Gjuha e marrëveshjes me TIA dhe gjuha e sotme për konsum publik

Postuar në 05 Korrik, 2016 18:56

Ka disa ditë tashmë që media të ndryshme furnizohen rregullisht me lloj lloj dokumentesh të cilat publikohen me synim fajësimin e TIA-s për grabitjen në Rinas. Siç mund të merret me mend dokumentacioni ka origjinë nga zyrat e qeverisë, ndoshta pranohet falas, por ai sërish ka për qëllim “amnistimin” e policisë dhe Ministrisë së Brendshme nga përgjegjësia për ngjarjen. Kjo është çështje e hetimeve, nëse ato do të përfundohen ndonjëherë, por nuk ka sesi mos të bjerë në sy kërkesa për rishikim të marrëveshjes konçesionare që bëri ministri i Brendshëm, dështaku i paprecedent, Saimir Tahiri. Njësoj sikur nuk ka sesi të mos shtrohen disa pyetje se për cilat arsye në negociimin e marrëveshjes për çështjen e ekskluzivitetit, që aq shumë u shit si arritje, nuk u soll në vëmendje edhe aspekti i sigurisë. Lind kjo pyetje nga pretendimi për testimet e kryera në muajin prill, kohë kur po negociohej marrëveshja, por ajo është e domosdoshme kur shikon gjuhën e përdorur në marrëveshjen e re. Natyrisht, TIA nuk është engjëlli, pasi na ka rjepur mbaraz tërë këto kohë. Por nuk mund të bëjë këtë gjë pa ndihmën e atyre të tjerëve që firmosin nën okelion “Shkëlqesia e tij...”. Ja për ilustrim se çfarë thuhet ndër të tjera në marrëveshjen e negociuar:

“5.2. Garancia e qeverisë së Shqipërisë

Qeveria e Shqipërisë garanton dhe siguron në formë të shprehur se përveç ndryshimeve të përcaktuara në klauzolën 4 (Ndryshimi) të mësipërme, asnjë e/të drejtë/a (te) tjetër/a (e përfshirë në marrëveshjen fillestare të koncesionit), përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në formë të  shprehur në këtë ndryshim, të dhëna në mënyrë të vetme dhe ekskluzive kompanisë nga qeveria e Shqipërisë, nuk do të preket/n”.

Çfarë mund të thotë ministri i Brendshëm që sot shpërndan dokumente lart e poshtë, njësoj sikur para disa javësh shpikte lajme për video erotike të kolegëve të tij?

Ja edhe një paragraf tjetër prej “skllavi”:

Palët bien dakord që në klauzolën 5.2 (Detyrimet e qeverisë së Shqipërisë) të marrëveshjes fillestare të koncesionit do të shtohet një paragraf tjetër me shkronjën “ë”, i cili do të lexohet si më poshtë:

“ë) Të sigurojë që në përputhje me kërkesat e udhëzimit të Bashkimit Evropian “Mbi ndihmën shtetërore për aeroportet dhe shoqëritë ajrore (2014/C/99/03” dhe ligjit nr. 9658, datë 18.12.2006), qeveria e Shqipërisë, përpara dhënies së investimeve apo ndihmës operacionale ndaj aeroporteve të tjera, do të njoftojë kompaninë, në formë të shkruar, në lidhje me nevojën për këto masa ndihmëse kundrejt një aeroporti tjetër, duke e informuar kompaninë në lidhje me perspektivat afatmesme për përdorimin e aeroportit tjetër, natyrën, proporcionalitetin dhe përllogaritjen e masave ndihmëse të parashikuara, si dhe efektin e mundshëm në përdorimin e infrastrukturës ekzistuese të Kompanisë.”  Për shmangie të çdo dyshimi, të gjithë paragrafët e tjerë në klauzolën 5.2 (Detyrimet e qeverisë së Shqipërisë) të marrëveshjes fillestare të koncesionit do të mbeten të paprekura dhe të pandryshuara).

 

Marrëveshja e plotë këtu: http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2016/PDF-2016/121-2016.pdf

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.