VIP-at, vettingu...*

Postuar në 18 Korrik, 2016 11:20
Ilir Mborja

(Kontradikta, në mes konsensusit që kërkon Uashingtoni dhe Brukseli dhe burgosjes së mundëshme të atyre që u duhet ta japin atë, i ka rrënjët pikërisht tek vettingu dhe dy mënyrat e shpjegimit të inicialeve VIP)

Si kudo në botë, edhe në Shqipërinë tonë, njeriu është një univers më vete. Gjuha e folur, në vend se ta ftillojë misterin, e errëson më shumë atë. Kështu edhe me shqiptarët dhe shqipen tonë. Prandaj, jo kurdoherë është e lehtë për të gjetur shkakun e vërtetë të shumë prej sjelljeve si edhe domethënien e atyre që na thuhen... Shumë gjërave psikologët dhe psikiatrët u kanë dhënë përgjigje. Për ca të tjera jo. Shumë të tjera mbeten ende të mistershme. Edhe ithtarët e teorive konspirative, të cilëve u është hapur punë e madhe këto kohë, nuk mbeten prapa. Nuk ka ngjarje që ata të mos ia “gjejnë” zanafillën... Edhe për deklaratën e fundit, në dukje të qartë, të Ilir Metës u dhanë disa interpretime… Për disa gjëra mund të besohen, për ca të tjera jo. Shumë të tjera mbeten ende të dyshimta. Ka edhe ca gjëra që shpjegohen në më shumë se një mënyrë. Shpesh ajo që deklarohet është shumë larg së vërtetës që mbahet e fshehur. Kështu pra, në tollovinë e politikës shqiptare ka shumë gjëra që mund të përshkruhen me plot kundërthënie. Domethënë, edhe kështu edhe ashtu. Por ka edhe disa të tjera që kanë vetëm një shpjegim. Pikërisht ashtu si psh, që për një sëmundje nuk mund të ketë dy diagnoza, edhe për ca gjëra s’mund të ketë dy shpjegime. Prandaj, për t’u shëruar nga sëmundja, puna e parë është përcaktimi i saktë i diagnozës. Prandaj për çdo “të sëmurë” që shfaqet duhet përcaktuar diagnoza e para, pastaj të tjerat. E njëjta rrugë, si për njerëz dhe për kafshë. Po ashtu edhe për VIP-at tanë… Diagnoztikimi një për një më parë…”Vetting” e quajnë anglezë e amerikanë këtë procedurë. Pra, para kryerjes së vettingut, nuk ke se ç’bën hiç me të sëmurin. Për këtë arsye, shumë manualë të mjekësisë i nisin udhëzimet e tyre, jo me atë se ç’duhet bërë, por me ato çfarë më parë nuk i duhen bërë një të sëmuri kur përballemi me të. Çdo paragraf i këtyre manualeve fillon me pjesëzën mohore “Mos”…

***
Por në këtë botë, siç e thamë në fillim, ka ende shumë gjëra që nuk mund t’u gjendet as edhe një shpjegim. Ka ca sjellje të ca njerëzve, që nuk ka shkencëtar t’i zbërthejë. Kështu p.sh, është e vështirë të kuptohet shkaku i një njeriu të sëmurë që mendon se mund të shërohet duke iu fshehur apo mos ia treguar gjithçka mjekut. Dhe të tillë ekzistojnë sa të duash më tregon një doktor me përvojë. Nuk i tregon atij p.sh, se çfarë ka ngrënë dhe ç’ka pirë? Çfarë i kanë thënë mjekë të tjerë nëse është vizituar më parë? I vjen turp nga trashëgimia dhe nuk i tregon se nga ç’sëmundje kanë vuajtur të afërmit e tij, etj… Në këtë rast, ai duke pasur frikë të vërtetën e hidhur, mjekun e gënjen pa iu dredhur qerpiku.

Këta lloj njerëzish janë aq budallenj sa, duke u dredhuar pyetjeve të tij, ngatërrojnë mjekun me prokurorin. Ata pra, për vete ngatërrojnë mjekun me prokurorin, ndërkohë që mjekun vetë, e ngatërrojnë në zbulimin e saktë të diagnozës. Si përfundim, nuk bëjnë gjë tjetër veçse gënjejnë veten. Këta lloj pacientësh, më shumë se nga zorrët, apo ndonjë rropulli problemore të barkut të tyre, në të vërtetë, lëngojnë nga mendtë e kresë. Pikërisht për këtë qëndrim që mbajnë, ata nuk kanë asnjë shans të shërohen. Tutuçkës së tyre s’ka doktor t’i bëjë derman. Për mjekimin e tyre, më e udhës është të mos pyeten fare dhe ndoshta një veteriner i zoti mund të bëjë diçka për ta.

Por unë nuk do të merrem me këto lloj pacientësh hajvanë që ngatërrojnë doktorin me prokurorin. Nuk do merrem pra me ata, që kur u çrregullohen rropullitë e barkut, të keqen e kanë në kokë. Gjithashtu, nuk kam parasysh as ata njerëz që ngatërrojnë Sali Berishën me Adriatik Llallën. Ato nuk kanë faj për këtë simptomë, që herë herë më prek edhe mua vetë. Në këto radhë do të merrem me ata njerëz shumë të rëndësishëm, dmth VIP-at, që bëjnë të kundërtën. Do të përmend ata që ngatërrojnë prokurorin me doktorin. Dmth, do të shkruaj për ata që ngatërrojnë Adriatik Llallën me Sali Berishën dhe ca VIP-a të tjerë. Do të përpiqem të arsyetoj mbi kontradiktën mes konsensusit që kërkon Uashingtoni dhe Brukseli për Refomën në Drejtësi dhe prangosjes së mundëshme të atyre që u duhet ta japin atë. Pikërisht, për atë që theksoi në daljen e fundit publike Ilir Meta, kur tha se: “Nuk bëhet reformë duke thënë do shkosh ti në burg”… Gjithashtu, do të merrem pak me një nuancë politike kuptimore të fjalës “vetting”, të asaj që në mjekësi i thonë “diagnoztikim” dhe qasjen e saj me VIP-at tanë. Meqenëse, siç tha Edi Rama “ambasadori i lodhur Donald Lu, flet shqip por mendon anglisht”, le të ndalemi pak në përqasjen shqip - anglisht të termit "vetting". Tek amerikanët ai përdoret kryesisht për kafshët, për vetting-un e tyre (këtej ka ardhur edhe fjala “veteriner”) dhe kuptohet, meqë ato nuk mund t’i tregojnë vuajtjet me fjalë, do të thotë se shkalla e vështirësisë së diagnoztikimit tek kafshët është më e madhe. Pra, vettingu në Amerikë, ka të bëjë më shumë me ata që mjekojnë derrat, dosat apo gomerët. Me çdo qënie të gjallë që nuk flet. Ndërsa tek ne kjo fjalë u soll vetëm për politikanët, pushtetarët, prokurorët, gjykatësit, dmth njerëzve, atyre që turqisht u thonë “insan”. Konkretisht, vetëm për ata që anglisht i quajnë Very Important Person. Shkurt, për ata që ne po shkurt, i quajmë VIP-a… Prandaj, që kur u shfaq mes rreshtave të draftit amerikan të Reformës për Drejtësi, fjala “vetting” ra si bombë dhe bëri me dhimbje koke shumë nga VIP-at tanë.

***

Por ndërsa atyre pacientëve hajvanë, që siç treguam më sipër, u duket doktori si prokuror, me VIP-at tanë ndodh e kundërta. Atyre u duket prokurori si doktor. Edhe Adriatik Llalla u duket si Sali Berisha. Ndryshe nga ata pacientë, që në të vërtetë lëngojnë nga trutë por u duket sikur u dhemb barku, VIP-at tanë ankohen se u dhemb koka, ndërkohë që të keqen në fakt e kanë në bark. Shembulli i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla e ilustron më së miri këtë. Atij thonë se, nga zbardhja e përgjimit të një krimineli me llagapin Molla, është dëgjuar të ankohet se i dhemb pak koka këto ditë. Koka edhe mund t’i dhembë atij, por shkaku nuk duhet kërkuar aty. Gjetkë duket do të na çojë vettingu… Them kështu, vetingu dhe jo diagnoza, se i sëmuri Adriatik Llalla nuk flet. Edhe kur e hap gojën ai është nga ata pacientë që nuk mund të besohet. Ai nuk e thotë të vërtetën e transferimit të prokurorit Anton Martini për llogari të kriminelit Arben Prendi dhe prandaj atij nuk ka ç’i bën doktori. Tashmë as Berisha. Atij i bën derman vetëm vettingu i veterinerit të derrave. Kur të kalojë vettingun, atëherë Adriatik Llalla do ta kuptojë se të keqen e ka në bark, mu në plënc brenda dhe jo në kaptinë siç ankohet. Aty do të marrë vesh se dhimbjet i ka peshqesh nga “Molla 150 mijë euroshe” që mund të ketë gëlltitur. Ajo nuk mund të tretet aq kollaj nga paçaja e VIP-it tonë, sidomos në këtë të nxehtë që po na sjell 21 korriku… Ndërsa, kur fillon të flasë me gjuhën e shenjave, nxjerr ca të vërteta që e djallosin më keq atë. Kështu psh, me letrën gjysmë konfidenciale të ambasadorit Donald Lu që na nxorri së fundmi Adriatik Llalla, tregoi se e kish marrë atë si një isharet për bashkëpunime të pista me të. Helbete, tek ajo letër, sytë e VIP-it Adriatik Llalla, lexuan një ftesë të Amerikës për t’i bërë puç sistemit të drejtësisë shqiptare, tamam si puçistët e gjorë të Stambollit… Pastaj, mu si ai i pandehuri hajvan, që kujtojn se do t’i shpëtojnë burgut duke përmendur përpara prokurorit emrin e ndonjë VIP-i si konfident të tij, ai e kompromentoi më keq veten. Ai, nga sikleti që e ka zënë me vettingun e pritshëm, dekonspiroi abuzivizmin e tij në raport me letrën e ambsadorit amerikan.

Në lidhje me incidentin e pusit të Patos- Marinzës dhe kompanisë “Bankers Petrolium” amerikani Donald Lu, duke bërë detyrën parësore të tij për mbrojtjen e interesave amerikane, kur ka shkruar letrën, nuk “ka harruar” dhe aq shumë pozicionin e tij. Si diplomat që është, ai sigurisht që e ka llogaritur më parë edhe këtë ditë, prandaj ka qenë shumë i kujdesshëm kur është ulur dhe i ka shkruar Llallës. Në letrën e tij bie në sy që fjala “MOS”, që siç thamë më sipër është fjala që nisin udhëzimet në manualet e mjekësisë, është e shkruar e tëra me gërma kapitale. Ai është paraqitur para letërmarrësit si “heqim për insanë dhe për hajvanë” siç i thonë turqisht mjekut për njerëz e për kafshë bashkë. Sado dhe sido të jetë, askush nuk mund ta kapë ligjërisht ambasadorin kur, në xhunglën e drejtësisë shqiptare, kërkon kujdes që: “… motivet politike dhe presioni publik të MOS ndikojnë në vendimet e organit të akuzës”. A nuk ka më se një vit e gjysmë që ai po e thotë shqip se sistemi i drejtësisë është i korruptuar fund e krye?.. Ç’të keqe ka atëherë që një amerikan të kërkojë që ”sistemi gjyqësor shqiptar të veprojë në përputhje me standartet ndëkombëtare të paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit.”?!. E keqja është si e ka kuptuar dhe si e përdori këtë kërkesë Adriatik Llalla. Koha kur e nxorri tani pas gati një viti këtë letër, dekonspiron atë se ai, qysh atëhere, e ka kuptuar 100% si një ofertë korruptive bashkëpunimi letrën e LU-së. Publikimi i letrës tani, si edhe fakti që prokuroria e Fierit e mbylli atë çështje në favor të “Bankers Petrolium” (helbete padrejtësisht dhe në shkelje të plotë të ligjit) provon se Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka abuzuar 100% me letrën e diplomatit të lartë amerikan dhe ka tentuar ta shantazhojë atë. Por, VIP-i Adriatik Llalla harron, se duke dashur të njollosë amerikanin e kujdesshëm Donald Lu për korrupsion aktiv, tërthorazi pranon për vete se në këtë çështje ka konsumuar me dashje veprën penale të korrupsionit pasiv… Hajde e mos i thuaj hajvan VIP-it tonë pastaj.…

***
Këta janë ata njerëz që ne i mbajmë për VIP-a dhe që nuk e duan vettingun. VIP-at tanë, që kanë ngrënë si derrat, vazhdojnë e flasin për “humbje të sovranitetit kombëtar” në rast se “teknologjia” e diagnoztikimit ndaj tyre vjen prej Perëndimit, e lloj lloj broçkullash të tjera. VIP-it Berisha, që diç na foli rusisht një të enjte në Kuvend, duket se i pëlqen vetëm teknologjia ruse. Por është vonë dhe pak-kush mund ta besojë atë. Receta për doktorin e sëmurë pas Kremlinit ishte vetëm ajo “dasfidanja” që mori po rusisht nga Pandeli Majko, po atë ditë në kuvend… Në fakt, për Sali Berishën, përcaktimi më i saktë do të ishte “prokurori i sëmurë” që nuk ka më asnjë shpresë të shërohet. Prandaj, edhe ata që Adriatik Llallën e ngatërrojnë me Sali Berishën dhe anasjelltas, janë plotësisht të justifikuar. E thashë edhe më lart se e njëjta gjë, jo rrallë herë, më ka ndodhur dhe mua. E gjithë kjo, për arsyen e vetme, se u mbush një çerek shekulli që e shohim Sali Berishën të bëjë prokurorin në Shqipëri. Fakti që Sali Berisha, qysh ditën kur e përzgjodhi për Prokuror të Përgjithshëm dhe deri më sot, ende nuk e ka damkosur Adriatik LLallën siç ka bërë me të gjithë paraardhësit e tij, tregon gjithçka. Doktor Llalla është i vetmi me të cilin i prokurori i sëmurë Sali Berisha është i kënaqur dhe ka zënë karar. Prandaj nuk është faji im apo i njerëzve të cilët tek Berisha shohin Llallën dhe anasjelltas. Vetëm për këtë arsye, edhe “spiuni dixhital”, denoncon tek facebook-u i Sali Berishës dhe jo tek zyrat e Adriatik Llallës. Prandaj, kush kujton se Llalla është prokuror dhe Berisha doktor, është komplet i çorientuar. E kundërta është e vërtetë. Berisha është ai që të fut e të nxjerr nga burgu, ndërsa Adriatik Llalla, i vetmi doktor që i siguron qetësinë atij…

***

Në këto radhë, në dy apo tre raste, në vend të fjalës “stomak” që thuhet për organin tretës të njeriut, kam përdorur fjalën “plënc” që përdoret për kafshët. Kokretisht plëncin e derrit kam pasur parasysh. Këtë kafshë e kam marrë në gojë, jo vetëm prej ngjashmërisë që ka për nga oreksi me babëzinë e VIP-ave tanë, por edhe për diçka tjetër. Veterinaria veç vettingut, na ndihmon edhe me një fakt tjetër interesant. Kjo shkencë u njeh derrave sindromin e “grevës së urisë”. Nuk është humor. Është e vërtetë. Derri është e vetmja kafshë që mund të kalojë në grevë urie. Zakonisht kjo ndodh kur nuk i pëlqen diçka si ushqimi ose më tepër, kur i ndërrojnë vendqëndrimin. Në ato raste, derri as nuk ha e as nuk pi deri sa ngordh. Për këtë, për njeriun që për çdo gjë këmbëngul në të tijën, populli ka nxjerrë shprehjen “kokëderr”. Prej kësaj ka dalë pastaj ajo tjetra se "Derri do plumb"...

***

E vini re pra sa ngjajnë derrat me VIP-at tanë. VIP-at tanë s’bëjnë grevë urie do të thoni ju me të drejtë. Ashtu është. Por vipat tanë janë kokëderra të vërtetë dhe nuk e nxjerrin sikur të vdesin atë “PO”-në që u kërkoi Vitoria Nuland për vettingun. Ata e dinë mirë se ajo “Po” mund t’i ndryshojë vendqëndrimin dhe t’i çojë nga vilat e Lalzit pas hekurave në hapsanë… Dhe helbete, prandaj edhe VIP-i kukull Lulzim Basha pranon më mirë të ngordhë, sesa të hajë “ushqimin” që i dha në “Rogner” “zoo-veterineria” amerikane. Ai dhe kërriçi tjetër Oert Bylykbashi e dinë mirë, se pas aprovimit në Kuvend të Reformës së Drejtësisë, tek vettingu duhet të kalojnë bashkë me ata, edhe VIP-DERRAT tanë të politikës dhe të drejtësisë. Por vettingu për derrat, me VIP-at sikur nuk shkojnë aq mirë bashkë, do të thoni ju… Duket, sikur amerikanët dhe europianët, me këtë vettingun e derrave, i ngatërruan më keq gjërat. Por kjo vetëm në dukje ama, se po të thellohesh paksa tek anglishtja për VIP-at tanë, e kupton që amerikanët kanë të drejtë… Për derrat, gomerët dhe kërriçat tanë nuk shkon fjala diagnozë. Ajo është për njerëzit. Vetëm vettingu është për ta. Kjo dallohet më qartë, sidomos kur ndihmohesh nga disa turqizma të vjetra. Fjalët “helbete, hajvan, insan, heqim, paça, hapsanë, biçim”, që i trashëgojmë që prej kohës së Otomanëve, përshkruajnë më realisht mentalitetin e VIP-ave tanë të sotëm.

Shqipja duket e pafuqishme për ta bërë këtë me fjalët “sigurisht, gomar, njeri, mjek, stomak, burg, apo lloj”… Ndërsa, shpjegimi i kontradiktës në mes konsensusit që kërkon Uashingtoni dhe Brukseli dhe burgosjes së mundëshme të otomanëve që u duhet ta japin atë, gjenden tek deshifrimi i drejtë i inicialeve VIP. Ajo që i ka prishur gjumin Ilir Metës e ka zanafillën e fundin bashkë pikërisht tek vettingu dhe dy mënyrat kontradiktore të shpjegimit të atyre tre gërmave. Pas konsensusit për të pranuar vettingun, fjala VIP që bashkon inicialet anglisht për Very Important Person dhe që në shqip do të thotë “Person Shumë i Rëndësishëm”, mund të shpjegohet edhe ndryshe. Pas 21 korrikut, në rast se Reforma në Drejtësi kalon, për shumë nga ata, deshifrimi i saktë i inicialeve VIP do të jetë “Very Important Prisoners”, që në shqip përkthehet “i Prangosur Shumë i Rëndësishëm”. Kaq e thjeshtë është dhe këtu qëndron kontradikta edhe për Ilir Metën dhe ca VIP-a të tjerë...

*Titulli i autorit: VIP-at, vettingu dhe sindromi i derrave…

Comments

Submitted by Fiori (not verified) on

E ke qarë Ilir Mborja.Më pëlqeu shumë argumentimi i epitetit " kokëderr". Nuk e dija më parë.Gjithashtu edhe konvertimi i VIP-it.Me shpresë që Doktori dhe Prokurori nuk do të ngatërrohen më,do të kene vetem një emër: VIP, i konvertuari tashmë.

Submitted by Aliaj (not verified) on

Ilir je fantastik. Me pelqeu jashtezakonisht kjo analize e ftohte dhe e mencur. Fatkeqesia eshte se ajo u drejtohet ca kafsheve qe nuk e njohin kete gjuhe dhe jane te velur prej grabitjeve dhe krimeve qe i kane bere ketij vendi. Te pershendes mik e te uroj pene te mprehte si gjer tani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.