“Jemi demokraci pocaqi, ndaj ndërhyjnë të huajt. Parlamenti i sotshëm, me njerëz nga rruga”

Postuar në 17 Korrik, 2016 09:28
Intervistoi: Elmaz Gorica

Paskal Milo , ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Partisë Demokracia Sociale, i ka dhënë një intervistë gazetës “Shekulli”. Milo thotë se ndërhyrja e huaj nuk ndodh për herë të parë në Shqipëri, se reforma në drejtësi herët apo vonë do të miratohet, por sugjeron zgjidhje politike. Sipas tij ky është një parlament i mbushur me njerëz të rrugës dhe për këtë ka përgjegjësi Partia Socialiste, e cila duhet të dëshmojë shkëputjen nga ky kontigjent. Më poshtë intervista me shkurtime:

Z.Milo, a e shkel Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për reformën në drejtësi, sovranitetin e vendit tonë, ashtu siç pretendon opozita?

Tani në një shtet demokratik ku do funksionin institucionet e mirëfillta demokratike siç janë vendet perëndimore, nuk do kishte nevojë për monitorim të tillë ndërkombëtar dhe krijimin e institucioneve të tilla të cilat në thelbin e tyre nuk janë normale për vendet anëtare të NATO-s apo kandidate për Bashkimin Evropian. Por meqë ne jemi katandisur në një demokraci pocaqi ku nuk dihet se kush qeveris dhe kush vendos, atëherë këtu partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë marrë vetë situatën në dorë, sepse e njohin klasën politike shqiptare dhe nuk kanë më besim tek ajo. Nuk ka nevojë ta them unë, sepse e kanë thënë hapur ambasadorët dhe shkoqur si asnjëherë tjetër këto dy tre ditë. Prandaj them që në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria ne nuk mund të bëjmë një shtet ligjor, ne nuk mund të vendosim dot një sistem drejtësie për drejtësi, për rrjedhojë në mos na kapin për veshi ndërkohë të paktën të na kapin prej duarsh të na çojnë atje ku duhet të jemi. Ndaj këmbëngulja e ambasadorit amerikan Donald Lu apo edhe ambasadores së BE-së Vlahutin nuk është thjesht një kokëfortësi e tyre, por është një politikë e qartë e artikuluar shumë herë e SHBA-së dhe BE-së, që duke e ditur që në Shqipëri nuk mund të bëhet dot ndryshe e kanë marrë përsipër dhe janë të vendosur ta çojnë vetë deri në fund. Këtu kemi të bëjmë me një arsye tjetër, jo të gjithë, po flas kryesisht për opozitën dhe ndoshta për segmente apo individë të veçantë të maxhorancës se pse nuk e duan të miratohet reforma në drejtësi dhe pse kërkojnë të fshehin pyllin prapa pemës në emër të ruajtjes së sovranitetit. I gjithë problemi është se misioni i një drejtësie të pakapur, të pavarur është që të ushtrojë drejtë- si për këdo, për të mëdhenj, për të vegjël, për të pasur e të varfër, për pushtetarë e njerëz të thjeshtë. Pra, për herë të parë në Shqipëri mund të krijohen rrethanat që drejtësia të ushtrojë rolin e vet. Nuk do të pyetet çfarë ke qenë e çfarë je.
Mirëpo për zullumet që kanë bërë shumë ishpushtetarë apo edhe pushtetarë kanë frikë nga drejtësia e pavarur, kanë frikë se mos përfundojnë prapa hekurave dhe kanë frikë të nënshkruajnë me dorën e tyre dënimin e tyre. Dhe këtu qëndron thelbi i të gjithë rezistencës që po bëhet dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë.

Tashmë ka ardhur momenti që ditën e enjte të mos këmbëngulet shumë që të bëhet kompromis në emër të kompromisit. Madje unë do të thosha do të ishte e dëmshme dhe do të reduktohej në hiç në rast se bëhen kompromise për atë që quhet institucioni i “veting”- ut, pra në rast se i lihet dorë politikës që të vendosë se kush do të kryesojë institucionet që nesër do të kërkojnë llogari dhe të zbatojnë ligjin.

Ju si një njohës i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare, a ka shkelje këtu të sovranitetit apo është thjesht një këmbëngulje politike e opozitës?

Opozita është kapur pas një koncepti dhe pas një parimi që ekziston dhe që duhet të respektohet, por e nënvizoj fort ne në Shqipërinë tonë të dashur nuk kemi shtet të mirëfilltë demokratik që të kryejë funksionet e tij dhe për aq kohë sa nuk kemi shtet atëherë duhet një ndërhyrje nga jashtë si shumë herë të tjera në historinë e shtetit tonë të dobët 100-vjeçar, të vinë e të na vënë rregull, të na mësojnë ABC-në në mos me bindje edhe me shtrëngime. Nuk e di se çfarë mund të bëhet, por nëse bëhet një kompromis i keq do të kishte pasoja negative për këtë kryereformë që do të përcaktojë të ardhmen dhe zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Nuk duhet të bëhet asnjë lloj kompromisi, se janë bërë aq shumë sa nuk mban më.

A përbën kjo një precedent për vendin tonë apo qoftë edhe si praktikë për vendet e tjera?

Praktika të tilla për çështje të tjera patjetër që kanë ndodhur, edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Mjaft vende, sidomos pas Luftës së Dytë, janë marrë si shembuj për t’u ndihmuar dhe janë ndihmuar për të ndërtuar institucione dhe për t’u ndihmuar në zbatimin e ligjit. Por të mos harrojmë një gjë. Edhe ajo forma e këshilltarëve që ka pas qenë dikur, edhe në Shqipëri, ka qenë një formë e ushtrimit të sovranitetit të mangët. Dikur, pas Luftës së Dytë Botërore asgjë nuk bëhej në Shqipëri pa u pyetur ambasadorët sovjetikë dhe ata jugosllavë. Kjo ka ekzistuar edhe në vendet të cilat kanë pasur partneritet me SHBA-në. Nuk është e tepërt që të themi që SHBA-të kanë rrëzuar qeveri dhe kanë vendosur qeveri, kryesisht në vendet e Amerikës Latine, ku për shkak të politikave që mund të mos ishin në përputhje me interesat amerikane ata kanë ndë- rhyrë dhe kanë vendosur qeveri sipas bindjeve dhe interesave të tyre.

A mund të ndikojë mosmiratimi i reformës në drejtësi në marrëdhëniet mes Shqipërisë, BE-së dhe SHBA-së?

Unë nuk besoj që kjo do të ketë një impakt negativ sepse këtu është vetëm njëra palë që kundërshton në këtë rast opozita sepse qeveria ka dëshmuar që ka vullnet për të bërë reformën dhe nuk mund të vihen në një plan maxhoranca me opozitën. Edhe shqiptari më me pak njohje në fushën e së drejtës apo edhe politikës e kupton që frika e opozitës nuk është tek shkelja e sovranitetit, por diku tjetër të cilën nuk e them vetëm unë, por shumica e shqiptarëve. Marrëdhëniet me SHBA-të nuk mund të prishen për shkak të një reforme, sepse në mos këtë muaj pas dy apo tre –katër muajsh do të krijohen rrethanat ku kjo reformë do të miratohet. Por do të krijohen konjuktura të reja politike dhe unë jam për një zgjidhje të re politike sepse vetëm ajo mund të sjellë rrethana të reja. Me një parlament si ky që ekziston dhe ku përgjegjësinë për kompozimin e tij e kanë dy partitë e mëdha nuk mund të pretendosh për të kryer reforma dhe të ndërtosh një shtet ligjor. Sepse mënyra se si janë përzgjedhur këta kandidatë janë mënyra antiligjore. Ajo çka po ndodh sot në Shqipëri duhet të jetë një mësim i madh për dy partitë e mëdha. Pa një reformë të re elektorale, demokratike dhe të barabartë do të kemi gjithmonë njerëz të tillë që as nuk dinë se nga bie politika, por që vinë në pushtet vetëm me anë të parave të pista, dhunës dhe nuk kontribuojnë për vendin, por merren vetëm me pisllëqe. Nëse nuk ndryshon sistemi zgjedhor ku qytetarët të dinë se kë kanë përballë në ballafaqimin midis kandidatëve nuk mund të ketë parlament të shëndetshëm. Por, nuk e di sa këtu Partia Socialiste është e ndërgjegjshme se kam frikë se edhe ajo ka nevojë të reflektojë dhe të mos shikojë interesat e ngushta të pushtetit. Një nga shtyllat ku ndërtohet demokracia është parlamenti i zgjedhur në mënyrën më demokratike të mundshme. Me sistemin që kemi nuk ka demokraci në zgjedhje, ndaj PS duhet ta shohë me vëmendje dhe jo ta anashkalojë siç ka bërë deri tani. Nëse do vërtet të kontribuojë, të miratojë këto dy reforma.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.