Muzeu dioqezan: Aty ku ndihet edhe “muzika pa zë” e Idromenos…

Postuar në 07 Korrik, 2016 13:55
Dom Artur Jaku

Këtu e 158 (1858) vite më parë, në tokën e dhuruar nga Marin Gjonej, populli i Shkodrës kërkonte shumë me shumë se një Kishë në mentalitetin e vizionin e kohës, kërkonte shumë më shumë se mundësitë financiare për ta ndërtuar, kërkonte diçka të ngjashme me “Duomon e Milanos”, diçka që të zinte gjithë atë etje për liri, mundësinë për të nderuar amësinë besnike të Zojës së Këshillit të Mirë.

U deshën plot 7 vite për të ndërtuar “Kishën e Madhe”, e si për ironi të fatit, u deshën shumë më tepër vite për ta rindërtuar… e kështu vazhdoi odiseja e Katedrales, duke përjetuar në trup çdo fatkeqësi të Shqipërisë, me mllefin që ajo që s’mposhtet, dhunohet, shkatërrohet… Ngjan sikur historia biblike e Jerusalemit përsëritet në Shkodrën tonë, me ngashnimet e të mundurës e të pamundurës, ndërtimet e shkatërrimet, adhurimet dhe sakrilegjet, madhështia e formës me përmbajtjen e madhështisë. Kjo Katedrale, përfaqëson për Shkodrën, e katoliket emblemën e një krenarie të tjerrur me endjen e fantazinë e më të ndriturve figura si Imzot Luigj Curcija, Kolë Idromeno, Simon Rrota, Imzot Ernest Cobes, dom Jak Sarreqit etj. Vendi që priti personalitete të rëndësishme, si papën Gjon Pali II, Nënë Terezën, përcolli figura si Mikel Koliqi, at Zef Pllumin, e forcoi sa e sa martirë në itinerarin drejt pushkatimit në Varrezat e Rrmajt, ashtu me vetëdijen e vet madhështore.

Sa herë toka është ba banore e qiellit, teksa tingujt puthnin pafundësinë, e zemrat përjetonin kryeveprat e padëgjuara të Mozartit, Shubertit, Alelujat, Ave Marite, nga duart e Koliqit, Shantojes. Katedralja ishte si një oaz kulturor që thyente kufijtë tokësor të Shqipërisë provinciale, duke e kthyer Shkodrën në kryeqendër të zhvillimit kulturor e si motër me ato evropiane. Banda e parë e themeluar nga Palok Kurti, Kori “Schola Cantorum” i Katedrales drejtuar nga mjeshtrat Koliqi, Tonin Harapi, shenjtëronin akoma më shumë shpirtin që piqej me pedagogjinë e të bukurës e të pavdekshmes duke i sinkronizuar së bashku celebrimet fetare, me koncertet e përjavshme që mbaheshin në oborr.

Katedralja është fortesa e një besimi të martirizuar deri në ekstrem, por e pamposhtur deri në të mramen frymë, duke dhënë modelin për të cilën më shumë se kurrë kemi nevojë të frymëzohemi. Dom Ndre Zadeja kur ishte para skuadrës së pushkatimit, do të drithëronte ajrin duke klithur: “Shqypni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty?

Sot, Shqipnisë, Shkodrës po i dhurojmë një muze, që do të pasqyroi kujtimet, historinë, objektet e rrallë të kultit, të ruajtura me fanatizëm, ndër vite, gjithçka e konceptuar si një promovim që i bëhet shtysës shpirtërore përmes materialeve artistike dhe personale.

Janë grumbulluar objekte nga të gjitha zonat e thella të dioqezës, dhe jam i bindur që të gjithë do të mahniteni nga dashuria, kurajoja me të cilën janë ruajtur dhe si demonstrohet kjo lidhje ekzistenciale që populli ka pasur me Zotin dhe me udhëheqësit shpirtëror.

Një detaj i veçantë i këtij muzeut i është kushtuar këndit për tingullin, përmes ekspozimit të kumbonëve të vjetër, lajmëtarëve të kohëve, që ndjellin rreziqet që po i kanoseshin Shqipërisë, e paqësuan shpirtrat e rraskapitur me mbledhjet vëllazërore në tryezën ekuaristike.

Nuk mungojnë edhe fytyrat, që të zhysin në realitetin e kohës, me pamjen e tyre prej të burgosuri pa shpresë, tretur nga indiferenca për t’i zbuluar.

Dua të falënderoj së pari, bariun e kësaj dioqeze, e prijësin e kësaj ideje, Imzot Massafrën si dhe arkitektet nga Milanoja Ester Pagnoni dhe Franceska Radaelli që kanë konkretizuar projektin duke vënë në pah këtë trashëgimi të paçmueshme, e të pashembullt.

Muzeu është në sinkron me idenë e vizionit të “hapjes” që pësoi oborri i katedrales. Një vizion që përqafon idenë e një Kishe të hapur për të mirëpritur secilin në takimin atëror, shndërrimin e oborrit të kishës në një hapësirë për qytetin, pa mure, pa barriera, pa mburoja, e lirë, ashtu siç kisha duhet të jetë krahë-hapur. Në këtë projekt ritheksohen motivet e mjeshtrit të madh të artit arkitektonik të quajtur ndryshe “Muzikë pa zë” të Idromenos, përdorur te kompanjeli, tavani si dhe nxitja për ta rikthyer oborrin në një ansambël të “intonuar” me sheshin, shtatoren e martirizimit, këndin e 38 të lumëve, Katedralen dhe muzeun.

Në gurin e themelit të Katedrales është shkruar “Dio Vede Tutto”, Zoti Sheh Gjithçka,

Ati mendjemprehtë Anton Harapi teksa kalonte nëpër zallishte drejt pushkatimit kujdesej për të mos ju stërpikur petku nga balta, dhe ju thoshte “dua të shkoj i panjollë tek Ati”. Të hjekim çdo ndryshk zemre e të angazhohemi për t’ia bërë njëri-tjetrit jetën më cilësore, për të rigjallëruar oborret e kishave, xhamive, shtëpive me aromën e të bukurës, me pasionin e të bërit të gjërave ashtu siç duhet, me vetëdijen historike që ushqen vizionin e të ardhmes dhe siç thoshte Anton Harapi për të qenë gur themeli që hijeshojnë, edhe nën DHE.

Përpara se Shkodra të bëhej “Jerusalemi” i Shqipërisë, para se imzot Karl Poten ta kthente Shkodrën kryedioqezë, përpara se Çeta e profetëve të shkruhej nga imzot Pjetër Bogdani, para se Shqiponja dykrenare të valëvitej në flamurin e Gjergj Kastriotit, përpara se Pal Engjulli të pagëzonte Shqipen, “para se Shën Pali të ungjillizonte Ilirinë, një profet revolucionoi botën, theu çdo klishe që ishte për Zotin, e shndërroi botën në Jerusalem Shpirtëror, me vdekje mposhti vdekjen, me kryq mori lavdinë dhe shpalli të vetmin pushtet triumfues: “Hyji është Dashuri. Çdo gjë tjetër rrjedh nga kjo, e kuptohet vetëm përmes kësaj… Kjo është dashuria për të cilën ja vlen me jetu e sakrifiku e kjo dashuri ndriçoftë thellësitë e zemrës e i dhashtë tokës sonë martire gjithmonë modele të shpirtit shëmbëllyes.

 

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.