Mungesë fleksibiliteti

Postuar në 10 Qershor, 2016 18:59

Donald Lu, ambasadori amerikan në Shqipëri, e ka mbyllur me dështim misionin e tij për negociimin e reformës në drejtësi dhe kalimin e saj me konsensus në Parlamentin shqiptar. Tri ditë më parë, përfaqësia e tij diplomatike publikoi një deklaratë në të cilën u thuhej shqiptarëve në gjuhën shqipe se “qeveria u tregua fleksibël, kurse opozita jo”. Më tej, ambasada e konsideronte të mbyllur opsionin e diskutimeve të mëtejshme duke shpallur mbështetjen për procedurën e propozuar nga kryeministri për kalimin e draftit në Parlament. E lexuar kështu siç u shërbye, përfaqësia diplomatike e SHBA-së në Tiranë u dakordësua me opsionin e kryeministrit për të nisur gjuetinë e 94 votave dhe miratuar pa opozitën këtë draft. Tani që erdhëm në këtë pikë kemi të drejtë të pyesim: Përse i duhet ambasada e SHBA-së dhe asistenca e saj kryeministrit të vendit kur çështja ka mbetur te taktika parlamentare e qëmtimit të deputetëve të lëkundur? Edhe kjo kërkon sqarime të posaçme, pasi nuk jemi në dijeni se çfarë instrumentesh vihen në veprim.  

Është padyshim hera e parë që nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve që një mision diplomatik i SHBA-së i kundërvihet publikisht një opozite. Ambasadori është patjetër i ndërgjegjshëm për mënyrën sesi lexohen fjalët dhe deklarimet e tij, ndaj kjo deklaratë e fundit u hodh në media në formën e një goditjeje neutralizuese për PD-në. Dhe kjo nuk i shërben aspak funksionimit të demokracisë, apo konsolidimit të saj. Ky argument mund të duket teorik dhe me pretendime, por deri më sot, nëse ka një interes të shpallur të SHBA-së në Tiranë, përveç atij të sigurisë, është sundimi i ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Reforma në drejtësi dhe ndryshimet kushtetuese që shkojnë me të, nuk sjellin me vete adoptimin e parimeve të reja. Përkundrazi, siç theksonte në vlerësimin e parë të vet Komisioni i Venecias, Kushtetuta shqiptare është shumë e mirë, por zbatimi dhe instrumentalizimi i saj në planin legjislativ ka sjellë situatën e tanishme. Çka do të thotë se reforma është ndërhyrje në strukturë, në emër të parimeve kryesore të së drejtës: ndarja dhe balancim i pushteteve. Ky është një parim i shenjtë, cenimi i të cilit është i panegociueshëm. Dhe këtë shembull na e jep vetë SHBA, apo administrata e saj shtetërore. Konkretisht deklaratat e kandidatit republikan Donald Trump kundër gjykatësit Gonzalo Curiel, sollën reagimin e ashpër të zv.presidentit amerikan, Joe Biden, që e cilësoi sulmin si një “krim kushtetues”( http://www.c-span.org/video/?410847-1/senator-elizabeth-ëarren-address-american-constitution-society_). Edhe drejtuesi i Kongresit, Paul Ryan deklaroi se kishte komunikuar me Trump – i deklaruar prej dikujt si Rrezik për Qytetërimin Perëndimor – duke shpresuar që “këtej e tutje fushata të vazhdojë më pozitivisht”( https://gma.yahoo.com/paul-ryan-called-trump-controversial-judge-remarks...ës-topstories.html#).  

Leksioni që na vjen nga ky incident i prodhuar nga persona të rrezikshëm për Qytetërimin, është se në sistemin që jetojmë, vendimet e gjykatës zbatohen edhe kur nuk të pëlqejnë. Dhe se gjykata, pavarësisht rezervave, është sovrane në vendimin e vet. E transplantuar në një vend si Shqipëria, ky parim mund të marrë shpesh shprehi cinike, të prodhojë edhe padrejtësi, por në asnjë rast, askujt të veshur me pushtet nuk i lind e drejta që të kërkojë të drejtën e vet, përveçe në rrugë gjyqësore. Dhe këtë parim nuk e zhbën dot as ekzibicioni me valixhe në salla gjykatash, as edhe akuza politike e përshkallëzuar në fyerje dhe në shpalljen e drejtësisë popullore. Të gjithë do të prisnim që shembulli dhe standardi i ndjekur në SHBA të riprodhohej edhe në raport me politikën shqiptare, përderisa kemi pranuar një rol më shumë se negociues të ambasadorit amerikan. I cili meqë jemi te ky argument, si një njeri shumë i informuar, duhet ta dijë shumë mirë, se vërtet që 94% e shqiptarëve e duan reformën në drejtësi dhe shkundjen në themel të sistemit, por ky proces nuk duhet në asnjë mënyrë që t’i përngjajë hartimit të listave për deputetë të partive politike shqiptare.

Në fund nuk mund të mos merret parasysh një “hollësi” që krijon ndjenjën se Ambasada e SHBA-së dhe vetë ambasadori nuk janë treguar shumë fleksibël. Ndonëse tri ditë më parë ata bënë të vetën opsionin “Reforma të votohet me çdo kusht”, duke “licencuar” pazarin e deputetëve, sot, bëhet e qartë, se në këtë lojë selia në fjalë ndoshta është e koordinuar vetëm me një palë.

Kjo sepse kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka shpallur rihapjen e negociatave me opozitën duke ftuar kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pra ka bërë të kundërtën e asaj që u njoftua nga qeveria dhe Lu. Më interesant mënyra sesi Ilir Meta justifikoi këtë hap: “Unë kam vullnetin maksimal dhe do të jem i palodhur deri në sekondën e fundit për të garantuar në Kuvendin e Shqipërisë mbarëvajtjen e reformës kushtetuese që garanton reformën në drejtësi, që ajo të ketë cilësinë e duhur, por të ketë edhe legjitimitetin dhe integritetin e duhur. Për këtë duhet bashkëpunim dhe përgjegjësi nga të gjithë dhe shpresoj gjithashtu edhe nga opozita”. Pse nuk ka një qëndrim politik mbi këtë iniciativë?

E mira e punës e do që projekti i kalimit të reformës me praktika të “njësiteve guerrile” të ndalet. Na duhet një reformë, por jo me çdo kusht dhe me vota të blera. Në duhet një reformë me konsensus, që nuk ka pse të jetë qëllimi, por për të cilin të jenë ezauruar të gjitha mundësitë. Na duhet një reformë që të jetë kurorëzim i një procesi parlamentar, jo një draft që triumfon nga kulisat parlamentare. Na duhet një reformë që të sigurojë legjitimetin e vet dhe të arkitekturës që do të ngrihet.  Kjo do të ishte ndihmë e vërtetë prej miqsh. Për të tjerat i kemi burimet njerëzore me bollëk.

 

Comments

Submitted by Zapbone (not verified) on

Nje analize brilante dhe shume ndricuese Nje ofshame plot nerv eksperti ku kercellijne logjika e mendimi racional dhe jo dhembet militanteske. Cdo fjale e fjali te ngulet goxhde ne koke plot argumentim bindes dhe une ju falenderoj per shkrimin – respekt.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.