Analiza ekonomike e projekteve

Postuar në 30 Qershor, 2016 13:35
Aulona Jonuzi/Audituese e lartë KLSH

Analiza e kosto-përfitimeve (CBA), si pjesë e analizës ekonomike të projekteve, po merr rëndësi gjithmonë e më tepër në sektorin publik. Qëllimi i kësaj analize është të ofrojë një procedurë të vazhdueshme për vlerësimin e vendimeve në terma të pasojave që këto vendime do të kenë mbi publikun e gjerë. Analiza e kosto-përfitimeve (CBA) vlerëson dhe mbledh shumën ekuivalente të parave të përfitimeve dhe kostove të komunitetit të projekteve për të vlerësuar nëse ato ia “vlejnë”. Këto projekte mund të lidhen me investime në diga ose rrugë, ose mund të jenë programe trajnimi dhe sisteme të kujdesit shëndetësor. Ideja e këtij kontabilizimi “ekonomik” e ka origjinën nga Jules Dupuit, një inxhinier francez, artikulli i të cilit edhe pse i shkruar në vitin 1848, ende vlen të lexohet. Shtysë për zhvillimin e praktikës së analizës CBA u bë Akti i Marinës Federale së SHBA, në vitin 1936, ku u kërkua të ndërmerreshin investime në projektet për përmirësimin e sistemit të ujërave, vetëm nëse përfitimet totale nga projektit për të gjithë shoqërinë në tërësi, do të tejkalonin kostot e projektit. Në këtë mënyrë u krijuan metoda sistematike për matjen e këtyre përfitimeve dhe kostove. Vetëm rreth 20 vite më pas (në 1950) ekonomistët u përpoqën të krijonin një set metodash rigoroze dhe konsistente për të matur përfitimet dhe kostot dhe për të vendosur nëse projekti vlen. Disa çështje teknike të analizës CBA ende nuk janë zgjidhur plotësisht, por pjesa thelbësore tashmë ka marrë rrugë. Një ndër problemet e analizës CBA është se për shumë komponentë të përfitimeve, përllogaritja kostove është intuitivisht e qartë, por për disa të tjerë, për të cilët nuk mund të ndiqet intuita kërkohen metoda më të qarta matjeje. Në këtë mënyrë nevojiten disa parime bazë si udhërrëfyes, e konkretisht:

Një njësi e përbashkët matjeje

Me qëllim që të arrihet në një përfundim sa i takon vlerësimit të projektit, të gjitha aspektet e projektit, pozitive dhe negative, duhen shprehur në terma të njësisë së përbashkët; p.sh. duhet të ketë një “kufij fundor”. Njësia e përbashkët më e volitshme në këtë rast është paraja. Kjo nënkupton që të gjitha përfitimet dhe kostot e projektit, duhet të maten në terma të vlerës ekuivalente të parasë. Një program mund të ofrojë përfitime, që mund të mos jenë të shprehura në mënyrë direkte, në para, por se ekziston një shumë parash që përfituesi i shërbimit do ta konsideronte njëlloj sikundër përfitimi i projektit. Për shembull, një projekt mund të ofrojë për pensionistët, një vizitë mujore falas te mjekët. Vlera e përfitimit që ka përfituesi – pensionisti në rastin tone – është minimum i parave që ky person do të merrte në vend të kujdesit mjekësor. Kjo do të ishte më pak se vlera e tregut të shërbimit mjekësor të ofruar. Supozohet se, përfitimet më pak të dukshëm (si psh mbrojtja e hapësirave të lira ose vendet historike), kanë një vlerë ekuivalente të fundme parash për publikun. Këto kosto dhe përfitime nuk duhen shprehur vetëm në ekuivalentin në vlerë monetare, por edhe në terma të kufizimeve kohore (pra, brenda një kohe të caktuar). E kjo jo thjesht për shkak të diferencës në vlerë në kohë të ndryshme , për shkak të inflacionit. Një lek sot, nuk ka të njëjtën vlerë më një lek pas 5 vitesh. Kjo pasi paraja sot mund të investohet dhe të fitojë interes për 5 vitet e ardhshëm. Kështu, nëse norma e interesit do të shënohet me r, atëherë një lek i investuar për t vite do të shtohet e do të bëhet (1+r)-t (çfarë quhet ndryshe “vlera në kohë e parasë”). Kur vlera monetare e përfitimeve në një kohe të dhënë në të ardhmen shumëzohet me vlerën e skontuar, rezultati është vlera aktuale e skontuar e atij përfitimi, nga projekti në fjalë. E njëjta gjë aplikohet edhe për kostot. Përfitimi neto nga projekti është thjesht vlera e skontuar e përfitimeve minus vlerën e skontuar të kostove.

Vlerësimet CBA

Vlerësimet e kostove dhe përfitimeve duhet të reflektojnë preferencat e shfaqura në zgjedhjet të cilat tashmë janë bërë. Për shembull, përmirësimet në transport përgjithësisht përfshijnë kursimin e kohës. Pyetja shtrohet: Si të matim vlerën e parasë të asaj kohe të kursyer? Vlera monetare nuk duhet të tregojë thjesht vlerën që planifikuesit e projektit të transportit publik (p.sh.) do të mendojnë se ka koha, as vlerën e kohës për njerëzit që do ta përdorin këtë transport. Vlera e kohës shfaqet nëpërmjet zgjedhjeve që bën publiku i gjerë, që përfshin humbje-fitimesh mes kohës dhe parasë. Nëse publiku i gjerë ka mundësi të zgjedhë mes parkimit afër institucionit ku punon për 100 lekë, ose të parkojë më larg (pa pagesë), por të ecë 5 minuta në këmbë, dhe ata zgjedhin të paguajnë para dhe të kursejnë kohë, atëherë ata nëpërmjet zgjedhjes së tyre kanë shfaqur se koha për ta është më e vlefshme 20 lekë/minutë. Nëse ata do të kishin qenë indiferentë ndaj dy zgjedhjeve, atëherë ata do të tregonin se vlera që ka koha e tyre është saktësisht 20 lekë/minutë. Pjesa më sfiduese e analizës CBA është gjetja e zgjedhjeve të shkuar, që tregojnë nga çfarë është hequr dorë, si edhe ekuivalencat mes preferencave. Për shembull, vlerësimi i përfitimeve nga ajri më i pastër duhet bërë nisur nga përllogaritja se sa më pak para do të paguajnë njerëzit për të blerë një shtëpi në një zonë të ndotur, e cila për nga karakteristikat do të ishte identike me një shtëpi në një zonë të pastër. Përgjithësisht, vlera që ajri i pastër ka për njerëzit sikundër tregohet nëpërmjet zgjedhjeve të vështira të tregut, duket të jetë më pak sesa vlerësimi retorik i tyre për ajër të pastër.

Përfitimet nga zgjedhjet e tregut

Kur konsumatorët blejnë me çmime tregu, tregojnë që të mirat që blejnë janë të paktën njëlloj të dobishme për ta sikundër paratë që shpenzojnë për t’i blerë. Konsumatorët do të rrisin konsumin deri në masën që përfitimi nga një njësi shtesë (përfitimi marxhinal) do të jetë i njëjtë me koston marxhinale për po atë njësi. Në këtë kontekst, konsulatori, i cili blen një produkt, barazon përfitimin marxhinal me çmimin e tregut.

Disa matje të tjera

Shpesh është e nevojshme që CBA të vlerësojë përfitimet e të kursyerit të jetës njerëzore. Sa lekë (ose sa dollar, sa euro) vlen jeta e njeriut? Ka raste ku njerëzit vullnetarisht pranojnë të marrin përipër më shumë risk për një pagesë më të lartë, si p.sh. në fushën e minierave, ose kur për të kursyer kohë, rrisin shpejtësinë e lëvizjes në autostradë. Këto zgjedhje përdoren për të vlerësuar koston që njerëzit marrin përsipër për riskun e shtuar. Kjo përllogaritje është ekuivalente me vendosjen e një vlere ekonomike mbi numrin e pritshëm të jetëve të kursyera. Në fund, analiza e një projekti përfshin krahasimin e varianteve “me projekt” dhe “pa projekt”.

Analiza e kosto-përfitimeve ofron një set procedurash sistematike dhe të formalizuara, me qëllim vlerësimin për të financuar ose jo një politikë ose program publik. Përgjithësisht kur duhet bërë një zgjedhje mes programeve ose politikave publike, mund të përdoret analiza CBA për të krahasuar programet dhe për të zgjedhur atë që premton më shumë. CBA tashmë konsiderohet si mjeti primar ekonomik i qeverive për të vlerësuar shpërndarjen e burimeve të propozuara. Pikërisht shpërndarja e burimeve influencon zhvillimin ekonomik, cilësinë e jetës, dhe oportunitetet për publikun e gjerë. Në sektorin publik, vendimet merren rreth shpërndarjes së burimeve në mënyrë që të nxisin dhe promovojnë produktivitetin ekonomik të qëndrueshme. Analiza CBA bazohet mbi idenë që qeveria duhet të ndërmarrë vetëm ato programe që premtojnë kthime të favorshme (përgjithësisht monetare). Ajo fokusohet më së shumti në aspekte të efikasitetit të vendimmarrjes qeveritare.

Analiza CBA përdoret në të gjitha zonat e investimeve në sektorin publik, përfshirë këtu industritë kombëtare, shpenzimet në fushën e shëndetësisë, rrjetet e trafikut, programet e planifikimit të përdorimit të tokës, si edhe zhvillimet rajonale. Analiza CBA, edhe pse e zhvilluar në fillimet e shekullit të 20-të në SHBA, me qëllim vlerësimin e projekteve të mjedisit, në sektorin publik, tashmë praktikohet në të gjitha vendet e industrializuara, por edhe ato në zhvillim. Komisioni Europian, konkretisht DG REGIO, nëpërmjet Politikës Legjislative të Kohezionit për periudhën 201-2020, rekomandon se, analiza e kosto-përfitimeve duhet shndërruar tashmë në një mjet të vërtetë menaxhimi për autoritetet rajonale dhe kombëtare. Zgjedhja e projekteve më cilësore, që maksimizojnë vlerën e parasë që ndikojnë ndjeshëm në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, duhet parë si element kyç i politikave në përgjithësi. Në këtë kontekst, analiza e kosto-përfitimeve duhet parë si një mjet efektiv për të vlerësuar vendimet mbi investimet publike, me qëllim vlerësimin korrekt të mirëqenies së shtuar që i atribuohet pikërisht këtij vendimi. Në përfundim, paratë e taksapaguesve duhet të maksimizojnë vlerën e shtuar pikërisht për taksapaguesit. Analiza e kostove dhe përfitimeve duke i përfshirë të gjitha grupet e interesit, si edhe faktorin kohë, njëkohësisht tregon përgjegjshmëri më të lartë, ndaj brezave dhe rritje të transparencës së fondeve publike.

Të njohur me praktika të tilla nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më auditues të Gjykatës Europiane të Audituesve, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjendet përballë sfidave të reja, e të dobishme për t’u aplikuar në funksion të publikut shqiptar. Auditimi i jashtëm duke praktikuar këto metoda vjen padiskutim si mjet i dobishëm për rritje e eficencës, efektivitetit dhe ekonomicitetit të përdorimit të fondeve në projekte publike, por gjithashtu për të përforcuar moton e EUROSAI-t, pjesë e të cilës është: “Experientia mutual, omnibus prodest” (përvoja e përbashkët, u shërben të gjithëve).

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.