime dhe sidomos investimit & presionit të pashembullt perëndimor ndaj liderëve politikë reforma në drejtësi është duke u kaluar. Me siguri, militantët e palëve do thurin lavde për shefat e tyre. E kanë bërë dhe do ta bëjnë, pasi është e vetmja gjë që dinë të bëjnë. Por nëse ka një moment turpi në politikën shqiptarë, nëse ka një moment dështimi të elitave politike është pikërisht ky i sotmi: ata nuk janë heronjtë e ditës, ata janë turpi ynë dhe fatkeqësia jonë periodike. 24 orët e fundit treguan se liderit politikë nuk e donin reformën, ata kalkulonin taktika elektorale me të dhe pas saj, dhe se vetëm presioni i paprecedent i qeverise amerikane dhe BE mundësoi kalimin e saj. Ata janë të vetmit që duhen përgëzuar sot. I shikuat sot live takimet e politikanëve në selitë e partive dhe në Kuvend? Makina luksi, veshje luksi, ligjërim militant komunikimi, njerëz që kanë humbur çdo kontakt e ndjesi me qytetarët dhe sfidat reale të shoqërisë; kërcënues në orët e para të ditës dhe kartona formalë në orët e vona të mbrëmjes, të pafuqishëm jo vetëm të thonë atë që mendojnë por edhe të pafuqishëm edhe për të menduar.

Reforma u bë, ngrehina mbetet!

Institucioni që duhej të ishte katalizator i zgjidhjes së krizave, - parlamenti, u kthye në mekanizëm formal, që pret të miratojë gjithçka u servilet nga selitë e partive. Pas reformës, ai nuk ka më besim publik, koalicioni mazhoritar është ia pabesueshëm në aftësinë e tij për të jetësuar reformën, opozita nuk ofron alternativë, media e shoqëria civile mbeten shtojca të partive, dhe kështu, republika ndodhet në krizë identiteti, - me sytë aty ku i kishim më 1991, tek flamuri amerikan apo Evropa! A do jetë reforma sukses? Është herët për të folur. Konsensusi i fundit, përpjekja e partive për të diktuar zgjedhjet e reja në gjyqësor e prokurori nuk përbën sukses, por “çmimi që duhej paguar” për të kaluar pjesën tjetër të reformës, e cila, megjithëse jo ideale, mbetet oferta dhe zgjidhja më e mirë. Vendosja e vetingut ndërkombëtar në hallkat e promovimit dhe përzgjedhjes përbën garancinë e vetme se të paktën, të zgjedhurit e rinj nuk do jenë avokatët e familjes politike dhe as shoqëruesit e politikanëve nëpër kazino.

Vendosja në Kushtetutë e Misionit Ndërkombëtar strukturalisht përbën hap pas në shtet-formimin shqiptar, por aktualisht përbën zgjedhjen e vetme optimale dhe garancinë e vetme se vendimet në drejtësi nuk do merren nga shefat politikë të partive – piramida, por do të kalojnë në filtra testimi dhe konkurrimi. Me siguri jetësimi i reformës do kërkojë kohë, energji, kriza, negociata dhe ndërhyrje ndërkombëtare të tjera. Dita shihet në mëngjes dhe nga mëngjesi i reformës sot u lexua sesi do jetë periudha 1-3 vjeçare e jetësimit praktik të reformës. Sepse ajo, në thelbin e saj përveç pjesës pozitive në cilësinë e shtetit të së drejtës, fokusohet edhe në korrupsionin, abuzimit, kriminalitetin, dhe cilësi të tjera të shumë prej atyre që sot ndodhen në parlament, falë vendeve të blera në listat e mbyllura proporcionale të 3-4 partive parlamentare. Ndaj ata dhe shefat e tyre rezistuan, ndaj ata dhe shefat e tyre vonuan procesin, ndaj ata dhe shefat e tyre na bënë qesharakë dhe shefat e tyre na shndërruan në kavie eksperimentale, ndaj ata dhe shefat e tyre kanë marrë peng partitë, - nuk ka zgjedhje, nuk ka votime, nuk ka mendim kritik dhe nuk lejojnë të krijojmë shtet e demokraci funksionale.

Në bilancin final ka një “peng” të mbetur nga reforma e miratuar, - fituam reformën por humbëm shansin që ambasadori amerikan premtoi, - të deklarojë në emër të qeverisë së tij masat penalizuese për politikanët antireformë dhe të korruptuar. Në emër të reformës dhe interesit publik ata e kuptuan frikën e pasojat, ndaj nxituan të bien dakord! A do ketë listë amerikane? A do ketë publikim dosjesh korruptive? A do ta lexojë komuniteti ndërkombëtar dakordësinë e koalicionit të interesave si akt pragmatist, amnisti politike apo si një dritë jeshile për ti rikthyer besimin qytetarëve tek demokracia dhe drejtësia? Le të shohim. Shpesa vdes e fundit, megjithëse ky vend prej vitesh e shekujsh jeton aq intensivisht me ëndrrat dhe shpresat sa rrallë arrin të bëjë diferencën midis iluzionit dhe realitetit.

 

"Shekulli"

Comments

Submitted by Reformatori (not verified) on

Ne paragrafin e fundit , pas gjithe atyre sterhollimeve te fjales, pa dhene asnje mendim tendin ne se kjo qe u be eshte pozitive apo ne gative per vendin dhe argumentimin pse, na hedh edhe disa mendime qe qellimisht i ke lene per ne fund te shkrimit , per krijuar " suspanse" si dhe perceptimin se ti di dicka me shume se ajo qe shkruan me siper. Le te mbetemi ketu : thua se ne humbem shansin per te mesuar masat penalizuese te qeverise amerikane per politikanet e korruptuar dhe pyet : a do te kete publikim dosjesh korruptive ?! O analist politik qe merresh edhe me konfliktet nderkombetare, po pse nuk analizon pak pse qeveria amerikane paska nje dliste dosjesh ma politikane shqipter te korruptuar ( nga ata qe kane fuqi vendimmarrese ne paralament) dhe perse ajo e mban te fshehte kete liste ? Ky eshte kontributi i "nderkombetareve " (term abstrakt) per te na ndihmuar ne luftimin e korrupsionit, fshehja e ketyre listave qe i bejne keta politikane te shantazhueshem prej tyre ? Te bukur reforme paskeni votuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.