Nuancat e së keqes për reformën në drejtësi

Postuar në 17 Korrik, 2016 16:53
Eduard Zaloshnja

Një popull që është mësuar me të keqen qysh kur vdiq Skënderbeu (për të mos u shtyrë më mbrapa në histori), e ka pothuaj zero probabilitetin e realizimit të një gjëje shumë të mirë. Për 70% të shqiptarëve që anketova para ca kohe, roli kyç i ndërkombëtarëve në spastrimin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar ishte versioni më i mirë i reformës në drejtësi. Për 18% të tjerë, versioni më i mirë ishte ai spastrimit të drejtësisë përmes një shoshe sovrane shqiptare, ndërsa 12% të tjerë jepnin përgjigje të tipit “ku di gjo un lale”.

Por pavarësisht se shumica dërrmuese e shqiptarëve e quan si zgjidhjen më t ë mirë rolin kyç të ndërkombëtarëve në spastrimin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, tërheqja e Uashingtonit nga ultimatumi që i bëri PD-së para një jave, tregon se dëshira e shumicës dërrmuese të popullit nuk mund të realizohet (perveç rastit hipotetik kur populli do të mbushte sheshet në mbështetje të reformës euroamerikane – por shqiptarët i mbushin sheshet vetëm kur mbeten pa bukë ose pa shtëpi).

Rama, për arsye që i di ai dhe Uashingtoni (jo “i korruptuari” Donald Lu, siç ka nenkuptuar Lubonja), ka deklaruar se është gati të firmosë çdo version të reformës që vuloset nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Basha (nënkupto Berisha) ka deklaruar se kundëërpropozimi që PD-ja i bëri propozimit hibrid  Nuland ( kundërpropozim që u quajt i paparanueshëm nga SHBA-ja) duhet të jetë baza e zgjidhjes së ngërçit të reformës në drejtësi.

Ndërsa Meta propozoi sot që ai, Rama, Basha, Lu e Vlahutin të ulen e të diskutiojnë për një reformë në drejtësi që “nuk u jepet me koncension të huajve” (pra, që ndërkombëtarët të mos kenë rol kyç në spastrimin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar).

Në kushtet kur Uashingtoni është tërhequr nga ultimatumi që i bëri PD-së para një jave, deklaratat e Ramës dhe Bashës nuk mund të prodhojnë një zgjidhje. Pra, mbetet që sistemi i drejtësisë të vazhdojë kështu siç është, me Llallën kryeprokuror, Gjin Gjonin kryegjykatës, etj. etj. etj. etj. Por këtë alternativë e kanë hedhur poshtë në sondazhe mbi 90% e shqiptarëve, kur kanë deklaruar se e duan reformën në drejtësi.

Delarata e sotme e Metës e hap njëfarësoj rrugën për një reformë në drejtësi, që mund të jetë më pak se e tëra, por më shumë se gjysma.

Kështu:

1-Prokuroria speciale antikorrupsion do të përzgjidhet e do të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara, dhe do të dërgojë padi penale në gjykatë për politikanë e gjykatës të korruptuar;

2-Byroja e hetimit që do të përgatisë dosjet për këtë prokurori, do të përzgjidhet dhe do të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të FBI-së amerikane;

3-Këshilli i emërimeve në drejtësi nuk do të zgjidhet nga partitë, por do të zgjidhet çdo vit me short nga gjyqtarët e prokurorët;

4-Drejtuesit e lartë të gjykatave dhe të institucioneve kryesore të dretësisë, në qoftë se nuk marrin dot votat e cilësuara në Kuvend (pra, nqs nuk marrin konsensusin e partive të Kuvendit), zgjidhen drejtpërdrejt, bazuar në renditjen që ka bërë këshilli i emërimeve (i cili, nga ana e tij, nuk varet nga partitë);

5-Komisioni i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë, si dhe komisioni i apelit për këtë qëllim, vërtet do të përzgjidhen nga një trupë politike shqiptare, por do të jenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të një komisioni ndërkombëtar vëzhgimi, të kryesuar nga një gjerman e një amerikan.

I gjithë debati i muajti të fundit është përqendruar te kjo pikë e fundit, dhe nëse miratohet kështu siç e kërkon Meta (jo me koncesion të plotë tek të huajt), vrimat e shoshës që do të shoshisë gjykatësit e prokurorët aktualë nuk do të jenë plotësisht nën kontrollin gjermano-amerikan; disa do t’i kenë nën kontroll politikanët shqiptarë.  Gjë që do të thotë se një dosje e përgatitur nga prokuroria speciale (nën kontrollin amerikan) mund të qëllojë të gjykohet nga gjykatës që kanë kaluar nga vrimat gjermano-amerikane të shoshës e disa nga vrimat shqiptare. Ato dosje që do kenë fatin të shkojnë tek këta të fundit, mund të kthehen mbrapsht “për arsye proceduraiale”, pavarësisht se opinioni publik mund të jetë i bindur për fajësinë e të akuzuarve. Ndërsa dosjet që do të shkojnë tek gjykatësit e shoshitur nga gjermano-amerikanët mund të prodhojnë dënime spektakolare…

P.S. Deklarata e Metës për qeverinë teknike dhe zgjedhjet e parakohshme i jep fund praktikisht koalicionit Rama-Meta, por ky nuk përbën lajm. Qysh kur Meta i tha Berishës nga Çorovoda se është “malësor Skrapari”, qe kur thotë “po”, thotë “po”, u kuptua se, herët a vonë, koalicioni Rama-Meta do të prishej, për t’u zëvendësuar nga koalicioni Meta-Berisha (ky i fundit ka deklaruar se s’do të ribëhet kurrë kryeministër).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.