Dosjet nuk hapen as kësaj radhe

Postuar në 16 Qershor, 2016 21:58

Dosjet, ato ku ende gjithfarë pseudonimesh, jetojnë pa u identifkuar, nuk do të hapen as këtë sesion parlamentar. Politika, edhe qeveria e tanishme, e ka shumë të vështirë t’u thotë shqiptarëve ja krimi i Diktaturës. Kanë kaluar 25 vjet, por mbulimi dhe fshehja janë e vetmja fotosintezë për këtë politikë që nuk lëshon pe, nuk i hap rrugë të ardhmes, në emër të një instrumenti që tanimë është thjesht dhe vetëm taktik.  Daut Gumeni, një publicist që vjen nga përndjekja politike, thotë për “Javanews” se kjo që po ndodh tregon se “procesi nuk ka vëmendjen e duhur”. “Ndarja e politikës nga krimi duhet të nisë me hapjen e dosjeve të zullumeve të politikës, të drejtësisë, të diplomacisë, të medias, të arsimit, të shoqërisë civile, e cila tek ne është një repart paraushtarak i pushtetit të radhës, me hapjen e dosjeve të përndjekësve të djeshëm e të vetë të përndjekurve të diktaturës”, shprehet Gumeni.

Në fakt, hapja e dosjeve është proces më i vështirë për shtetarët shqiptarë që zënë radhën ambasadave. Pasi nëse për reformën në Drejtësi mjaftuan dy ambasadorë që të trondisnin padrejtësinë, për dosjet, nuk paska dorë që t’i zbardhë. Gumeni thotë se zullumet e Diktaturës, të cilat kanë vulën e gjakut, janë të vështira për t’u hapur. “Mjafton të shohësh se si vijon dhe sot e këto ditë katrahura e djeshme lidhur me zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të diktaturës. Vijon dhe sot e këtë ditë ajo tallja e djeshme me dokumente të padorëzuara, me dokumente të përditësuara për çdo këst e me kërkesa të reja të noterizuara; nga ana e po atyre zyrtarëve që u bënë të pasur me dëmshpërblimet e të vuajturve të burgjeve të diktaturës, palo zyrtarë që thonë dhe duke u gajasur gazit nëpër zyrat ku duhet të zbatohen ligjet e Kuvendit: Ende nuk paskan vdekur dhe këta të burgosurit e të përndjekurit politike? Kur tallet me programin e vet dhe partia në pushtet, pse të mos tallen aparatçikët që i shohin vendet në zyrat e shtetit si burime pasurimi”, vijon Gumeni. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.