Kapiten Cana mund të bëjë një sakrificë sot!

Postuar në 19 Qershor, 2016 05:30
Eduard Zaloshnja

Në botë mund të ketë qindra miliona, në mos miliarda, “trajnerë të së hënës” – bëhet fjalë per ata tifozë që, pasi është zhvilluar një ndeshje futbolli të dielën, diskutojnë të hënën se çfarë duhej të kishte bërë ndryshe trajneri i ekipit të tyre të zemrës. Kuptohet që ka jo pak edhe “trajnerë të së shtunës” – tifozë që diskutojnë se ç’duhet të bëjë trajneri në ndeshjen e nesërme – por këta janë më të pakët. Dhe janë më të pakët për një arsye të thjeshtë – trajneri është një profesionist, i cili është i presupozuar ta dijë më mirë se kushdo tjeter sesi duhet ta përgatisë ekipin për ndeshjen e rradhës.

Rolin e “trjanerit të së hënës” e kam luajtur me mijra herë me miqtë e mij, ndërsa atë të “trajnerit të së shtunës”, me qindra herë (kam filluar të ndjek ndeshje futbolli qysh në fëmininë e hershme). Sidoqoftë, nuk e kam luajtur ndonjëherë publikisht rolin e "trajnerit". Por sot, para ndeshjes më të rëndësishme të historise se Kombëtares tonë, s’po më rrinë duart pa shkruar dy rreshta si “trajner i së shtunës”(pavarësisht se, si çdo “trajner i së shtunës”, s’kam gjasa të dëgjohem). Dhe siç kuptohet nga titulli, sebep për këtë gjë u bë Kapiten Cana.

Kapiten Cana e do kaq shumë fitoren e ekipit sot, sa mund ta dëmtojë atë. Nuk do të kishte gjë më të bukur për Kapitenin sesa ta udhëhiqte sot drejt një fitoreje ekipin që ai aq shumë e do. Por dëshira e tij e madhe mund t’ia nxisë aq shumë adrenalinën, sa mund t’ia errësojë sytë në çaste të veçanta.

Kështu i ndodhi Kapiten Canës në ndeshjen me Portugalinë në Elbasan, kur në minutën e 90-te synoi të ecte me top përpara, në vend që të spastronte zonën. Dhe Portugalia fitoi një goditje këndi që e shndërroi në golin e fitores së saj.

Kështu i ndodhi Kapiten Canës në ndeshjen me Sërbinë në Elbasan, kur në minutën e 90-te u bëri thirrje shokëve të hidheshin në sulm, ndërkohë që trajneri po u bënte thirrje të ktheheshin mbrapa. Dhe Sërbia na shënoi me kundersulm golin që na hidhëroi aq shumë (në mijra ndeshje futbolli që kam parë deri më sot, nuk kam ndjerë ASNJËHERË hidhërim më të madh nga pësimi i një goli).

Kështu i ndodhi Kapiten Canës në ndeshjen me Zvicrën në Lens të Francës, kur nga dëshira e madhe për të mos i lënë kundërshtarët t’i afroheshin zonës sonë, mori një karton të verdhë të nxituar, i cili u pasua me një të dytë, dhe me daljen e tij nga fusha.

Zëvendësuesit e tij në qendër të mbrojtjes ne ndeshjet me Zvicren dhe Francen – Kukeli dhe Ajeti – nuk e kanë përvojën dhe autoritetin e Kapiten Canës, por patën qetësinë që të bashkëpunonin mirë me Mavrajn, për të mos lejuar asnjë gol në mungesë të tij (golat në ndeshjen e dytë, atë me Francën, u shënuan kur u fut në qendër të mbrojtjes anësori Veseli, por kjo është një histori tjetër, që ka të bëjë me debatin Veseli apo Gjimshiti)

Sado e vështirë të jetë për Kapiten Canën, kjo është situata. Dhe ai mund të bëjë sakrificën më të madhe që mund të ketë bërë ndonjëherë në jetën e vet futbollistike – t’i kërkojë trajnerit që Kapiteni ta nisë nga stoli ndeshjen e sotme me Rumaninë. Nëse punët nuk shkojnë mirë për ekipin (larg qoftë, pësojmë gol), ai mund të futet  në lojë më vonë, si në mbrojtje edhe në mesfushë. Dhe pikërisht atëherë mund të duhet më shumë përvoja dhe autoriteti i Kapitenit.

Dhe ndoshta atëherë ai mund të shënojë edhe një gol. Siç bëri Kapiten Shvajni i Gjermanisë në ndeshjen me Ukrainën…

 

Comments

Submitted by tomi (not verified) on

Shkrim simpatik. Sinqerisht do deshiroja qe te nderroje tematiken e shkrimeve te tua ne te ardhmen. Te shkon shume me teper ky stil.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.