"Shekulli": Nuk ndodh qameti më 21 korrik. Komisioni i vettingut, nga qytetarë, si në ShBA

Postuar në 19 Korrik, 2016 10:48
Genc Burimi

Kryeministri është në rolin e tij kur mbron reformën e tij me shantazhe të tipit “pas dështimit vjen qameti”. Si gazetarë jemi në rolin tonë t’i shfryjmë hiperbolat. Jo, toka s’do të pushojë të rrotullohet pas 21 korrikut. Jo, BE-ja nuk e ka në axhenda, as të hapë e as mos të hapë negociatat me Shqipërinë pas 21 korrikut. Sepse ekziston një kriter i katërt që kushtëzon hapjen e negociatave (përveç atyre të demokracisë funksionale, ekonomisë së tregut dhe “acquis communautaire”). Ai është kriteri i kapacitetit të BE-se për ta thelluar zgjerimin. Por nuk është sekret për askush, se BE-ja ka problemet e veta ekzistenciale në këto momente, me terrorizmin, me Brexit-in, me puçin në Turqi, me fushatën elektorale franceze nga ku do të varet për pak muaj vete fati i BE-së. Tjetër gjë, nuk është e vërtetë, siç e tha kryeministri dje, se ndërkombëtarëve u nevojitet kjo reformë në drejtësi për të na ndihmuar në skanimin e atyre që kryeministri i quajti monstra. Pse mos kanë nevojë SHBA-të dhe BE-ja për reformë në drejtësi në Rusi e vende të tjera të korruptuara për të publikuar lista të kuqe me udhëheqës e funksionarë të lartë të këtyre vendeve që e kanë të ndaluar të udhëtojnë në Perëndim?

Mos të harrojmë po ashtu të famshmen listë Lagarde që i nxorri bojën ish-qeveritarëve grekë që kishin fshehur paratë jashtë shtetit. Ç’presin atëherë ndërkombëtarët që t’ja bëjnë këtë shërbim dhe popullit shqiptar, duke i vënë në dispozicion “skanimet” e të gjithë kriminelëve me toga të zeza apo me jaka të bardha që i kanë pirë dhe po i pijnë gjakun këtij vendi? Pse u duhet patjetër atyre, ndërkombëtarëve, të hyjnë në kushtetutën tonë për të na i dhënë këto të dhëna vitale për demokracinë tonë të brishtë? A e dinë zoti Lu dhe zonja Vahlutin se është e dënueshme jo vetëm mosasistenca ndaj një personi në rrezik, por dhe ndaj një populli në rrezik? Nëse shtetet që përfaqësojnë dinë gjëra ndaj sharlatanëve tanë të korruptuar, le t’i tregojnë, pa kushte. Jo, 21 korriku nuk ka lidhje fare me shpëtimin e Shqipërisë nga të huajt siç u mundua ta paraqesë dje kryeministri.

Operacioni ndërkombëtar i monitorimit (ai që do paskësh tagrin me kushtetutën e re të bëjë skanimet, domethënë të shohë ndër të tjerash, llogaritë bankare jashtë, nga prokurori e gjykatësi i lagjes e deri tek ai i kushtetueses) duhet t’ja kishte filluar punës ngahera pa pritur 21 korrikun. Le të na i sjellin skanimet të huajt, qoftë edhe anonimisht. Do ketë plotë gazeta shqiptare që do të veprojnë si ato perëndimore me skandalin e “Panama Papers”. Duhen gjendur argumenta të tjerë për të shpjeguar se përse insistohet deri në rrëzim të qeverisë, që patjetër të votohet më 21 korrik një reformë që lejon të huajt të figurojnë brënda Kushtetutës së Shqiperisë, diçka e paprecedentë në të drejtën ndërkombëtare në kushtet e joreciprocitetit.

Ç’mendon Renzi?

21 korriku, ose projekti që po serviret thuajse me dhunë parlamentare po merr trajtat e një basti kokëfortë që i tejkalon interesat më vitale të shqiptarëve, rendi, qetësia, siguria. O e bën qeveria këtë reformë 10 muaj para zgjedhjeve që t’i shpëtojë faqen dy ambasadorëve perëndimorë, o bjer e vdes, siç e thotë proverbi. Por një pyetje e thjeshtë shtrohet: kur u prit 25 vjet, ku është ndryshimi se do pritet, po të dojë Kryeministri, edhe 10 muaj më shumë? A ja vlen zoti Rama, zoti Lu, zonja Vlahutin të çoni një vend stabël në rajon siç është Shqipëria sot, në një krizë politike madhore për një tekë kohore? Ka qenë fat dhe meritë e Shqipërisë, ashtu si në mirëkuptimin fetar, që nuk ka njohur si Maqedonia, Greqia apo dhe Italia fqinje kriza të vazhdueshme qeveritare. Pse insistoni të na zhysni në krizë politike?

Terapia juaj, sado e sinqertë qoftë ajo, në vend ta rimëkëmbë pacientin, e vdes atë. Ju do të mbani përgjegjësinë e rrezimit të një qeverie të qëndrueshme dhe ardhjen e një qeverie teknike dordolecash që askush s’do e pyese dhe që do t’i shkaktojë këtij vendi edhe me shumë korrupsion, me shumë varfëri. Ndoshta dhe kryengritje popullore kur njerëzve t’u ketë ardhur në maj të hundës me ministra totalisht të pafuqishëm. A janë pyetur kanceleritë perëndimore nëse ja vlen barra qiranë “ të kalosh me forcë” në 21 korrik në parlamentin e Shqipërisë? Nuk është një nga 750 europarlamentarët e Strasburgut, një Knut Fleckenstein, kryetar grupi miqësisë me Rusinë që duhet pyetur se nuk i mban ai në kurriz pasojat e një destabilizimi në rajon…Jam kurioz të dijë se ç’mendon Renzi kur t’ja shpjegojnë mirë se në Shqipëri, vetëm dhjetë muaj para zgjedhjeve po tentohet të bëhet me sforco një reformë në drejtësi dhe rezultati mund të jetë kaosi me refugjatë sirianë në brigjet karshi të Adriatikut…

Pasi kryeministri i ri “teknik” shqiptar që do të vijë mund të jetë me përvojën e një “tekniku” të mesëm që s’do të dijë cilin rubinet me probleme të mbyllë të parin. Po kryeministri francez Manuel Vals, atij që i është mbushur shtypi këto ditë me lajmin e dy shqiptarëve që kanë furnizuar me armë terroristin e Nicës, ç‘mendon se për hir të një reforme drejtësie shtatanike në Shqipëri, që nuk pret zgjedhjet normale sqë po trokasin në derë si në çdo vend normal, Shqipëria, rrezikon të rikthehet më e keqja në një depo armësh në qiell të hapur, dhe më e “mira” një vend edhe më pashpresë nga ku do të dynden falë Shengenit batalione të tjerë shqiptarëëh? I rroftë Perëndimit reforma e dështuar në drejtësi në Shqipëri. Pasi kush do e qeverisë këtë vend nëse tri partitë në parlament do bllokojnë njëra-tjetrën për formimin e qeverisë teknike? Dhe ashtu ka për të ndodhur. Kush do e mbajë përgjegjësinë? Rama, Lu, Vlahutin? Në frëngjisht ka një shprehje për këtë, “apprenti-sorcier”, që mund të përkthehej: “Shkon për vetulla dhe heq sytë”.

Shqiptarët janë të lodhur me eksperimente. Shqiptarët e panë që politikanët e tyre janë të paaftë të bëjnë me konsensus një reformë drejtësie. Shqiptarët, siç do popull me mend në kokë, kanë tani vetëm një aspiratë, ta luajnë ata rolin e arbitrit, të vendosin vetë ata me votën e tyre se cilës reformë në drejtësi i hapin dritë jeshile, asaj të Edi Ramës, të Lulzim Bashës apo të Ilir Metës? Vetëm shqiptarët do t’i bëjnë këta njerëz të bien dakord.

Të respektohet populli

Ndaj nuk e kuptoj këtë nxitim për në 21 korrik ndërkohë që zgjedhjet e qershorit 2017 erdhën dhe zgjidhja po na shtrin krahët pa më të voglën vështirësi. Një nga shprehjet që e bën Çurçillin të famshëm që para heroizmit të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte: “kërkuat të evitonit luftën duke pranuar të humbnit nderin, por humbët nderin dhe njëkohësisht do keni dhe luftën”. Tek ne, kërkohet me çdo kusht një votim në 21 korrik duke humbur konsensusin mes partive parlamentare, gjoja për të fituar kohë dhe për të hapur negocjatat me BE-në, dhe në finish s’do kemi as konsensus, as reformë, as qeveri, dhe as negociata.

Nuk është asnjëherë vonë për t’i ribërë gjërat më mirë. Me konsensus, të treja partitë në Kuvend të tërheqin reformën nga rendi i ditës së 21 korrikut. Njëkohësisht të shpallin që zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 të jenë po të njëjtën ditë një referendum për njërin nga variantet e reformës në drejtësi që do të paraqesin partitë në garë. Nga ky veprim i urtë të gjithë dalin të fituar. Ndërkombëtarët dalin të fituar, sepse menjërë bie temperatura politike në Shqipëri, dhe kjo nuk ka çmim për kohët e turbullta që po përjeton rajoni dhe më gjerë në këtë moment. E fituar del PS-ja dhe Kryeministri Rama që do të kenë kohë të drejtojnë qetësisht vendin deri në zgjedhjet e ardhshme e të mbajnë premtimet madhore që kanë bërë më 2017. Mos të harrojmë se përveç reformës në drejtësi, është premtuar rënia drastike e papunësisë me 300 mijë vende të reja pune në 4 vjet. A nuk ka dëshirë Rama t’i shkojë deri në fund mandatit dhe të krenohet se e mbajti këtë premtim?

Të fituar padyshim dalin dhe LSI-ja me PD-në. E para qëndron dhe ajo në qeverisje deri në fund. E dyta do të përfitojë nga këto 10 muaj shtesëë kohë që të dalë nga pozicioni i kritikës së vazhdueshme ndaj draftit aktual të reformës në drejtësi, në propozues konkret reforme. Por mbi të gjithë, i fituar del populli shqiptar. Dhjetë muaj nuk janë aspak luks që ai të informohet më mirë se deri tani, se çfarë përmbajnë draftet e reformës të secilës parti në garë. Mund të ndodhë që vetë populli me anë të shoqërisë civile të propozojë draftin e tij. Radikal. Për shembull, Komisioni i Veting-ut për vlerësimin e figurave të sistemit të drejtësise mos të përbëhet as nga politikanë, as nga zanatçinj koorporatista të drejtësisë dhe as nga ndërkombëtarë, por nga qytetarët vetë. Me short, si në juritë popullore ne SHBA ! Gjithshka është e mundur po të ftohen njerëzit të reflektojnë vetë për reformën e drejtësisë së tyre. Rama pati meritën që hapi një risi, hapi një debat që duhet të vazhdojë tani për inerci në opinionin publik. Asnjë nuk do t’i shpëtojë interesimit për këtë debat pasi në qershor 2017, pyetja se cilin draft do te zgjedhë qytetari në referendum do të figurojë në fletët e votës për zgjedhjet legjislative. Dhe dihet që partia që do të marrë më shumë vota për draftin e saj, do të marre po ashtu dhe më shumë deputetë. Kjo do t’i motivojë edhe më shumë kandidatët për deputet, të hyjnë në detajet e reformës në drejtësi, gjatë gjithë fushatëë së zgjedhjeve legjislative, qytet më qytet, lagje më lagje fshat më fshat. Ashtu siç ndodh në çdo vend normal europian kur bëhet fjala për reforma historike, siç qenë referendumet për Europën në Britani të Madhe, në Francë, në Irlandë, në Holandë.

Reforma në drejtësi në Shqipëri është po e aq komplikuar për “shqiptarin e mesëm” sa ç’janë traktatet europiane për francezin, britanikun, holandezin e mesëm. Kurrë qeveritë e këtyre vendeve nuk do të kishin guxuar t’i kalonin këto traktate me forcë në parlament, sepse nuk do t’ua lejonte as etika e demokracisë dhe as vetë opinion publik. Vox Populi vox Dei. Në kësi rastesh historike vetëm vendimi i popullit vlen, dhe jo ai i delegatëve të tij deputetë në parlement sado të “ lirë” të votojnë ata nga çdo presion partiak. Popull në Shqipëri është si ai i PS-së që e do këtë reformë drejtësie në formën aktuale, ashtu dhe ai i PD-së që ndjek symbyllurazi liderit e tij. Kjo është demokracia. Të gjithë duhen respektuar. Kur PD-ja dhe LSI-ja thonë sot jo, është 50 e më shumë për qind e popullit votues shqiptar që thotë jo. Edi Rama duhet ta dëgjojë këtë dhe të ketë kurajon të tërheqë provizorisht reformën e tij. Për këtë gjest do të mbahet më shumë mend në histori. Do të mbahet mend për mirë, me mirënjohjen kolektive të shqiptarëve dhe të nderkombëtarëve…Dhe ndoshta është ky gjest, shtyrja e reformës në drejtësi për zgjedhjet legjislative që do t’i sigurojë atij dhe partisë së tij, një mazhorancë edhe më të madhe se sot, të emancipuar nga LSI-ja…

"Shekulli"
Titulli është i redaksisë

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.