Nuk ka më vija të kuqe/Edhe një shtrydhje e fundit e propozimit hibrid

Postuar në 18 Korrik, 2016 18:36

Takimi i sotshëm mes Edi Ramës, Ilir Metës dhe Lulëzim Bashës, ka përfunduar pas 1 ore e 45 minutash me një përfundim që mund të quhet taktik. Të gjitha palët kanë marrë kohën e tyre, duke caktuar tre negociatorë për të negociuar mbi propozimin hibrid të hedhur nga Victoria Nuland. Sipas këtij propozimi, kandidaturat për gjyqtarë e prokurorë do të kalojnë në sitën e një komision ad hoc, i quajtur si komisioni i Vettingut, i cili do të ketë përbërje të barabartë mes pozitës dhe opozitës. Debati zhvillohet për të drejtat që ka Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që për PD-në duhet të jetë vetëm me rol monitorues, duke patur të drejtë për çdo informacion, për të dhënë informacione në komision dhe për të përpiluar raporte përfundimtare ndaj Parlamentit për punën e komisionit. Nga ana e vet, BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë të drejta vendimmarrëse për ONM-në por kjo sipas disa zërave i jep të huajve të drejta kushtetuese që nuk parashikohen asgjëkundi.

Nëse i besojmë kryetarit të PD-së, Basha, negociatorët do të diskutojnë pikërisht mbi këtë propozim. Do të ishte tipike nëse Oerd Bylykbashi, që siç tha Basha, “ka plotfuqinë për të negociuar”, të paraqitej me idenë e ruajtjes së të drejtave vendimmarrëse për kandidaturat nga ONM-ja, por me shtesën se ato duhen “ratifikuar” me shumicë të cilësuar nga komisionit ad hoc, apo se ky i fundit duhet të japë pëlqimin. Por kjo do të shihet në vijim...

 Duhet thënë se politikisht PD-ja dhe LSI-ja po negociojnë me amerikanët dhe BE-në, pasi kryeministri Edi Rama ka deklaruar se voton çdo variant që firmoset nga partnerët. Dhe këtu është e qartë: SHBA kanë bërë të qartë se vettingun nuk e lëshojnë, njësoj sikur kanë shprehur hapur kërkesën që prokurorinë speciale, pra atë për hetimin e zyrtarëve të lartë, si dhe Byronë e Hetimit Kombëtar, ta kenë ata de facto nën kontroll. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.