Të abuzosh me emrin “Europë”

Postuar në 07 Korrik, 2016 13:02
Gilman Bakalli

Dëmi është bërë tashmë. Europa dhe Bashkimi Europian përdoren lirisht si sinonime dhe e zëvendësojnë njëra-tjetrën në ligjërimin publik. Sa për kujtesë: Europa dhe Bashkimi Europian janë dy gjëra të ndryshme. E di që është i thjeshtë dhe evident deri në banalitet ky pohim, por nganjëherë edhe disa gjëra të thjeshta duhen thënë. Sidomos për t’ua freskuar kujtesën atyre që e kanë bërë lëmsh komunikimin publik, duke na thënë “do të hyjmë në Europë”, “Europa nuk na pranon kështu siç jemi”, “po shkojmë drejt Europës” e të tjera broçkulla retorike si këto. Europa ka ekzistuar shumë kohë para Bashkimit Europian dhe, nëse gjithçka shkon mirë, Europa do të vazhdojë të kujtohet edhe disa qindra vjet pasi Bashkimi Europian të jetë harruar. Prandaj mund ta kritikosh Bashkimin Europian edhe pa qenë kritik i Europës, prandaj mund të dalësh nga Bashkimi Europian (si Britania) dhe të mos heqësh dorë nga tradita qindravjeçare kulturore e Europës, prandaj mund të mos hysh në Bashkimin Europian (si Shqipëria) dhe të pretendosh se ke pasur dhe ke sa të duash elemente të traditës europiane. Kjo që po them është tmerrësisht banale, por duhet thënë përballë histerisë së reagimeve me rastin e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, të cilat na tregojnë se shumë politikanë dhe përfaqësues mediash nuk bëjnë dallimin midis Europës dhe Bashkimit Europian.

E bërë me qëllimin për t’i pozicionuar kritikët e një institucioni burokratik jashtë trashëgimisë kulturore të iluminizmit apo humanizmit, kjo ngatërresë të nervozon, sepse e shtrembëron një kritikë legjitime ndaj një institucioni duke e kthyer në kritikë ndaj një tradite kulturore europiane. Të nervozon edhe për faktin se e paraqet Bashkimin Europian si mishërim të kulturës europiane. Imagjino çfarë absurditeti qesharak, të kesh në një galeri imazhesh përfaqësuese të kulturës europiane që fillon fjala vjen me Aristotelin, Platonin, Leonardo da Vinçin dhe mbaron me Juncker e Schulz. Prandaj, le të thuhet edhe një herë se Europa është një hapësirë kulturore, në të cilën edhe Shqipëria bën pjesë, edhe pa hyrë në Bashkimin Europian. Më saktë: ka qenë një hapësirë kulturore, para se të vendosej që, nën emrin e saj, të krijohej një hapësirë administrative burokratike. Sepse premisat mbi të cilat ngrihej Europa, asgjësohen sistematikisht nga Bashkimi Europian. Kjo ambicie burokratike rrezikon ta kthejë Europën në një kujtim melankolik të një kohe, kur Europa e merrte fuqinë e saj nga rivaliteti dhe federalizmi, nga bashkëpunimi dhe influenca e ndërsjellë mes vendeve.

Kurrë nuk ka qenë Europa më europiane se në 300 vjetët midis Luftës 30-vjeçare dhe Luftës së Parë Botërore. Ka qenë faza kur shkëmbimi kulturor arriti një intensitet të jashtëzakonshëm. Arkitektë e ndërtues italianë ndërtuan Shën Petersburgun, piktorë flemingë udhëtonin nëpër Itali, kompozitorë gjermanë punonin në Angli, filozofë britanikë hidhnin bazat e iluminizmit francez. Europa ka qenë gjithmonë një hapësirë komunikimi e shkëmbimi, ndikimi reciprok dhe zhvillimi rajonal nga e përgjithshmja. Prandaj nuk flitet për barok europian, por për barok francez, romak apo bavarez. Europa është shumëllojshmëri dhe diferencë. Për fatin tonë të mirë asokohe nuk ka pasur një Komision të Bashkimit Europian që të përcaktonte se cilat kritere duhen përmbushur që baroku të quhej barok dhe si duhet gdhendur një ornament i caktuar. Nuk ka pasur pra një institucion të cilit duhej t’i drejtoheshe me projekte për të financuar disa projekte si pjesë e disa projekteve të tjera.

Po të ndjekësh retorikën e entuziastëve të Bashkimit Europian, ky i fundit është një projekt heroik i një rëndësie historike, shprehje e një vullneti dhe vendosmërie të pathyeshme. Kurse kritikët e tij janë shpirtra mendjengushtë, të ngulura në të kaluarën, pa qenë në gjendje të rrokin të ardhmen. Një gjykim i tillë kapërcen atë çka e bën Europën Europë. Pluralizmi, diferencat, fërkimet kreative janë shenjat e Europës dhe jo rregullat e pafundme, skematizimi i ngurtë apo tendencat për uniformizëm, të cilat i paraqiten publikut europian me eufemizmin “harmonizim” (prioritetesh apo legjislacionesh).

Për ideologët e Bashkimit Europian, Europa është një muzeum, i cili thjesht duhet vizituar për të mësuar nga e kaluara. Bashkimi Europian ka të bëjë pak deri në aspak me Europën. Bile, me ambicien e tij të pashtershme burokratike, ai rrezikon ta zhbëjë atë që është europiane. Disa politikanëve kjo gjë mund t’u duket e mirë, por të abuzojnë me emrin e Europës nuk kanë se pse.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.