Reforma “agrare” në drejtësi

Postuar në 20 Korrik, 2016 03:15

    Është çjerrur dhe bërtitur shumë për reformën në drejtësi, por është folur dhe argumentuar pak. Çirrjet dhe bërtitjet e kanë përkrahur këtë reformë, fjalët dhe argumentat e kanë kritikuar këtë reformë në shumë nga projekt-ligjet që ajo përmban. Pas leximit të atyre pak fjalëve dhe argumentimeve* që i janë bërë kësaj reforme, po përpiqem dhe unë të sjell sa më shkurt dhe qartë mendimin tim për këtë reformë, njëkohësisht duke u përpjekur të mos ripërsëris ato që kanë prekur autorët e tjerë. 

   Në çfarë konsiston kjo e ashtuquajtur reformë në drejtësi? Nga çirrjet dhe të bërtiturat marrim vesh se kjo reformë konsiston në luftën ndaj korrupsionit në administratën shtetërore dhe tek politikanët, si dhe në institucionet dhe organet e drejtësisë, si tek prokuroria, gjykatat, kolegjiumet e ndryshme të drejtësisë. Nga fjalët dhe argumentimet që lexojmë marrim vesh se kjo reformë nuk arrin ta luftojë korrupsionin, por vetëm sjell amulli dhe varësi të sistemit të drejtësisë tek politika. Mbas atyre që unë vetë lexova në këto projektligje, përfshi këtu edhe ato ndryshime të tjera që mua më kanë rënë në sy gjatë kësaj periudhe pa fund tranzicioni, arrita së fundi në përfundimin se kjo reformë konsiston në kthimin e institucioneve dhe organeve të drejtësisë në vegla të administratës politike në fuqi. Çfarë me fjalë të tjera përkthehet: kthimin e një vendi në luftë civile, apo më e pakta: në pastabilitet të përhershëm, pasi këto institucione dhe organe do t’i binden forcave të ndryshme në fuqi, që në shqip përkthehet, këto do ti binden herë Zalos e herë Balos, dy qenushve që do mbajnë fuqitë e mëdha për drejtimin e Albanistanit, duke u hedhur nga një kothere sa për të ngrënë, sa për t’u grindur (ose bërë gjasme) me njëri-tjetrin, dhe të mos kenë kurrë mundësi të zhvillohen e të prodhojnë në qetësi dhe prosperitet.

   Para se të kaloj tek reforma, vjen pyetja tjetër: përse konsistojnë këto fuqi botërore dhe (si përherë) mike tonat në pastabilitetin e përjetshëm të Shqipërisë? Përgjigjia është mjaft e qartë: a) ato nuk duan konkurrencë në prodhimtari, (një vend i pastabilizuar nuk arrin kurrë të ngrejë ekonominë e tij), b) kështu i mbajnë shumë vende të varura ndaj tyre, (pra i kanë si vota shtesë nëpër kologjiume dhe konferenca të ndryshme ndërkombëtare), c) vende të varura tërësisht përdoren për filma të ndryshëm në kolizione të para-pregatitura, (që shqip quhet: nxirren gështenjat nga zjarri me duart e tjetrit).

***

   Tani le ta shohim pakëz këtë reformë, por më parë historikun e saj. Kjo reformë, me sa kam kuptuar unë, është kupola e fundit e amullisë që ka nisur prej dekadash në drejtësi. Po marr vetëm një shembull të këtyre muajve të fundit, që tregon se kjo amulli ka nisur edhe më herët se të nisi përpjekja për kupolën e fundit. Dimë se në shumë vende të botës kanë nisur të ngrihen Gjykatat e Larta Kushtetuese; mos e ngatërroni këtë me Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që kjo e fundit është organi më i lartë i një vendi në gjykimin e çështjeve penale dhe civile, e para nuk përbën organ gjyqësor, por më shumë një instancë, një lloj kolegjiumi ekspertësh, të cilët kanë shpesh të drejtë pushteti legjislativ njëlloj si Parlamenti, vetëm se në krahun e kundërt të tij, pra Parlamenti aprovon ligjet, ndërsa Gjykata Kushtetuese mund të mos lejojë ratifikimin e tyre përfundimtar, këtë kryesisht sepse x-ligj mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën apo me ligje të tjerë. Kaq! Mirpo para pak muajsh ne pamë se si kjo Gjykatë Kushtetuese i hoqi mandatin një deputeti të Parlamentit, për faktin se ai kish shkelur statutin e deputetit, duke u marrë me biznes gjatë periudhës që ishte deputet. Kjo Gjykatë Kushtetuese, e cila ka si detyrë të saj kontrollin e ligjishmërisë, ka në këtë rast edhe kompetenca organi, pra vendos si çdo gjykatë tjetër një dënim të caktuar. Pra, ne kemi ngritur një instancë me ekspertët më të mirë të jurisprudencës dhe të juridiksionit, të cilët qëndrojnë në sferën teorike të legjislacionit, për të qenë kështu krejtësisht të paanshëm prej cilido subjekt politik dhe administrativ, në ratifikimet dhe revokimet e ligjeve. Nëse ky lloj kolegjiumi ekspertësh të ligjeve dhe drejtësisë do të merret me anëtarë të forcave politike të vendit, dhe nga ana tjetër ne kemi këtu parasysh edhe përzgjedhjen e anëtarve të këtij kolegjiumi, (çfarë parashikon me ca ndryshime të vogla kjo e ashtuquajtur reformë në drejtësi), ne mund të themi me plot gojën se ne e largojmë këtë kolegjium nga paanësia e tij dhe e fusim në një luftë klasash, të cilën nuk e ka imagjinuar dot as edhe një diktaturë. (Këtu mos të mendojë njeri se unë u mora me fatin personal të deputetit shqiptar, Koço Kokëdhima, për të cilin as më rreh dhe as dua t’ia di kush është ai dhe gjithë deputetët e tjerë shqiptarë, të cilët janë në pjesën më të madhe të tyre biznesmenë!)

   Vazhdojmë me historikun e kësaj reforme. Kjo i ka fillimet e saja disa vjet më parë, por konturet e qarta i mori në 2014 dhe sidomos 2015. Projekti i parë i saj i ardhur nga jashtë, (unë nuk e di nëse nga USA apo EU), ishte një paçavure e tillë, që duhej të përmisohej (kupto: ndryshohej). Kjo u bë dhe, për shkak se juristëve shqiptarë nuk iu mbushej akoma mendja, u gjet e arsyeshme që projektligji ti nisej Komisionit të Venecias, një art kolegjiumi juristësh këshillues ky i EU-s, të cilit i drejtohen edhe shumë shtete të tjera për këshilla në çështje juridike. Ky komision, pasi e pa dhe studioi këtë paketë projektligjesh, arriti në konkluzionin se ishte i dëmshëm për sistemin juridik, pasi hunda e politikës, administratës dhe pushtetit qeveritar futej ca si thellë në ‘të. Ndaj u bënë ndryshime të mëtejshme. Mirëpo dy forcat kryesore politike në parlamentin shqiptar nuk po binin dakord sërish me këtë reformë. Këtë kohë, presioni i ambasadorit amerikan në Shqipëri u bë i hapur dhe, kështu, zërat kundërshtues të kësaj reforme, me projektligje të ndryshuara disa herë, kanë rënë, ndaj po përdoren nga politikanët shqiptarë metoda të tjera zbythje, si gjoja mosmarrveshje pozitë-opozitë, duke shpresuar edhe për ndonjë ndryshim të mëtejshëm në projektligjet e kësaj pakete të ofruar, duke shpresuar si ai budallai i kapur mat, për ndonjë ndërhyrje nga fuqi qiellore, kushedi, ndonjë rrëbesh i madh shiu, ndonjë përmbytje, ndonjë tërmet, e pse jo, ndonjë akt terrorizmi, për ta larguar vëmëndjen edhe për ca kohë nga kjo reformë.

 

***

Pasi pamë përgjithësisht dhe shkurt historikun e kësaj reforme, le ta shohim pak më në detaj këtë reformë, këto projekt-ligje. Një aspekt në këtë paketë projektligjesh është ai i emërtimeve në Gjykatën Kushtetuese (GJK), në Gjykatën e Lartë (GJL), në Gjykatën e Lartë Administrative (GJLA.), në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), në Këshillin e Lartë të Drejtësisë (KLD), në Këshillin e Emërtimeve në Drejtësi (KED), në Tribunalin Disiplinor të Drejtësisë (TDD ose TD), në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë (ILD), në Komisionin e Kualifikimit të Shkallës së Parë (KKShP), në Komisionin e Kualifikimit në Shkallën e Apelit (KKShA), pa llogaritur këtu grupimet e tjera në formë konferencash, apo kolegjiumesh sipas shkallësh gjykatash, ku kemi grupime konsultimesh për probleme drejtësie në përgjithsi. Disa nga këto organe-institucione më lart janë të reja, pra janë akoma hipotetike në projektligj. Aspekti i emërtimeve në vetvete është një mish-mash, ku në fund ngelet vetëm të thuhet se, njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën. Pra, i ha munë korrupsionit, për t’mos thënë edhe që e shpërndan përgjegjsinë edhe më shumë. Në gjuhën perëndimore kjo quhet: arritje kompromisi, sepse në këto emërtime kanë dorë deputetët, presidenti, gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, si dhe kolegjiumet e gjyqtarve dhe prokurorve. Pra, ma fut pak, të ta fus edhe unë pak, sa për t’i hedhur hi syve publikut!

 

   Po të lexosh këto projektligje, bie në sy edhe diçka tjetër, një sërë nenesh koti, disa prej të cilëve provokativë, të cilët vihen sa për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe juristëve nga thelbi i saj kryesor. Kështu, për të mbuluar thelbin antidemokratik të gjithë kësaj pakete, vihen disa nene që janë akoma më antidemokratikë, apo “të çuditshëm”, në mënyrë që vëmendja e kritikuesve të përqendrohet tek këto nene. Kjo lloj taktike është përdorur qysh në kohë të Romës antike, dhe përdoret shumë edhe në kohët tona “moderne”. P.sh., merrni stadiumin e ri, i cili nga vetë madhësia e tij, nga stili dizinjues dhe nga ngjyrat që do ketë, është krejt në stonim me objektet e tjera klasike, të projektuara nga arkitektët italianë këtu e 100 vjet më parë. Për t’mos e diskutuar këtë gjë kaq kryesore, favorizuesit e stadiumit të ri, Edi Rama me Companinë e tij, (jo më kot e shkruajta me “C”), përqendrohen tek një tezë e hedhur po nga vetë ata, por që shprehet gjoja nga goja e kundërshtarëve, dhe kjo është pikërisht kulla e lartë anësore, a thua se problemi qëndron tek kjo kullë! Duke patur parasysh edhe një media të paguar në Shqipëri, e cila po ashtu i bie kambanës për punën e kullës, mbështetësit e stadiumit të ri arrijnë ti përqeshin bukur “kundërshtarët” e tyre, kështu ky stadium ndërtohet me mbështetjen e opinionit “të shëndoshë”. (Që asaj zone rreth e rreth stadiumit i është bërë nafta me kohë, ky është një tjetër problem, me të cilin nuk po zgjatem këtu.) Pra, kjo paketë projekt-ligjesh është tërësisht antidemokratike, sepse e vë këtë sistem nën varësinë e politikës, duke bërë që gjyqtarët dhe prokurorët të jetojnë gjithë frikë, por kjo nuk bie në sy, pasi disa nene të veçanta e krejt koti tërheqin vëmndjen. Kështu p.sh. prezenca e ministrit të Drejtësisë në shumë kolegjiume dhe grupime, ndonjëherë edhe me të drejtë vote, vihet kot në këto projektligje, që juristët të vënë alarmin pikërisht në këto pika, siç edhe ndodhi fillimisht me këtë projektligj, ku edhe Komisioni i Venecias e kritikoi. Apo disa proçedura mjaft të koklavitura emërtimesh dhe zgjedhjesh tërheqin vëmendjen nga vetë shumimi i organeve-institucione të drejtësisë, një sistem i ri ky në drejtësi, që jo vetëm do ta burokratizojë më tej këtë sistem, por edhe do ta shpërndajë më tej përgjegjsinë! Akoma më e kamuflluar është proçedura e masave displinore deri dhe heqjen e prokurorëve, gjyqtarëve dhe juristëve të ndryshëm, e cila tërheq aq shumë vëmendjen e kujdo analisti, sa të mos dallojë se i gjithë ky sistem i shumëfishuar organe-institucionesh shton vetëm frikën e të gjithë juristëve ndaj politikës dhe administratës së lartë shtëtërore, e cila është sot gati tërësisht e blerë nga lobe dhe shtete të fuqishëm në botë, duke mos-patur më të voglën pavarësi.

 

   Këtu mos u hutoni nga cilësimi që unë u bëj këtyre aparateve të reja, duke i quajtur “organe-institucione”, pasi në të vërtetë këto nuk janë saktë vetëm organe, dhe as vetëm institucione, por janë midis të dyjave, duke patur funksione në dy pushtete, atë shtetëror dhe atë gjyqësor. Është mëse e qartë që një ndarje me thikë nuk mund të ketë për të gjitha aparatet e një shteti. Do ketë edhe ndonjë aparat që mund të ketë edhe funksione institucionale, ashtu dhe ato të një organi, (në këtë rast këto gjyqësore), apo funksione legjislative dhe deri diku edhe ekzekutive. Por këto janë raste shumë të ralla, pra përfshijnë një aparat të caktuar, përveç kësaj presupozohet të jenë të përkohshme. Në parim çdo aparat dhe zyrë ka funksion të qartë në pushtetin e tij/saj, pa marrë atributet e pushteteve të tjerë, për të ruajtur kështu ndarjen e pushteteve dhe panvarsinë e tyre. Ndërsa në këtë paketë të re dhe në këto zhvillime të reja që po shkon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, kjo ndarje po emulsohet, duke na dhënë një mish-mash zyrash dhe personash juridikë. Ky është një problem kardinal që shoh unë në këto zhvillime. Nëse vazhdon kështu, nuk është çudi të shohim në të ardhmen një anëtar të Gjykatës Kushtetuese të dënojë me tre ditë burg një deputet apo një gjyqtar të një gjykate tjetër, përveç kësaj të vendosë një ligj të ri kushtetues, nuk është çudi të shohim kryetarin e parlamentit të dënojë me arrest një deputet, e pse jo të mbledhë grupin e tij politik për të votuar heqjen e mandatit të një kolegji të caktuar në drejtësi, nuk është çudi që së fundi edhe një pronar restoranti të dënojë në bazë të ligjit një nga punëtorët e tij me ndënjie në dhomën e ftohtë të perimeve për 24 orë, sepse kjo shpërndarje dhe përzierje pushtetesh të çon vetëm në një mish-mash të tillë kompetencash. Si dhe në të kundërtën më pas, në vënien e vëndit nën një dorë të fortë diktature, e cila realizon të gjitha pushtetet!

   Diçka tjetër që mua më ra në sy në këto zhvillime dhe projekt-zhvillime juridike është raporti i subjekteve të ndryshëm me Kushtetutën. Kjo e fundit, trajtohet si një lavire rrugësh, duke u particiluar (partikularizuar), ashtu siç po particilohen prokuroria, shkallët e gjykatave, kolegjiumet e tyre, etj., dhe jo duke u nderuar si shtylla kryesore e ligjit, ku bazohen aktivitetet e të gjithë personave civilë dhe juridikë! Kushtetuta e çdo vendi është ligji orientues i të gjitha ligjeve të tjera, ndaj ajo ndërtohet nga mendjet më të ndritura të një kombi, ndaj ajo diskutohet edhe në popull, ndaj ajo e kryen funksionin e saj pa më të voglin ndryshim për shumë e shumë vjet, për të mos thënë për shumë e shumë dekada. Natyrisht që edhe ky Ligj Themeltar pëson herë pas here ndryshime në nenet e tij, sepse zhvillime të reja mund ta detyrojnë këtë ndryshim, por këto janë të ralla, janë në nene të veçantë dhe kryhen sërish nga mendjet më të ndritura të një vendi. Secili vend ka një asamble të caktuar, e cila mund të mblidhet për këto probleme dhe të tjera kardinale, një herë në pesë vjet. Në të bën pjesë jo vetëm parlamenti, por edhe po  aq nga numri një pjesë e intelektualve më të formuar të vendit, ndoshta kryetarë bashkish, të cilët vendosin për çështjet më kardinale të vendit, përfshi dhe Kushtetutën, por për këtë të fundit diskutimet dhe ndryshimet mund të jenë një herë në 10 apo 20 vjet. Sa më rallë të ndërhyhet tek një kushtetutë, kjo tregon se aq më e pjekur është kjo kushtetutë, aq më mirë i ka shërbyer vendit dhe ligjeve të tjera rrjedhëse, aq më të zgjuar kanë qenë hartuesit dhe aprovuesit e saj.

   Cilat janë këto probleme me Kushtetutën?

E para kushtetuta shqiptare ka pësuar aq shumë ndryshime gjatë këtyre viteve të fundit, sa jo kushtetutë që nuk mund të quhet, por as paçavure. Kjo nga shkaku se ndryshimet në superstrukturë kanë qenë kaq të mëdha gjatë dy dekadave të fundit, sa juristët shqiptarë kanë bërë shtesa pas shtesash, për të saksionuar aty funksionet e subjekteve të ndryshme të superstrukturës së lartë të shtetit (administrativ) dhe dy pushteteve të tjerë. E dyta, duke patur tani parasysh edhe këto shtesa organe-institucionesh të reja, (që janë as mish as peshk), si dhe proçese të koklavitura emërtimesh dhe zevëndësimesh, apo masash disiplinore, bëhet e nevojshme që shumë nga nenet e kushtetutës të abrogohen, në të kundërt kemi një kushtetutë me mijra nene, si çdo Kod i caktuar; dhe ky abrogim nuk bëhet nga Parlamenti shqiptar, as nga Gjykata e Lartë Kushtetuese, por duket se bëhet nga legjislatori, që de facto është një grup juristësh sipas rastit, me nga dy-tre përkthyes pranë, për të bërë krahasimet me kushtetutat e vendeve të tjera, ndërsa de jure nuk dihet se kush është, pasi nuk është e përcaktuar me ligj kush janë ata që hartojnë një projekt-kushtetutë, duke parakuptuar kështu lloj-lloj juristësh, deputetësh, pse jo edhe përkthyesish. E treta në lidhje me Kushtetutën është në raportin e Gjykatës së Lartë Kushtetuese me ‘të, teksa GJLK i hiqen ato të drejta-detyra kushtetuese për të trajtuar, shqyrtuar, pranuar, mos-pranuar, një kategori të caktuar të neneve të kushtetutës, ato që amendojnë (≈ndryshojnë) vetë kushtetutën. Tek kjo e fundit bëhet pyetja: po kush do t’i trajtojë këto nene? Sepse një qeveri e zakonshme mund të propozojë lloj-lloj ndryshimesh në Kushtetutë, (po marrim rastin më të zakonshëm, kur bëhet fjalë për të dërguar trupa ushtarake në një vend të huaj, ku kushtetuta parashikon votimin për këtë punë në parlament, dhe qeveria propozon “nën kushtet e reja që kanë ardhur” heqjen e këtij neni kushtetues për votim në parlament), në këtë rast GJLK është jashtë loje, ndërsa qeveria merr atribute legjislatori (ligjëvënsi). Dhe sa e sa raste do të paraqiten, ku GJLK është në pozicion jashtë loje në probleme juridike!

   Për të parë saktë se si kjo paçavure shqiptare e sotme, me emrin kushtetutë, tentohet nga e ashtuquajtura reformë në drejtësi të kthehet në një lavire, pra të degradohet akoma më tej, po ju tregoj një nga këto projekt-nene: Neni 19 : 2. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpallë antikushtetues një ligj të miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës, me përjashtim të rastit kur është shkelur proçedura e miratimit të këtij ligji. Vetëm ky nen na tregon gjithë kalbësinë e shoqërisë shqiptare, përfshi popullatën e sotme injorante, që nuk e kupton ku qëndron rëndësia apo budadallëku i këtij neni; përfshi superstrukturën e kësaj shoqërie, që nuk e di përse ekziston një GJLK dhe nuk e dallon dot parcelizmin që i bëhet vetëm një veprimtarie të caktuar të GJLK; përfshi aty dhe juristët që e hanë sapunin për djathë, tek nuk dallojnë dy tema nga më të ndryshmit në këtë nen, vetë të drejtën (e cunguar në këtë rast) të trajtimit të kushtetutës nga GJLK dhe një veprimtarie proçeduriale, që hyn në çdo lloj miratimi dhe mos-miratimi ligjesh nga subjekte të ndryshëm, (parlamenti, GJLK, etj.), proçedurë kjo e cila në këtë rast nuk ka të bëjë fare me të drejtën (e cunguar) të GJLK; përfshi aty edhe politikanët dhe deputetet, të cilët marrin në supet e tyre detaje juridike që nuk i kuptojnë, duke i hapur kështu oreksin ujqërve dhe hienave të fshehura ta gëlltisin këtë vend megjithë parlament; përfshi në këtë nën-histori idiote edhe mos-dallimin e mangësive të sistemit legjislativ shqiptar, po të kujtojmë që atributet e krijimit dhe ndryshimit të Kushtetutës duhet ti ketë një organizim më popullor dhe i lartë, siç është Asambleja, e cila përfshin si deputetët, ashtu dhe të tjerë, p.sh kryetarët e bashkive, të zgjedhurit e disa organizatave dhe shoqatave si dhe mjaft intelektualë të dëgjuar nga sfera të ndryshme, ato letrare, shkencore, të artit, etj..

  

Në mish-mashin e kësaj reforme parashikohet edhe ngritja e një Gjykate Administrative me shkallët e saj, deri tek ajo e Lartë, siç e ka bie fjala Gjermania. Kjo paketë natyrisht është vetëm një aneks i parëndësishëm në këtë reformë, por tregon mjaft se si administrata përpiqet ti shpëtojë ndëshkimit të ligjit, siç bën shpesh dhe tradicionalisht në Gjermani, ku ndaj qytetarit abuzohet pafundësisht nga administrata shtetërore, e së fundi ky mund të fitojë në proçeset gjyqësore të kësaj gjykate vetëm të drejtën që ju takon, por zyrtarët e administratës shtetërore nuk marrin kurrë dënimin për abuzimet e qëllimta që bëjnë ndaj qytetarve, por vetëm një vërejtje të lehtë, edhe këtë vetëm pas disa rastesh abuzimi, sepse:

 1. kjo gjykatë nuk ka atribute penale, por vetëm të kufizuara civile, dhe

2. sepse zyrtari justifikohet me shprehjen: nuk e kam parë këtë gjë, e kam harruar, dosja ka humbur, etj..

Unë vetë nuk jam absolutisht kundër ngritjes së Gjykatës Administrative, pasi ka dhe raste të qarta abuzimi dhe shkelje ligjore nga zyrtarët e ndryshëm të shtetit, në të cilat kjo gjykatë manovron shpejt në proçeset e saja, duke vendosur të drejtën e caktuar, si Gjykatat e Punës. (Në Gjermani mbi 70 % të rasteve të gjykuara nga kjo gjykatë administrative, e drejta u është dhënë qytetarve, dhe në mbi 90 %  të rasteve të përplasjeve të qytetarve me zyrat e punës (job-center), e drejta u është dhënë po qytetarve! Kjo sa për dijeni, për të kuptuar se sa shumë fshihet pas këtyre abuzimeve të zyrtarve të ndryshëm.) Pra, për mua kjo Gjykatë zbulon shpesh abuzimet e zyrtarve, por mbulon veprimtarinë penale të këtyre zyrtarve. Me një fjalë, kjo Gjykatë është për mua si vazhdim i asaj të drejtës së agallarve të fshatrave në kohët e lashta në disa vende të botës, të cilët kishin të drejtë të kryenin të parët marrëdhënie seksuale me gruan e çdo fshatari të sapo-martuar. E jo vetëm kaq, por edhe sot nëse ndonjë nga këta agallarë bën të njëjtin veprim, ai vetëm paguan (më së shumti nga arka e shtetit) një sasi parash dhe dëmi quhet i larë! Vepra penale nuk ekziston!!!

   Mund të rrimë deri nesër të diskutojmë një për një të gjitha nenet e kësaj reforme, pa harruar vetë reformën në tërësi. Mund të rrimë deri në mesnatë e të deklasojmë korrupsionin shqiptar në administratë dhe drejtësi, që ia bën shpesh muuu! Mund të shtojmë dhe ndreqim edhe shumë e shumë nene në këtë paketë! Por asnjëra nga këto do sjellë përmisim në luftën kundër korrupsionit, sepse janë shtuar organet dhe institucionet, duke e shpërndarë edhe më tej përgjegjësinë, sepse disa nga këto organe-institucione vihen më tepër në varësi të politikës dhe administratës, sepse kemi shmangur përgjegjësinë e popullit, medias dhe një asambleje mbarë përfaqsuese, të cilat duhet të kenë më shumë hapësirë në Kushtetutë dhe në nyjet kryesore të Drejtësisë. Këtë shkrim të shkurtuar mbi reformën “agrare” në Drejtësi unë do e mbyllja me një krahasim hipotetik, atë ku Donald Lu-ja me gjithë Vllahutinin gjinden në një restorant për të festuar reformën e “tyre”, dhe në vend të shijojnë rregullsinë e përsosur që duhet të ofrojë një shërbim restoranti, -siç mund ta gjejmë vetëm në Francë apo Japoni-, të turfullohen nga një shërbim lëvizjesh të paparashikuara kamarierësh, krejt kaotikë dhe servilë! Për të tillë sistem shërbimi në drejtësi nuk ka nevojë asnjë vend në botë!

_______

*1.Florjan Kalaja –A forcohet sistemi i drejtësisë apo dobësohet? Dhjetor 2015, Gazeta MAPO.

  2.Aleksandra Bogdani –Reforma në drejtësi ka bërë ... Janar 2016, Peshku pa ujë.

  3.Prokurori dhe gjykata të posaçme për zyrtarët e lartë, gazeta MAPO, janar 2016, në të cilën jepen disa projektligje. Si dhe disa shkrime të tjera.

Qershor 2016

                               Shënim: Autori i këtij shkrimi dërguar në postën elektronike, ka preferuar të ruajë anonimatin 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.