A duhet t'i besojmë ambasadorit amerikan?

Postuar në 15 Korrik, 2016 17:07

Ambasadori amerikan Donald Lu ka kompromentuar rëndë pozitat e tij dhe selisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Tiranë me ndërhyrjen flagrante në hetimet e Prokurorisë për Bankers Petrolium dhe çështjen e shpërthimeve në puset e Patos Marinzës. Letra e publikuar nga gazeta "Dita" ku Donald Lu i bën të ditur Prokurorit Adriatik Llalla se ambasada amerikane po e ndjek nga afër këtë çështje përtej gjuhës diplomatike nuk ka si të lexohet ndryshe, përveçse një presion i hapur ndaj organit të akuzës me argumentin se "Përfaqësues të kompanive të huaja që po shqyrtojë mundësinë e investimit në Shqipëri, do t’i kushtojnë vëmendje shumë të afërt kësaj çështjeje dhe mesazhit që ajo dërgon, mbi paanësinë e procedurave gjyqësore në Shqipëri".

Ky qëndrim ngre  dyshime të forta dhe pikëpyetje të mëdha mbi rolin e ambasadorit amerikan në çështje jo vetëm të karakterit politik, por në veçanti të fushës së biznesit siç dëshmon edhe interesimi i drejtëpërdrejtë për Bankers Petrolium, një kompani tërësisht kanadeze dhe e kuotuar në bursë.

Kujtojmë që Bankers Petrolium u përfshi në debate me qeverinë për detyrime të papaguara nga aktiviteti i saj. Është e papreçedentë që një ambasador të kërkojë zyrtarisht që përfundimi i hetimit dhe gjykimit të një çështje të jetë ai që pret ambasada e vendit të tij, në këtë rast ambasada amerikane. "Ne presim që motivet politike dhe presioni publik të MOS ndikojë në vendimet e organit të akuzës" shkruan Lu, duke e prezantuar këtë shqetësimi si qëndrim të qeverisë amerikane.

Dhe siç kërkoi ambasadori hetimet çuditërisht përfunduan pa pasoja për kompaninë dhe "sistemi gjyqësor shqiptar veproi në përputhje me standardet ndërkombëtare të paanësisë, transparencës dhe profesionalizmit"- citojmë pjesë të letrës dërguar kryeprokurorit Llalla. Por a lejojnë standardet ndërkombëtare të drejtësisë që një ambasador të ndërhyjë hapur në një çështje nën hetim nga prokuroria e një vendi tjetër? Dhe për më tepër është me vend të shtrohet pyetja; A është  kjo hera e parë që ambasadori amerikan ushtron ndikimin e tij në mbështetje të interesave të caktuara financiare në Shqipëri? Le të sjellim disa fakte.Gjate viteve 2013-2016 ne çdo projekt IT në shtetin shqiptar është punuar eskluzivisht me softëare të sistemeve Microsoft dhe Oracle.

Burime nga Ministria e Inovacionit dhe nga AKSH-i konfirmojnë se është praktikë e vazhdueshme kërkimi në projekte informatike në vlera të konsiderueshme të paketave softuerike që vijë nga Shtetet e Bashkuara, konkretisht Microsoft dhe Oracle. Të njëjtat burime saktësojnë se një pjesë e mirë e sistemeve informatike që kanë të bëjnë me të dhënat financiare, si buxheti apo tregues të rëndësishëm të shtetit financiar janë të bazuar mbi këto dy produkte, ndërkohë që prej dy vitesh Ministria e Inovacionit përpiqet në mënyrë të vazhdueshme për të futur në përdorim sistemet Open Sorce, por pa sukses. Këtu është me interes të mësohet a ka patur rol ambasada amerikane në Tiranë në bllokimin e këtyre sistemeve që  nuk kanë asnjë kosto në formën e licencës?

Po ashtu është me vend të pyetet ambasadori Lu, nëse ka ndërhyrë pranë qeverisë shqiptare për interes të dy shoqërive amerikane Microsoft dhe Oracle? Ndoshta në këtë pikë duhet të marrë rol edhe prokuroria, pasi duhet pasur parasysh se këto sisteme softuerike mund të përdoren për të shkëmbyer informacione që janë totalisht sekrete përtej Shqipërisë dhe transmetuar ato direkt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe në këtë pikë ka edhe preçedentë.

Përpara pak vitesh kur u zbulua se kompania Verizon kishte ndihmuar NSA-në për të spiunuar direkt qeverinë gjermane kësaj kompanie iu mbyll kontrata që kishte me shtetin gjerman për të lidhur me fibër optike disa institucione në të gjithë Gjermaninë dhe nuk iu lejua të merrte më pjesë në asnjë tender në Gjermani. Le të kthehemi te letra e ambasadorit amerikan drejtuar kryeprokurorit Adriatik Lllalla. A është ky rast shembulli që po na jep ambasada amerikane sesi duhet trajtuar sistemi i drejtësisë?

Duke iu referuar edhe zhvillimeve të muajve të fundit sa i përket qoftë sistemit të kamerave të sigurisë ku nuk u publikua kurrë letra e ICITAP dhe çfarë përmbante ajo, qoftë ndërhyrjeve të vazhdueshme të amerikanëve sa i përket rolit të FBI-së në hetimet në Shqipëri dhe sidomos qëndrimit për reformën në drejtësi, krijohen akoma më shumë dyshime për qëllimet reale të administratës aktuale amerikane në Shqipëri. Shembulli i ambasadorit Donald Lu dhe letërporosia për Prokurorinë nuk janë prova se kjo është drejtësia që duam, ndaj dhe besimi se amerikanët po investohen për të mirën e popullit shqiptar në çështjen e reformës në drejtësi ka nisur të lëkundet. Interesi i tyre është dikund tjetër dhe këtë e dinë më mirë nga të gjithë ambasadori Lu dhe ambasada amerikane që operojnë  me standarde të ndryshme kur drejtësia lidhet me interesat e tyre, qoftë edhe në Shqipëri.

l.mitro

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.